5.1

Pse muslimanët e sotëm janë shumë larg nga e kaluara ideale?

Spread the love

Pse muslimanët e sotëm janë shumë larg nga e kaluara ideale?

Një grusht i beduinëve i kanë rrëzuar perandoritë bizantine dhe persiane, e kjo ka ndodhur vetëm disa vite pas vdekjes së Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), ndërsa për 70 vite kanë arritur të përhapin kulturën islame deri në Spanjë dhe në jug të Francës, në Portugali, më pas deri në Kinë dhe Indi. Pse pra muslimanët e sotëm janë larg këtyre arritjeve?

Të gjitha këto arritje janë meritë e këtyre burrave që kanë pasur sjellje shumë të mira ndaj grave të tyre. Sepse në kohët e hershme gratë kanë qenë shumë aktive në aktivitetet e shoqërisë së hershme. Kanë qenë mjeke, infermiere, kanë shkuar nëpër fushëbeteja, që t’i lidhin plagët e luftëtarëve. Shembulli më konkret është vajza e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), Fatime ez-Zehra (paqja qoftë mbi të) – dhe nuk na duhet një shembull më i mirë se kjo – personalisht ka lidhur plagët e babait dhe burrit të saj Imam Aliut (paqja qoftë mbi të).

Domethënë nëse këto ndodhi kanë qenë të lejuara në kohën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), ne nuk duhet as të përmendim absurditetet që po ndodhin sot nëpër botën islame, shembull konkret se femrave i ndalohet të marrin pjesë në namazet e përbashkëta me meshkujt, dhe kjo është një pasim i shtrembëruar i fesë islame, e mos të përmendim p.sh. Tunizinë ku feja islame ka mbetur vetëm si traditë.

A nuk vërehet kjo edhe tek ne në trojet shqiptare, se jemi të ndikuar nga islami radikal, fundamental, ekstrem, qe nuk ka të bëje aspak me Islamin e vërtetë të Pejgamberit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), por për fat të keq naivitetin dhe fanatizmin e tyre tradicional ia etiketojnë Islamit, me të cilin arrijnë që fenë islame ta bëjnë të neveritshme dhe të gërditshme me formalitetet dhe pamjen e jashtme të tyre, e sa i përket brendisë së saj, është shumë larg nga Islami i vërtetë. Këtë mund ta kuptojnë vetëm ata që mendojnë dhe që nuk kanë paragjykime naive, por vërtetohen duke studiuar disa ligjërata dhe diskutime që nuk i flejnë kollaj në zemër.

Ç’thotë hadithi profetik?

Koleksionisti apo tubuesi i haditheve të Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), Ibn Maxheh në Sunenin e tij citon këtë hadith: “Thuani bijave dhe grave tuaja që të marrin pjesë në ceremonitë e festës së Bajramit dhe të ndjekin ligjëratat përkatëse”. Shumë mirë po dihet se muslimanet e dikurshme, shkonin në xhami dhe merrnin pjesë në aktivitetet shoqërore, ndërsa praktika e sotme që të ndahen femrat nga bashkësitë fetare dhe mosdhënia e hapësirës për veprim të motrave muslimane me shkollim të lartë universitar, krijon një padrejtësi, e më pas ato ndihen inferiore dhe të pavlera.

Krahas kësaj gjendje të tyre, vëllezërit, baballarët dhe burrat e tyre në vend se të përpiqen dhe t’i përkrahin motrat, nënat dhe gratë e tyre, duke i avancuar e duke i dhënë vende pune të moralshme, ata arsyetohen shumë lehtë dhe pa pikë ndërgjegje, se femrat muslimane nuk kanë kushte për të punuar në vende publike. Çka është më e keqja se shumë vëllezër besimtarë arsyetohen pa pikë logjike, se mbasi femra nuk ka kushte për të vepruar në shoqëri, atëherë për të mjafton që të bëjë sa më shumë fëmijë dhe të merret me edukimin e tyre.

Edukimi i fëmijëve nga femra e pashkolluar

Shtrohet pyetja: “A mjafton që gruaja juaj t’i mësojë fëmijët me aq njohuri dhe metoda pune që ajo ka?” Apo të themi se një grua ka njohuri më të gjëra për t’i mësuar fëmijët e saj, ndërkohë kur fëmiu i saj shkon në shkollë dhe e ka parasysh një mësimdhënëse të pispillosur, me rroba të ngjitura për trupi, me minifund shumë tërheqës dhe me edukatë të shthurur! Kjo mësimdhënëse pra, ta mëson e edukon fëmiun tënd të paformuar. A s’do të ishte më mirë që një mësimdhënëse e edukuar në frymën islame që ka një dukje shumë normale dhe një dije të bazuar në emër të Allahut, të jetë mësuese e fëmijëve të saj dhe fëmijëve të shoqërisë dhe rrethit ku jeton, e të mos rri e izoluar në shtëpi?

Problem tjetër i shkaktuar në shoqëri, për shkak të mosaktivizimit të besimtareve në shoqërinë civile, është përplasja e ndjenjave dhe hormoneve në pubertet, për të cilin problem psikik është figura e mësimdhënëses që me pamjen e saj provokuese shkakton probleme mendore tek nxënësit e saj adoleshent.

Kemi respekt ndaj nënave që janë intelektuale dhe janë në kurthat e fanatizmit dhe naiviteti fetar, prandaj apelojmë që të marrin hapa në ndryshimin e shoqërisë sepse do të jemi përgjegjëse, se sa kemi kontribuar për fëmijët, bashkëshortin dhe pastaj shoqërinë. Nga ana tjetër është turp dhe mjerim për ato nëna që tërë ditën rrinë në shtëpi, tërë ditën shikojnë filma dhe seriale të njëpasnjëshme, falin ndonjë namaz sa për formalitet, nga ana tjetër e vlerësojnë më shumë pastrimin dhe gatimin e gjellërave të shijshme se sa të jap kohën dhe mundin e saj për emancipimit e fëmijëve të saj.

Autore: Ikballe Berisha Huduti

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 13, janar 2015, fq. 14)




Post a new comment