2759cff25fb9314f7ecd4aa3fe8ba493

Mysafirët e Ibrahimit dhe mrekullia e Zotit

Spread the love

Mysafirët e Ibrahimit dhe mrekullia e Zotit

Ajetet 24 – 30  të Kaptinës Dharijah ( Erërat shpërndarëse)

“A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve, të nderuar, të Ibrahimit?” “Ata hynë tek ai, e thanë: ‘Paqe!’ Ai u tha: ‘Paqe, o njerëz të panjohur!’” “E pa u vënë re, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë.” “Pastaj, ua ofroi atyre e, u tha: ‘A nuk po hani?!’” “Dhe ndjeu frikë prej tyre, por ata i thanë: ‘Mos u frikëso!’ e i dhamë lajmin e mirë për një djalë të dijshëm.” “Atëherë, erdhi gruaja e tij, që, duke thërritur dhe rrahur fytyrën tha: ‘Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka sterile?!’” “Ata thanë: ‘Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm!’”

Komentim

Miqtë e Ibrahimit (Paqja e Allahut qoftë mbi të)

Nisur nga ky e ajetet në vazhdim, Kur’ani trajton historinë e Profetëve të kohëve të kaluara, Profetët e dërguar te popujt e hershëm. Këto histori vijnë në mbështetje dhe përkrahje të çështjeve të trajtuara më parë, si dhe përmbajtjeve të tyre. Çështja e parë që ky ajet kur’anor thekson, është historia e engjëjve që Allahu i Madhëruar dërgoi për të dënuar popullin e Lutit dhe që u ndalën te Profeti Ibrahim (Paqja e All’llahut qoftë mbi të!), duke u shfaqur në formën e njerëzve. Ata erdhën për t’i dhënë atij lajmin e madh, erdhën për t’i komunikuar vendimin që Allahu kishte marrë, për t’i dhuruar një fëmijë, edhe pse kjo gjë dukej biologjikisht e pamundur, sepse Profeti Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) ishte në moshë të shkuar dhe gruaja e tij plakë e kishte të pamundur, fzikisht, të sillte në jetë një fëmijë.

Nga njëra anë, dhurimi i një fëmije nga Allahu, për Profetin Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) dhe për bashkëshorten e tij plakë, që e kishte biologjikisht të pamundur të sillte një fëmijë në jetë, tregohet  dhe vërteton qartë në këtë ajet.

Nga ana tjetër, ky është një tregues i qartë dhe i rëndësishëm që shpalos fuqinë dhe mundësinë e pakufizuar të Allahut të Madhëruar. Këtu shfaqen të tjera argumente, të cilat duhet ta orientojnë njeriun kah Krijuesi i Gjithësisë.

Parë nga një këndvështrim i tretë, në këto ajete dëshmohet që popujt besimtarë janë nën mbrojtjen dhe përkujdesjen e vazhdueshme të Allahut të Madhërishëm. Ajetet e mësipërme flasin përreth dënimit që Allahu rezervoi për popullin e Lutit, sikur, në të njëjtën kohë, janë mesazhe që kërcënojnë për dënim hyjnor të gjitha kategoritë e kriminelëve.

Që në fillim, vëmë re se Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij duke i thënë: “A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve, të nderuar, të Ibrahimit?”.

Lidhur me përdorimin e fjalës “mukremin” – “të nderuar”, ka dy mundësi. Mundësia e parë është se këta engjëj të jenë të dërguar nga ana e Allahut të Madhëruar, ashtu si përmendet në ajetin 26 të sures “El Enbija”: “Vërtet, ata janë rob të nderuar të Allahut!”.

Ndërsa mundësia e dytë është që të jenë cilësuar si të tillë, ngaqë Profeti Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) i priti dhe nderoi. Ose dhe të dyja mundësitë bashkë. Më pas Kur’ani e përshkruan gjendjen e tyre: “Ata hynë tek ai, e thanë: ‘Paqe!’ Ai u tha: ‘Paqe, o njerëz të panjohur!’”.  Disa komentues kanë thënë se fjalia që tregon se ata janë njerëz të panjohur, nuk është deklaratë e Profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!), por është vetëm një pohim që ai e ka përmendur mes tij dhe vetes, pasi një pohim i tillë me zë të lartë, nuk përshtatet me normat e mirësjelljes dhe të mikpritjes. Ndodh që ashtu si thonë edhe zakonet, mikpritësi t’i thotë mikut, nuk më kujtohet ku jemi takuar më parë, apo më dukesh si i panjohur, etj.

