3051dcf4d2c756d02f4b0e05dc46535f

Morali seksual perëndimor

Spread the love


Morali seksual perëndimor

 

A është seksi esencialisht i ligë? Një musliman do të habitej përballë kësaj pyetjeje sepse një ide e tillë aq që do t’i kalonte nëpër mendje. Por sa është relevante kjo pyetje për Krishterimin dhe për botën perëndimore, do të shohim në faqet në vijim.

Në tetëdhjetë vitet e fundit (përkthyesi: vepra është botuar në vitin 1990) dhe në veçanti pas dy luftërave botërore, morali seksual i Perëndimit ka pësuar një ndryshim të madh, i cili rëndom njihet si “revolucioni seksual”. Mbi rrënojat e moralit në vdekje të Krishterimit, Perëndimi po përpiqet të ndërtojë një moral liberal seksual, i cili njihet shpesh si “morali i ri seksual”. Për ta kuptuar prapavijën shoqërore dhe historike, në të cilën po zhvillohet ky moral i ri, duhet fillimisht ta studiojmë moralin seksual të Kishës së Krishterë.

 

Revolucioni seksual

Kisha bëri një gabim shumë serioz kur u përpoq ta shtypte prirjen më natyrore brenda njeriut, e cila është edhe mjeti i vetë vazhdimësisë së tij. Është shumë e qartë se prirjet natyrore nuk mund të shtypen. Allame Rizvi shkruan:

“Sikur feja t’i mbyllë sytë përballë hollësive të koklavitura të problemeve familjare, ndjekësit e saj, herët a vonë do të revoltohen kundër fesë, duke i shkatërruar të gjithë principet fetare në këtë revoltë të tyre. Krishterimi i shpërfilli kërkesat e natyrës njerëzore, duke e promovuar idenë e murgërisë. Shumë njerëz të virtytshëm u përpoqën ta jetësonin këtë ideal në jetët e tyre dhe shumë murgjër e murgesha u ngujuan në manastire. Për një kohë, ky sistem funksionoi mirë. Por pastaj natyra e filloi hakmarrjen e saj dhe murgjërit e priftërinjtë filluan ta konsideronin veten përfaqësues të Krishtit, ndërkohë që murgeshat filluan të ishin “nuset e Krishtit”. Kështu, me një ndërgjegje shumë të pastër, manastiret u kthyen në qendra të lirive seksuale.” (Jeta familjare në Islam, fq.8)

Duke e komentuar qëndrimin e klerit të krishter, Russell shkruan: “Vetëm nga fundi i shekullit të trembëdhjetë, murgëria filloi të ishte e detyrueshme për klerikët. Kuptohet, klerikët vazhdonin të kishin marrëdhënie jolegjitime me gratë…”(Martesa dhe morali, fq.64). Papa Gjoni XII u akuzua për imoralitetit (kurvëri) dhe për incest. I zgjedhuri i Shën Augustinit për kryepeshkop në Canterburry në vitin 1171, u zbulua se kishte shtatëmbëdhjetë fëmijë jolegjitimë në një fshat të vetëm. Henri i Tretë, Kryepeshkop në Leige, u largua nga detyra në vitin 1274 për shkak se kishte gjashtëdhjetë e pesë fëmijë jolegjitimë. Autorët e Mesjetës kanë shkruar shumë tregime për manastiret që ishin si shtëpi publike, për numrin e madh të foshnjave të vrara që varroseshin brenda mureve të manastirit dhe për incestin që do ta detyronte Kishën të shpallte se priftërinjve nuk duhet t’u lejohej të jetonin me nënat dhe me motrat e tyre. (“Historia e moralit evropian”, vëll.2, fq.350-351)

Vetëm ky mund të ishte fundi i një morali seksual jonatyror. Ata që nuk arritën t’i shtypnin prirjet e tyre natyrore, kryenin fshehurazi vepra imorale. Të tjerët, si Martin Lutheri, u revoltuan kundër Kishës dhe e nisën lëvizjen e Reformacionit, e cila hoqi dorë nga murgëria.

Dhe kur Kisha e Krishterë e humbi ndikimin e saj në çështjet shoqërore të Perëndimit dhe kur u nda nga shteti, edhe njeriu më i rëndomtë u revoltua. Kjo revoltë fitoi fuqi pas dy luftërave botërore dhe Perëndimi i krishter e filloi revolucionin seksual si një reagim kundër shtypjes së seksualitetit në të kaluarën. Një lëvizje reformuese e çon shoqërinë nga një pikë ekstreme drejt një pike mesatare, ndërkohë që një revolucion, e lëviz nga një ekstrem në tjetrin.

