2.1

Xheneti – Parajsa, vendqëndrimi i amshueshëm i besimtarëve dhe robërve të mirë

Spread the love

Xheneti – Parajsa, vendqëndrimi i amshueshëm i besimtarëve dhe robërve të mirë

O Ebu Dherr, sikur një nga ato gratë e Xhenetit në natën e errët të shfaqej në qiell, do ta ndriçonte Tokën më shumë se që atë e bën Hëna e plotë. Erën që shpërndahet nga flokët e saj të shpupurishura do ta ndjenin të gjithë banorët e Tokës, e sikur një pjesë e rrobave të banuesve të Xhenetit të dilte në këtë botë, të gjithë që do t’i shihnin do të alivanoseshin dhe sytë e njerëzve nuk do të mund të duronin t’i shikonin” – I Dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).

Nuk ka asnjë dyshim, Xheneti dhe mirësitë e tij janë të dedikuara për krijesat më madhështore të Allahut dhe mund t’i arrijnë ata që kanë kaluar rrugën e robërimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut si dhe ata të cilët me besim dhe vepra të mira janë bërë të përshtatshëm për arritjen e nivelit më të lartë të së njerëzishmes dhe në fund janë bërë meritorë për mundësinë që të kenë qasje në afërsi të Allahut. Në një ajet Zoti i Lartësuar thotë:

Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u ka premtuar kopshtet e Xhenetit nëpër të cilët rrjedhin lumenj – në to ata do të qëndrojnë përgjithmonë – dhe në kopshtet e Adnit pallate të bukura! Ndërsa animi i Allahut është më i madh se të gjitha këto, ja, ky është sukses i madh!” (Surja et-Teube, ajeti 72)

Njeriu përmes veprave të mira ia përgatit vetes Xhenetin dhe mirësitë e tij. Prandaj, sa më shumë të përpiqet në rrugën e robërimit dhe përuljes ndaj Zotit, dhe përmes stërvitjeve shpirtërore dhe luftën me dëshirat e shpirtit t’i largojë pengesat në rrugën drejt përsosmërisë, do të arrij deri te mirësia më e madhe dhe më e lartë. Kjo është e vërteta të cilën lehtë e gjejmë në transmetime dhe ajete kuranore.

Çka ndërtohet në Xhennet për besimtarët?

Transmetohet nga Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të) se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Kur më dërguan në qiell, hyra në Xhenet dhe aty pashë se si melekët ndërtonin një pallat – tjegullat e arta dhe argjendta vendosnin njërën mbi tjetrën dhe ndonjëherë pushojnë së punuari. I pyeta: ‘Çka keni, pse herë punoni e herë pushoni së punuari?’ Më thanë: ‘Kur besimtarët në Tokë deklarojnë: Subhānallāhi vel-hamdu lil-lāhi ve lā ilāhe il-lall-llāhu vall-llāhu ekber, ne punojmë, e kur nuk deklarohet kjo ne e ndalim punën’”.

Me qëllim të prezantimit dhe përshkrimit të Xhenetit, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë: “O Ebu Dherr, sikur një nga ato gratë e Xhenetit në natën e errët të shfaqej në qiell, do ta ndriçonte Tokën më shumë se që atë e bën Hëna e plotë. Erën që shpërndahet nga flokët e saj të shpupurishura do ta ndjenin të gjithë banorët e Tokës, e sikur një pjesë e rrobave të banuesve të Xhenetit të dilte në këtë botë, të gjithë që do t’i shihnin do të alivanoseshin dhe sytë e njerëzve nuk do të mund të duronin t’i shikonin”.

Si kuptohet ky hadith?

Nga fjalimi i Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) në këtë kuptojmë se shqisat e njeriut dhe sytë në Ditën e Gjykimit dhe në Xhenet janë shumë më të fuqishme se sytë dhe shqisat e tij në këtë botë. Njerëzit në këtë botë janë aq të dobët dhe vrojtimi i tyre, të kuptuarit dhe durimi është aq i vogël sa që nëse në këtë botë do të paraqitej vetëm një pjesë e rrobave të Xhenetit, asnjë sy nuk do të mund ta duronte ta shikonte atë dhe të gjithë që do ta shihnin do të alivanoseshin. Ndërsa për banuesit e Xhenetit veshja dhe shikimi i atyre rrobave është diçka e zakonshme. Në të vërtetë, mundësitë në Xhenet, p.sh. shikimi dhe vrojtimi janë shumë të mëdha. Vetëdija dhe fuqia e vrojtimit e krijesës si njeriu – që në këtë botë posedojnë vetëdije dhe fuqi të vrojtimit – në botën tjetër do të zhvillohem deri në atë masë e cila mund të jetë edhe miliona herë më e madhe se që e kanë në këtë botë. Atje gjithçka posedon jetë. Në fakt, jeta e vërtetë është atje dhe duke iu falënderuar asaj jete të vërtetë të gjitha gjërat kanë ekzistencë të vetëdijshme dhe shkencore dhe si të tilla flasin. Kësisoj flasin edhe guri e druri: “Jeta në këtë Botë nuk është tjetër pos lojë dhe argëtim,! Ndërsa shtëpia në Botën tjetër, është jeta e vërtetë, vetëm sikur ta dinin!” (Surja el-En‘am, ajeti 32)

A janë të njëjta gjërat e dunjasë dhe ahiretit?

