5d2c57fd473726f645408313f3b02673

Këshilla profetike për prijësit e vendeve

Spread the love

Këshilla profetike për prijësit e vendeve

Këshillat dhënë Muaz b. Xhebelit me rastin e emërimit të tij si vali të Jemenit

Ej Muaz, mësojua atyre librin e Allahut. Edukoji ata me një moral të bukur. Me njerëzit e mirë dhe të këqij, sillu sipas asaj siç e meritojnë (mos u sill njëjtë me të dytë). Zbatoji urdhrat e Allahut në mesin e tyre. Mos ngurro prej asnjërit, kur është në pyetje urdhri dhe malli i Allahut (vepro sipas ligjeve të Allahut pa bërë lëshime), sepse, nuk të takon ty as udhëheqja, as malli.

Amanetet e tyre, qofshin pak apo shumë, ktheja atij që i takojnë. Sillu në mënyrë të butë dhe falja gabimet; por jo edhe ato gabime që të çojnë në largimin prej të vërtetës, sepse, ai që thotë se u largova prej së vërtetës, ai është xhahil. Atyre me të cilët bashkëpunon, tregojua justifikimin tënd për çdo çështje që frikohesh se mund të kritikohesh dhe të fajësohesh. Përveç atyre që pranon Islami, të gjitha adetet dhe zakonet tjera të kohës së para Islamit shpalli të pavlefshme.

Shpjego dhe interpreto çdo gjë që ka të bëjë me Islamin, qoftë ajo e një rëndësie të madhe apo të vogël; rëndësinë më të madhe kushtoja namazit, sepse, namazi është elita e Islamit, mbasi që të pranohet feja. Përkujtojua njerëzve Allahun dhe Ditën e Kiametit. Këshillohu dhe konsultohu me ata, sepse, këshilla i nxit ata për kryerjen e veprave me të cilat është i kënaqur Allahu.

Shpërndaji mësuesit e fesë në të gjitha anët e vendit, në mënyrë që t’i mësojnë njerëzit për Islamin. Bëri shërbim Atij, të cilit do t’i kthehesh dhe mos ki frikë nga kritika në rrugën e Allahut. Të këshilloj që të frikohesh nga Allahu, të flasësh të vërtetën, të mbetesh besnik ndaj marrëveshjes, amanetin  t’ia kthesh pronarit, të largohesh nga pabesia, të flasësh butë me njerëzit, të mos ngurrosh për dhënien e selamit, ta ruash hakun e fqinjit, të sillesh mëshirshëm me jetimët, të sillesh mirë, të mos u dorëzohesh dëshirave të gjata, të dashurosh ahiretin, të mbash brengën e dhënies së llogarisë për veprat e tua, të përqafosh imanin, të bëhesh zotëruesi i diturisë së thellë të Kuranit, të bëhesh fitues ndaj zemërimit dhe të parapëlqesh modestinë.

Ruaju nga mallkimi ndaj myslimanëve, nënshtrimit ndaj mëkateve, të revoltuarit ndaj Imamit të drejtë dhe nga pranimi i fjalëve të atij që e flet të pavërtetën.

Pranë çdo guri dhe çdo lisi (kudo që të jesh), përkujtoje Zotin tënd. Pendohu për çdo mëkat, veçmas: Për mëkatin e kryer haptas, pendohu haptas; për mëkatin e kryer fshehtas, pendohu fshehtas.

Ej Muaz, sikur të mos kisha ditur se nuk do të takohemi deri në Ditën e Kiametit, nuk do ta kisha zgjatur kaq shumë fjalën dhe nuk do të kisha këshilluar kaq shumë.

Ej Muaz, dije që më i dashuri prej mesit tuaj është ai me të cilin do të takohem në Ditën e Kiametit, mbasi që jemi ndarë dhe nuk jemi takuar më në këtë botë, por duke i mbetur besnik rrugës së drejtë. 

S’ka dyshim se, çdo gjë e ka nderin e vet; nderi i kuvendeve është të drejtuarit ka kibla. Ai që dëshiron të bëhet më i vlefshmi në popull, le të frikohet prej Allahut. Nëse dëshiron të bëhet më i fuqishmi në popull, le të mbështetet në Allahun. Dhe, nëse dëshiron të bëhet më i pasuri në popull, atëherë le të mbështetet më shumë në atë çka është tek Allahu sesa në dorën e tij.

Pastaj vazhdoi në këtë mënyrë: “A dëshironi të dini cili është më i ligu i popullit?” – Pasi që u përgjigjën ”Po, ja Resulullah”, vazhdoi: “Më i ligu në popull është ai i cili e kalon natë vetëm, që e shmang ndihmën e tij ndaj popullit dhe që e rrah me kamxhik robin e vet”.”A dëshironi të dini cili është më i ligu se ky person?” – Kur i thanë “Po, ja Resulullah”, Resulullahu (s.a.a.) vazhdoi: “Ai i cili nuk i fal gabimet e të tjerëve dhe i cili nuk pranon kërkimin e faljes”. “A dëshironi të dini edhe për më të ligun se ai?” – “Po, ja Resulullah”. “Ai, nga i cili nuk mund të shpresohet për ndonjë të mbarë prej tij dhe prej të cilit nuk mund të mbrohet prej sherrit të tij”. “A dëshironi të dini për më të ligun se ai?” – “Po, ja Resulullah”.”Ai që nuk e do popullin dhe populli nuk e do atë”.

Hz Isa (a.s.) duke biseduar me bijtë e Israilit, në mes tjerash tha:

“Ej bijtë e Israilit, mos flisni fjalë të urta përpara të pa-dijshmëve, sepse, do t’i bëni padrejtësi urtësisë. Dhe, mos e fshihni urtësinë prej të urtëve, sepse, do të bëni padrejtësi ndaj zotëruesve të urtësisë. Mos i jepni përparësi të padrejtëve, sepse nëse e bëni këtë nuk do të keni më epërsi ndaj tyre.

O bijtë e Israilit, janë tri lloje të punëve: Të drejta që vërehen qartë – përmbaju këtyre; të padrejta që vërehen qartë – largohu prej këtyre dhe, vërtetësia e të cilëve është e dyshimtë – këtë lërjani Allahut.

O ju njerëz, shenjat e rrugës së lumturisë janë të qarta, mos u largohuni prej tyre. Ju keni një vend ku do të përfundoni, mundohuni që të arrini atje. Besimtari gjithmonë jeton në mes dy frikësh: Çka do të vendosë Allahu për të kaluarën e tij dhe si do të caktohet e ardhmja; për të dyja nuk ka kurrfarë njohurie. Nëse është kështu, atëherë besimtari duhet të shkëpusë diçka prej vetes për veten e tij dhe prej kësaj bote për ahiretin e tij. Të përfitojë prej rinisë para pleqërisë dhe prej jetës para vdekjes. Betohem në zotëruesin e shpirtit tim se nuk ka më kthim mbas vdekjes; vendqëndrimi mbas dynjasë do të jetë xheneti ose xhehenemi”.

 

Pjesë e marrë nga libri  “Dhuratë Mendjeve, “