Nisur nga sa u përmend, mund të themi se komenti i përgjithshëm i ajetit është korrekt, pasi Profeti Ibrahim (Paqja e All’llahut qoftë mbi të!) e ka shprehur qartë këtë, pavarësisht se mundësia e parë nuk është larg të vërtetës, veçanërisht kur shohim se miqtë nuk iu përgjigjën kësaj shprehjeje. Po të ndodhte që Profeti Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) ta kishte shprehur qartë një fjali të tillë, atëherë përgjigjja e miqve do të bëhej e domosdoshme.

Mikpritja e begatshme e Ibrahimit a.s.

Gjithsesi, Profeti Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) i ushtroi mrekullisht të gjitha detyrimet që ia përcaktonte mikpritja. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar thotë: “E pa u vënë re, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë.”.

Sipas gjuhëtarit Err Rragib, në librin e tij “El Mufredat”, citohet se folja “raga” – “shkoi”, e ka rrënjën te fjala “reug”, e ngjashme me fjalën “sheuk”, kuptimi i të cilës është lëvizja me hapa të ngadaltë, që nuk bëjnë zhurmë. Mënyra e zgjedhur prej Profeti Ibrahim a.s., për të lëvizur, lidhet me përpjekjet e tij për të mos e kuptuar miqtë, që ai po përpiqej t’i sajdiste ata, se miqtë mund ta ndalonin për ta bërë këtë, me qëllim që të shmangte shpenzimet e tepërta. Pyetja që lind, është: Cila është arsyeja që Profeti Ibrahim (Paqja e All’llahut qoftë mbi të!) përgatiti aq shumë ushqim?! Një pjesë e komentuesve kanë thënë se miqtë ishin tri persona, ndërsa një pjesë tjetër thotë se ishin dymbëdhjetë. Numri dymbëdhjetë është më i madhi që përmendet prej komenteve, lidhur më këtë çështje.

Përgjigjja e pyetjes së ngritur më sipër, qëndron në faktin se njerëzit bujarë, nuk e përgatisin ushqimin në masën e miqve që vinin për t’i vizituar. Ata përgatisin ushqim edhe për ato që e gatuanin ushqimin, që t’i bashkëngjiteshin sofrës. Ndodhte që ushqimi të gatuhej me bollëk, për arsye të llogaritjes edhe të komshinjve apo të afërmve. Për këtë arsye, nuk mund të themi se gatimi me tepri nga ana e Profetit Ibrahim a.s. quhet shpërdorim. Këto zakone janë të njohura edhe në ditët e sotme, pse jo, janë pjesë të ritualeve mikpritëse në disa fise që jetojnë sipas traditave të vjetra.

Mikpritja dhe besa e mysafirit

Më pas, ajeti tregon rreth Profetit Ibrahim a.s. dhe mikut të tij, duke thënë: “Pastaj, ua ofroi atyre e, u tha: ‘A nuk po hani?!’”. Në fakt, Profeti Ibrahim a.s. kujtonte me vete, se miqtë që kishin urdhëruar, ishin prej gjinisë njerëzore. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ndjeu frikë prej tyre…”.

Arsyeja pse Profeti Ibrahim u frikësua, është se jo vetëm në ato kohë, por dhe në kohët e sotme, ka qenë dhe mbetet shumë i prekshëm zakoni i besës. Që do të thotë se, kur një njeri të ka ngrënë bukën, ai është në besën tënde dhe ti je në besë të tij. Pra, njerëzit, në përgjithësi, nuk e kanë dëmtuar njëri-tjetrin, nuk e kanë tradhtuar, as e kanë shitur mikun te armiqtë e tij, sidomos kur kanë ngrënë bukën e njëritjetrit dhe e kanë ndarë atë mes tyre.

Për këtë arsye kur, Profeti Ibrahim a.s. vuri re që miqtë nuk kishin ngrënë prej ushqimit që ai kishte servirur në sofër, nisi të dyshojë, mos vallë, nuk e pranonin miqësinë e Ibrahimit, se mund të kishin ardhur për qëllime të liga e të dyshimta. Një shembull prej botës arabe, thotë kështu: “Ai që nuk ta ka ngrënë ushqimin, nuk ta ka siguruar jetën!”

Fjala “el ijxhas” vjen prej fjalës “uexhese”, sinonim i fjalës “mekethe”, që në origjinalitet ka kuptimin e “zërit të ulët”. Nisur nga ky kuptim, ajo është përdorur, gjithashtu, për të nënkuptuar një ndjenjë të brendshme, që fshihet në gjoks. Shpesh, njeriut i duket sikur dëgjon një zë brenda vetes, kur psherëtima unifikohet me fshehtësinë, ajo kthehet në ndjenjë të frikës.

