Lajme

Ky është fëmiu i parë që lindi në 10 Vjetorin e Pavarësisë

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës e cila shënon dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës lindi vajza me emrin Renea Kazhani, e cila nga ambasada finlandeze mori si dhuratë “Pakon e Amësisë“.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall ka deklaruar se ndihet shumë krenare që në këtë dhjetë vjetor të pavarësisë së Kosovës ndodhet në Klinikën e Gjinekologjisë për të takuar fëmijën që lindi në këtë ditë, për të cilën ka ndarë pakon e amësisë.

Me këtë rast ambasadorja Stjernvall në emër të popullit të Finlandës ka uruar popullin e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë.

“Ne menduam se cila është dhurata jonë dhe me këtë rast kemi zgjedhur një kuti të foshnjave finlandeze për t’i dhuruar Reneas, një kuti që i jepet çdo nëne që lind në Finland, pa marrë parasysh a është fëmiu i parë, dytë a tretë çdo nënë e merr atë kuti nga Qeveria e Finlandës dhe kjo qysh nga vitet e 40-ta. Iu uroj 10 vjetorin e pavarësisë nga gjithë populli i Finlandës dhe jemi shumë të kënaqur që jemi këtu” u shpreh ajo.

Kurse, zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu u shpreh se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që t’i përmirësojë kushtet si për stafin mjekësor, ashtu edhe për nënat dhe të posalindurit.

“Kosova ka popullatën me moshë mesatare më të re në të gjithë Evropën, prandaj edhe numrat e natalitetit janë të kënaqshëm. Ne si Ministri e Shëndetësisë bazuar në këto fakte jemi të përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme që t’i përmirësojmë kushtet për stafin mjekësor, për nënat dhe të posalindurit në mënyrë që të vegjëlit tanë të kenë një jetë sa më të mirë”, tha ai .

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci ka deklaruar se populli i Finlandës përveç në të kaluarën por vazhdon ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen.

“Populli i Finlandës përveç që ka ndihmuar Kosovën në të kaluar, ndihmon edhe të ardhmen”, ka deklaruar Gojnovci.

Ndryshe, Alltëne Vuniçi është nëna e cila e solli në jetë vajzën, Renea Kazhani e cila ka ardhur në jetë sot në ora 03:40 dhe peshonte 3.350 kilogram.

“Pakoja e amësisë” apo “kutia e foshnjës finlandeze” është një kuti e njohur në tërë botën me gjëra të nevojshme për vitin e parë të lindjes së fëmijëve, e cila jepet falas nga qeveria finlandeze për të gjitha foshnjat që lindin në Finlandë. Finlanda është shteti nga ku nis historia e pakos së amësisë. Qysh në vitet 40-ta u prezantuan versionet e para të saj. Në fillim kutia për foshnje ishte një mjet për të mbështetur familjet e varfra dhe për të siguruar që nënat ishin të përfshira në sistemin kombëtar të kujdesit shëndetësor.

Të ngjashme

Back to top button