
Vdekja e të Dërguarit të Zotit (4)
Ishte data e hënë, 1 Rebi el-Evvel, viti 11 pas Hixhrit, dhe kjo ishte dita e fundit e Muhammed bin Abdullahut, të Dërguarit të Zotit në tokë. Pati disa çaste kur u ndje më mirë por kryesisht, ishte e qartë dhimbja e tij e madhe. E shoqja Aisheja thotë: “Teksa afronte mesdita, Fatimeja, e bija e të Dërguarit të Zotit, erdhi për ta parë. Ai i dëshiroi mirëseardhje dhe i kërkoi të ulej pranë tij. Pastaj i tha asaj diçka që s’e dëgjova unë, pas të cilës ajo filloi të qante. Duke i parë lotët e të bijës, ai i tha prapë diçka që unë sërish s’e dëgjova por që e bëri Fatimenë të buzëqeshë. Ajo i ngjante shumë të atit në sjellje, në pamje dhe në karakter”.
Pak kohë pasi vdiq i Dërguari, Aisheja e pyeti Fatimenë se ç’i kishte thënë i ati, që e kishte bërë atë të qante në fillim dhe pastaj të buzëqeshte. Ajo ia ktheu: “Në fillim, babai im më tha se do të vdiste. Kur e dëgjova këtë, fillova të qaja. Pastaj më tha se unë do të isha e para që shumë shpejt do ta takoja në qiej. Kur e dëgjova këtë, u gëzova shumë dhe buzëqesha”.
Washington Irving thotë:
“Fatimeja, fëmija i vetëm i mbetur i Muhammedit dhe njëherit edhe e shoqja e Aliut, erdhi për ta parë. Aisheja gjithnjë thoshte se s’kishte parë askë që t’i ngjante Profetit përnga sjellja e këndshme më shumë se Fatimeja. I Dërguari gjithnjë sillej me respekt dhe me butësi ndaj saj. Kur ajo vinte, ai ngrihej, shkonte drejt saj, e kapte për dore, ia puthte dorën dhe pastaj e bënte të ulej në vendin e tij. Takimi i tyre në këtë rast përcillet nga Aisheja në një hadith të shënuar nga Ebu’l-Fida-ja:
“Mirëse erdhe bija ime!”, i tha i Dërguari dhe e bëri të ulej pranë tij. Pastaj i përshpëriti diçka në vesh, pas të cilës ajo filloi të qante. Duke e kuptuar dhimbjen e saj, ai i përshpëriti diçka tjetër dhe fytyra e saj shkëlqeu nga gëzimi.
“Ç’do të thotë kjo?”, e pyeta Fatimenë. “I Dërguari po të nderon me një besim që nuk e shfaq ndaj asnjërës prej grave të tija”. Fatimeja u përgjigj: “Nuk mund të ta them të fshehtën e të Dërguarit të Zotit”. Por edhe përkundër kësaj, pas vdekjes së të Dërguarit ajo më tregoi se në fillim ai i kishte treguar për vdekjen që i afrohej dhe duke e parë se kishte filluar të qante, e kishte ngushëlluar duke i thënë se ajo do të vinte menjëherë pas tij dhe do të ishte një princeshë në parajsë”. (“Jeta e Muhammedit”).
Gjatë pasdites, i Dërguari ndjente dhimbje dhe vazhdimisht e lagte fytyrën me ujë nga një shtambë që i rrinte pranë. Duke e parë në këtë dhimbje, Fatimeja tha e shqetësuar:
“Ah këto vuajtjet e tim eti!”.
I Dërguari sërish u përpoq ta qetësonte duke i thënë:
“Pas kësaj dite, babai yt kurrë s’do të ndjejë dhimbje edhe njëherë”. Pastaj shtoi: “Kur të vdes unë, thuaj: Ne jemi të Zotit dhe tek Ai është kthimi ynë”.
Atë çast, frymëmarrja e tij filloi të rrallohej dhe ai përshpëriti diçka. Në veprën “Tabakaat”, Ibn Saadi përcjell se i Dërguari thoshte:
“Gjithë ç’kërkoj tani është shoqëria e Zotit”.
Këto ishin fjalët e tija të fundit. Muhammedi i përsëriti tri herë këto fjalë dhe pastaj heshti përgjithmonë. Aisheja thotë: “Unë vendosa një nënkresë nën kokën e tij dhe ia mbulova fytyrën. Pastaj u ngrita bashkë me gratë e tjera dhe të gjitha bashkë filluam të vajtonim, duke i goditur gjoksat tanë dhe fytyrën”.
Muhammedi, Profeti i Islamit, vdiq pasditen e hënë, më 1 Rebi el-Evvel të vitit të njëmbëdhjetë pas Hixhrit, tetë ditë para ditëlindjes së tij të 63-të. Historianët sunnitë thonë se i Dërguari vdiq më 12 dhe jo më 1 Rebi el-Evvel. Historianët shiitë, në anën tjetër, thonë se ai nuk vdiq më 1 Rebi el-Evvel por një ditë më parë, domethënë më 28 Sefer. Koncensusi i historianëve modernë perëndimorë është se i Dërguari vdiq më 8 Qershor të vitit 632, që përkon edhe me datën e lindjes së tij.
Marrë nga libri “Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve”, autor: Sejjid Ali Asghar Razvi, përktheu: Numan Mustafa, shtëpia botuese: “Dielli”, Prishtinë, qershor 2013, fq. 400-402.