1.1

FATIMJA ËSHTË FATIME

Spread the love

Fatimja kështu jetoi dhe kështu vdiq. Pas vdekjes së saj, ajo filloi një jetë të re në histori. Ajo paraqitet në fytyrat e të gjithëve që janë të shtypur. Të gjithë ata që torturohen, që vuajnë, e që uzurpohen e kanë si shëmbëlltyrë Hazreti Fatimen.

Përkujtimi i Fatimes u zhvillua me dashuri, emocione e besim të plotë në mesin e burrave dhe të grave, të cilët gjatë historisë islame luftuan për liri e pavarësi. Zëri i tyre u ngrit për shkak të zemrave të tyre të plagosura! Për këtë shkak Fatimja u bë burim i inspirimit për liri, për drejtësi dhe për rezistim kundër presionit, ashpërsisë, krimit e diskriminimit të masave të privuara.

Është shumë vështirë të bisedohet rreth personalitetit të Fatimes. Fatimja është ashtu siç kërkon Islami prej gruas në jetë! Koncepti i fytyrës së saj është vizatuar nga vetë Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Ai e ka mësuar si t’u përballojë vështirësive, varfërisë e rezistencës, si të kuptojë thellë dhe si të jetë humane. Ajo është simbol i të gjithave femrave në jetën si grua; simbol i vajzës kur takohet me babain; simbol i gruas kur takohet me burrin; simbol i nënës kur takohet me fëmijët dhe simbol i përgjegjësisë në shoqëri.

Ajo vetvetiu është udhëheqëse. Ajo është shëmbëlltyra më e bukur për çdo grua që dëshiron ta mbrojë personalitetin e vet. Ajo e mëson gruan se si të bëjë përpjekje në mënyrë permanente e të rezistojë në dy fronte, brenda dhe jashtë, në shtëpinë e babait dhe të burrit, në shoqëri, në mendime, sjellje dhe në jetë.

Unë s’di ç’të them. Fjalët janë të pakta për ta thënë atë që dua! Ajo që më impresionon më së shumti është shpirtgjerësia e saj. Ajo është bashkudhëtare, hap pas hapi fluturon bashkë me shpirtin e Aliut. Ajo nuk ka qenë vetëm bashkëshortore e Aliut. Aliu e konsideronte si pjesëmarrëse në të gjithë vuajtjet dhe në gjithë dëshirat e tij. Ajo ishte prehje e tij! Ajo i dëgjonte fshehtësitë e tij. Ajo ishte shoqëruesja e vetme në vetmi. Për këtë shkak Aliu kishte një respekt të posaçëm ndaj saj dhe ndaj fëmijëve të saj.

Pas Fatimes Aliu është martuar me gra tjera dhe ka patur fëmijë me to, por që në fillim i ka ndarë fëmijët e Fatimes prej fëmijëve të tjerë. Fëmijët tjerë quheshin “Fëmijët e Aliut”, kurse të parët “Fëmijët e Fatimes”. Nuk është për t’u habitur, ngase fëmijët e Fatimesë i ngjanin nënës. Ne gjithashtu vërejtëm se Pejgamberi kishte një qëndrim të posaçëm ndaj saj. Ai më së tepërmi e disiplinonte Fatimen. Ai mbështetej vetëm në të. Që nga mosha e re, ajo kishte pranuar thirrjen e madhëruar!

Ç’tha shkrimtari francez për hazreti Merjemen?

S’di se ç’të flas rreth saj! Më kujtohen fjalët e një shkrimtari francez i cili në një konferencë rreth Merjemes thotë: “Rreth 1700 vjet është biseduar rreth Merjemes; rreth 1700 vjet filozofët dhe mendimtarët e Lindjes e të Perëndimit kanë folur rreth vlerave të Merjemes; rreth 1700 vjet poetët kanë thurur poezi rreth Merjemes; rreth 1700 vjet piktorët kanë vizatuar piktura rreth Merjemes; por asnjëherë nuk kanë patur mundësinë që të përshkruajnë gjendjen e saj si nënë e Krishtit”.

Edhe unë dëshiroj të filloj në këtë mënyrë me Fatimen. Dëshiroja të them: “Fatimja është vajza e Hadixhes së njohur”. Ndjeva se ajo nuk është Fatimja. Dëshiroja të them: “Fatimja është vajza e Muhamedit (s.a.a.)”. Ndjeva se ajo nuk është Fatimja. Dëshiroja të them: “Fatimja është bashkëshortja e Aliut”. Ndjeva se ajo nuk është Fatimja. Dëshiroja të them: “Fatimja është nëna e Hasanit dhe Husejnit”. Ndjeva se ajo nuk është Fatimja. Dëshiroja të them: “Fatimja është nëna e Zejnebes”. Sërish ndjeva se ajo nuk është Fatimja. Po, të gjitha këto janë të vërteta por asnjëra nga këto nuk është Fatimja. Fatimja është Fatime.

Dr. Ali Sheriati

(Revista “Vlera”, nr. 14, prill 2015, fq. 17)




There are no comments

Add yours