 

Allame Rizviu thotë: “Natyra mund të krahasohet me një amortizues prej çeliku, i cili kur të shtypet deri në fund, kërcen prapa duke reaguar me forcë të barabartë. Kur u hakmorr kundër të krishterëve, ai (revolucioni seksual) i ktheu shoqëritë e krishtera në shoqëritë më të lira, libertine dhe më të padisiplinuarat që ka parë bota.” (Jeta familjare në Islam, fq.8-9)
                                                     

MORALI I RI SEKSUAL

Pra, ky moral i ri seksual që u paraqit në Perëndim, shkoi drejt një ekstremi tjetër. Nga ekstremi i shtypjes së dëshirave natyrore të njeriut, disa propagandues të këtij morali të ri shkuan deri aq larg sa ta përhapin idenë e një lirie të pakufizuar seksuale, si ajo e botës shtazarake. Ata i përhapën idetë e “seksit për argëtim” ose “seksit për hir të seksit” dhe “seksit të lirë”, të cilat më në fund do ta shkatërronin konceptin e familjes që është qeliza e shoqërisë njerëzore.

 

Në fund të viteve të tetëdhjeta, mund të thuhet se ky “amortizues” i natyrës po kthehet në pozitën e vjetër të tij. Katchandourian dhe Lunde, në vitin 1980 shkruanin: “Moraliteti i seksit për argëtim ose i seksit për hir të seksit kurrë nuk ia tërhoqi vëmendjen shumicës së rinisë. Idealet romantike të martesës, besnikërisë dhe të jetës stabile shtëpiake për të rritur fëmijë, vazhdonin të ishin të gjalla dhe shumë me ndikim në jetën amerikane. Tani po rritet një sintezë e re vlerash. Shumë nga ndryshimet në sjelljet seksuale të viteve të gjashtëdhjeta janë ruajtur por besimet radikale të asaj epoke janë konsideruar të papranueshme nga shumica e njerëzve. Shumë individë janë gati ta miratojnë përvojën paramartesore seksuale, por duke qenë të sigurt se askush nuk lëndohet.

 

Shumë kanë kuptuar se “seksi për hir të seksit” nuk ishte aq i mrekullueshëm sa ç’dukej kur u bë i famshëm së pari. Shumica kanë parë aq shumë njerëz të lënduar nga seksi i papërgjegjshëm, sa kanë filluar të kërkojnë një moral të ri të seksit të përgjegjshëm.” (Themelet e seksualitet njerëzor, fq.420)

 

Për të përmbledhur, mund të themi fillimisht se Perëndimi ka rrugëtuar nga një ekstrem (i shtypjes së seksualitetit nga Kisha) drejt një ekstremi tjetër (të seksit të lirë ose “seksit për hir të seksit” siç propagandohet nga morali liberal seksual).

 

Së dyti, Perëndimi ka kuptuar se seksi i lirë ose seksi për hir të argëtimit nuk është një gjë e pranueshme për ndjenjat njerëzore. Dhe së fundmi, pas lëvizjes nga një ekstrem në tjetrin, Perëndimi po kërkon një “moral të ri të seksit të përgjegjshëm”. Për mendimin tim, ky moral i ri i seksit të përgjegjshëm është pikërisht morali i baraspeshuar seksual i Islamit, të cilin do ta shpjegojmë në vijim.

 

Arsyeja përse e diskutova prapavijën fetare dhe shoqërore, në të cilën u zhvillua revolucioni seksual, është që t’ua bëj më dije muslimanëve në Lindje dhe në Perëndim se ky revolucion nuk ishte një rezultat i vetë shkencës dhe teknologjisë (ndonse disa teknologji të reja si kontraceptivët e kanë lehtësuar këtë), por një reagim kundër moralit shtypës seksual të Kishës së Krishterë. Shpresoj se kjo ka për ta thyer edhe atë mit në mesin e aziatikëve dhe afrikanëve, në veçanti tek elita e tyre, se çdo sjellje dhe normë e Perëndimit është e mbështetur në ndonjë arsyetim shkencor.

 

 

Marrë nga Libri  Martesa dhe morali seksual në Islam

Sejjid Muhammed Rizvi