Natyrisht. kur gjithçka posedon jetë, edhe kur bile bimët dhe gurët flasin, sigurisht që edhe njerëzit do të posedojnë jetë dhe të gjitha pjesët e trupave të tyre do të flasin. Prandaj, kur në Xhehenem veshët, sytë dhe lëkurat e banuesve të Xhehenemit të dëshmojnë kundër tyre, ata do të pyesin: Si po dëshmoni për veprat tona? Pjesët e trupit do të flasin: “Ai i Cili i ka mundësuar të gjithëve të flasin, ndërsa Ai u krijoi edhe herën e parë, edhe te Ai ju do të ktheheni…

Ajo që në këtë pjesë të hadithit është theksuar për dënimet në Xhehenemit dhe mirësitë në Xhenetit nuk mund të matet me kriteret e kësaj bote. Natyrisht, që të mos mendojmë se diçka e tillë është e pamundshme dhe e pa marrë me mend, Zoti, energjitë statike dhe të përqendruara – siç është energjia atomike – i ka vendosur në disa elemente si uraniumi, nga i cili, në rast se vetëm një sasi e vogël e energjisë lirohet, bëhet aq e madhe sa që do të mund ta shkatërronte plotësisht tërë një qytet dhe ta rrotulloj mbrapsht! E kjo është vetëm energjia e elementeve dhe materiave që ekzistojnë në këtë botë. Ndërsa bota e ardhshme, fuqia dhe forca e përbërësve të saj, ndoshta miliona herë janë më të mëdha se fuqia dhe forca që ekziston në këtë botë, ashtu që edhe përbërësit e saj shkaktojnë pasoja shumë më të fuqishme, dimensionet e së cilave as që mund t’i marrim me mend, dhe as t’i kuptojmë.

Këtë e themi me qëllim që ta njohim vendin tonë dhe pozitën, dhe ta dimë që nuk jemi të krijuar për këtë botë të kufizuar (në të cilën posedojmë vetëdije të paktë dhe aftësi të vogël të vrojtimit). Në këtë botë, ku efektet janë të kufizuara, e kufizuar është edhe vetëdija jonë dhe fuqia e perceptimit. Duhet ta dimë që gjithçka që ekziston në këtë botë është hyrje për botën tjetër dhe paraqet vetëm pasqyrim të zbehtë të asaj që ekziston në botën e ardhshme. Gëzimet që përjetojmë në këtë botë nuk janë të krahasueshme me gëzimet e botës së ardhshme. Sprovat dhe vështirësitë që i durojmë në këtë botë janë të parëndësishme ndaj dënimeve të botës tjetër.

Si mund t’i krahasohen të dy botët?

Sigurisht që krahasimi i telasheve të kësaj bote me dënimet e botës së ardhshme dhe krahasimi i mirësive të kësaj bote dhe gëzimeve e mirësive e efekteve të botës tjetër dhe shpjegimi i dallimit të tyre dhe largësisë së madhe mes tyre ndikon që të gjithë – në masën e mundësive dhe aftësive të tij mendore – e kuptojnë vogëlsinë dhe pavlerën e vetvetes dhe botës në të cilën jetojnë kundruall botës tjetër, e gjithashtu edhe vogëlsinë e rendit të krijimit ndaj Krijuesit.

Efekti tjetër i këtij krahasimi është të përmbajturit nga arroganca dhe mendjemadhësia si dhe përulësia ndaj së vërtetës: nëse njeriu në këtë botë shërbehet me disa mirësi – të mos bëhet hipokrit, e nëse privohet nga ndonjë mirësi – të mos ketë mall për të, sepse të gjitha mirësitë e kësaj bote nuk vlejnë sa një mollë e Xhenetit. Për këtë arsye, kjo botë nuk është vend për të cilin lidhet zemra. Duhet që përmes urdhrave të pejgamberëve (paqja e Allahut qoftë mbi ta), dhe të devotshmëve ta kuptojmë madhështinë e Ditës së Gjykimit dhe Krijuesin e saj dhe përmes njohjes së gjendjeve tona dhe pozicioneve duhet të përpiqemi të mos goditemi nga vetëmashtrimi, vetëmahnitja (‘uxhb), vetëpëlqimin dhe hipokrizia.

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 14, prill 2015, fq. 19-20)