Në këto çaste, ashtu si bëhet e ditur në ajetin 70 të sures “Hud”, për ta qetësuar Profetin Ibrahim a.s. miqtë i thanë: “…’Mos u frikëso!’ e i dhamë lajmin e mirë për një djalë të dijshëm.”.

Natyrisht, fëmija nuk mund të jetë i ditur që në ditën e lindjes, por është e mundur që ai të përgatitet që në fillim të jetës, për të qenë në të ardhmen një dijetar i madh. Ky është edhe kuptimi i nënkuptuar prej ajetit, në këtë rast.

Lajmi i mirë për Saranë dhe Ibrahimin e moshuar.

Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: “Atëherë, erdhi gruaja e tij, që, duke thërritur dhe rrahur fytyrën tha: ‘Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka sterile?!’”. Në ajetin 72 të sures “Hud”, lexojmë: “Ajo tha: ‘Ah! E mjera unë! A mos, vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak?!’”. Për sa përmendëm, mund të themi se thirrja dhe ulërima e saj erdhi si rezultat i habisë së madhe, shoqëruar në të njëjtën kohë, edhe prej gëzimit të madh.

Në rastin konkret, ajo tregon se, kur, gruaja e Profetit Ibrahim a.s.e dëgjoi lajmin e mirë, i gjuajti fytyrës me duart e saj, një zakon i njohur i grave prej habisë, prej turpit dhe prej gëzimit të madh ku konstatojmë se mosha e bashkëshortes së Profetit Ibrahim a.s. që i erdhi lajmi i  mirë, ka qenë diku tek të nëntëdhjetat, ndërsa Profeti Ibrahim a.s. i kishte kaluar njëqind vite prej jetës së tij.

Ajeti kur’anor sjell për lexuesin përgjigjen që engjëjt i dhanë asaj: “Ata thanë: ‘Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm!’”. Kjo përgjigje ka si qëllim t’i tregojë gruas së Profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) se pavarësisht moshës tënde të madhe, edhe pse je një grua plakë dhe burri yt është një burrë plak, është urdhër i prerë i Allahut, i cili duhet të shkojë në vend e të gjejë zbatim, pa asnjë mëdyshje, sepse Ai ka vendosur.

                                       Atributet e Zotit që bënë mrekullinë

Kështu, krijimi i botës dhe i gjithësisë ishte i lehtë për Allahun, pasi ka ndodhur, menjëherë, pas urdhrit të Tij: “Bëhu!” dhe është bërë. Fjalët “el hakijmu” – “i Urtë” dhe “el alijmu” – “i Gjithëdijshëm”, tregojnë se Allahu i Madhëruar nuk e ka të nevojshme të njoftohet dhe bëhet me dije që ti je një grua shterpë, plakë dhe burri yt është i vjetër, pasi, Ai, është i mirinformuar për të gjitha këto çështje. Prandaj, arsyeja pse Ai nuk të ka dhënë fëmijë deri në këtë moshë dhe ka vendosur ta dhurojë një të tillë tani, në moshë të plakur, lidhet me urtësinë e vendimeve të Tij.

Është interesant fakti që në ajetin 73 të sures “Hud”, Allahu njofton se engjëjt iu përgjigjën gruas së Profetit Ibrahim (Paqja e Allahut qoftë mbi të!): “Ata (engjëjt) thanë: ‘A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju, familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!’”.

Ndryshimi ndërmjet këtyre dy shprehjeve është se engjëjt ia thanë gjithçka Sarës. E veçanta e kësaj historie është se një pjesë e këtij komunikimi përmendet në suren “Hud”, ndërsa këtu përmendet pjesa tjetër e tij. Në suren “Hud” është folur rreth Mëshirës së All’llahut dhe bekimit të Tij. Kështu që, të dyja këto shprehje përshtaten plotësisht me Qenien e Allahut.

Në  ajetin 30 flitet për dijeninë që Allahu ka, lidhur me pamundësinë dhe mungesën e gatishmërisë së bashkëshortëve, për të sjellë në jetë një fëmijë. Kjo është një dukuri e natyrshme biologjike, që shkakton shterpësinë e gruas në moshë madhore. Përmendja e dijes së All’llahut, për këtë rast, përshtatet plotësisht. Allahu është në dijeni të këtij fakti dhe të kësaj pamundësie.

Nëse pyetet: Përse, nuk u dhuroi një fëmijë, gjatë rinisë së tyre?!, përgjigjja është: Këtu, kemi të bëjmë me një urtësi të Allahut. I Lavdëruar qoftë Emri i Tij!

Marrë nga Komentim i Përsosur i Kur’anit, Xhuzi i njëzetegjashtë.

Përgatitur nga Redaksia VLERA.