898676245ceeb9da8c1d985fecc3a3be

Natyra Shqiptare në veprën Ëndërrime

Spread the love

Natyra Shqiptare në veprën Ëndërrime

Natyra e bukur shqiptare e rrit shumë vlerën atdhetare të poetit Naim Frashëri në vepërzën
Ëndërrime, stoli e mahnitshme ku është shkrirë mendimi i tij si diejtar dhe forca krijuese si
shkrimtar me penën në dorë të ngjyer në mollanin e përgjaktë të dashurisë për vendlindjen.

Në veprimtarinë e tij të madhe mëmëdhetare, përmbledhjen Ëndërrime, të shkraur në
persishte poeti Naim Frashëri nuk e la mënjanë, siç mund të jetë thënë në ndonjë rast “për
t’u çliruar nga ndikimet e huaja tradicionale sunduese”. Por ai, me siguri do ta merrte këtë
vepër në një kohë të qetë për ta përkthyer në gjuhën shqipe. Kjo, edhe për faktin se letërsia
dhe kultura persiane në Shqipëri është historikisht e përqafuar me konsideratë, sepse Persia
ka nxjerrë titanë të shquar në shkallë universale si Firdeusi, Saadiu, Shiraziu, Hajami,
Rumiu etj., që kanë zënë vend të merituar në historinë e mendimit kulturor botëror, në të
njëjtën shkallë me figurat më të ndritura që nxori bota kulturore perëndimore nga koha në
kohë, ashtu si e vlerëson edhe vetë Naimi në kohën e formimit kulturor të tij në terësi.

Pra, poeti Naim Frashëri e botoi këtë vepër në persishte për ta bërë të njohur në botën persiane
për qëllime të mira. Megjithatë, vjershat e botuara në Ëndërrime, si Toka dhe njeriu, Qielli,
Dielli, i botoi me zgjerime në revistën “Drita” – “Dituria” (Stamboll, 10 gusht 1884-20
korrik 1885), si artikuj me vlerë njohëse nën titujt përkatës Dhetregonja, Kafshëtregonja,
Njeritregonja, etj., të cilat ai më vonë i botoi si tekste të veçanta shkollore për shkollat e
para shqipe, si dhe për tërësinë popullore shqiptare në atë kohë kur shkollat shqipe ende
nuk ishin hapur. Kjo dëshmon pra, se vepra në fjalë e botuar në gjuhën perse, u ruajt në
kujtesën e poetit tonë Naim Frashëri gjatë veprimtarisë së tij të madhe kombëtare në vitet
80 të shekullit XIX, kur mori hov Lëvizja e organizuar kulturore e letrare për ndriçimin e
atdheut drejt rrugës së luftës për pavarësinë tonë kombëtare.

Vëllimthi Ëndërrime, bashkë me të edhe novela Katër stinët përshtatur nga Naimi sipas një
shkrimtari francez dhe përkthyer nga turqishtja në gjuhën shqipe po prej Vexhiut, u botuan
në revistën “Studime filologjike” nr. 2, 1971. Ndërkohë ato u botuan edhe në
shtypshkronjën “Rilindja”.

Me keqardhje Ëndërrimet u botua me gabime shtypi, si në revistën në fjalë ashtu edhe në
shtypshkronjën “Rilindja”, kjo e fundit justifikohet për rrethanat e represionit të egër
shovinist serb. Në vëllime të veçanta, kur përfshihen edhe Ëndërrimet, botuar në Tiranë, ka
edhe ndërhyrje redaktoriale me shtrembërime të pavend.

Vëllimi i Ëndërrimeve që u jepet në dorë lexuesve të sotshëm, para se të dërgohet për shtyp
është kontrolluar në mbështetje të dorëshkrimit të Vexhiut si dhe në kopjen e
daktilografuar që ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.

Ahmet Kondo
Tiranë, mars 1996

www.dielli.net