FEHM

NË KËRKIM TË TITULL(AR)IT, shkruan Fehmi Maliqi

Spread the love

Edhe përkundër modernizimit të teknologjive të informacionit me të cilat e kemi pajisur çdo

ambient zyrtar e privat, duke filluar nga institucionet më të larta publike e deri “poshtë” në

bashkësitë lokale, nga individë më të pasur e deri te fukarai më i mjerë, me gjasë, realiteti ynë

konkret dhe imagjinarë edhe për një kohë të gjatë do të zhvillohet e perceptohet si një rrëfenjë

anekdotike.

Duke pasur një Akademi të heshtur në kolltukët e buta të një objekti modern, një Ministrie të

arsimit të dirigjuar nga një Qeveri irituese dhe një Universtitet në të cilin brenga më e madhe e

personelit arsimor është zgjedhja e Këshillit drejtues, prorektorëve, dekanëve dhe rektorit, e

sotmja dhe perspektiva shqiptare do të jetë jashtë rrjedhave shkencore dhe lehtësirave që

përparimi i saj do të duhej t’i sjellte njeriut të këtushëm, duke filluar nga mjetet e punës,

punësimi e deri te shëndetësia efektive.

Çka po ndodhë që nga paslufta e këndej?

Që në fillim të arritjes dhe të zbarkimit të demokracisë në oborrin tonë, duke e paragjykuar si

një nuse shumë të zojë e të pashoqe, sipas traditës tonë anekdotike, asaj fillimisht ia hoqëm

duvakun me krisma pushke mu para syve, gojës, hundës dhe veshëve të saj, edhe pse, në

vendin e zbarkimit, lufta e tmerret sapo kishin mbaruar dhe sapo kishte filluar procesi i

përllogaritjeve të bilancit të saj tragjik, nga ana e më të prekurve prej saj. Se kush ia hoqi

duvakun me krisma pushke nuk është edhe aq me rëndësi të dihet, ngaqë nuk e di vetëm ai që

nuk ka dashur ta dijë, por nuk mund të mohohet fakti se nusja e re që në hapin e parë të

zbarkimit të saj u tmerrua nga frika, iu shurdhuan veshët, iu nemit goja, nuk i dallon aromat, iu

turbullua mendja dhe çka është më e keqja edhe sot e kësaj dite i dridhen gjymtyrët – këmbë e

duar.

Që në ditën e nesërme filluan të vijnë burra e gra për ta uruar ardhjen e saj, me urimet e

dëshirat më të mira, jo edhe aq për nusen (kupto demokracinë) dhe rehatinë e saj, sa për

perspektivën e tyre në raport me të e ndaj saj. Duke e trajtuar si një hyzmeqare që do t’i bëjë

kafe e qejf secilit, në stilin e këngës “Kallma cigaren paja çka të kallzoj”, nuk ia lejuan ta

përjetonte as muajin e mjaltit në vendin e zbarkimit, meqë secili që i vinte i prezantohej si i zoti

i shtëpisë me huqe e mana nga më të ndryshmet, madje duke mos i treguar as se me kë në fakt

është “martuar” ajo, saqë filloi të dyshonte a thua jam fejuar që në djep, sipas traditës së këtij

vendi, apo jam shitur e blerë në ndonjë treg përmes ndonjë marrëveshjeje “konspirative” dhe

“komplotiste”, si në faqet internetike onllajn, ku bashkohen nevojtarët për marrëdhënie

afatshkurtëra e afatgjata me “më të bukurin/bukurën e dheut”.

Ashtu e traumatizuar dhe e lodhur nga fakti se i duhej bërë hyzmet secilit “zot” që i paraqitej si i

tillë, ajo megjithatë arriti të dëgjonte rrëfime nga më të ndryshmet, për heroizma e vepra

fisnike të paqena, për vepra bujare të koprracëve, të dëgjonte edhe emërtime e titujt të

shpifura: si akademik, profesor, gjeneral, kryetar, komandant, ndërkaq ata dashamirët e saj të

rëndomtë mund t’i shihte vetëm përmes perdeve gri se si mezi pritshin të takoheshin me të. Në

fillim pritja e tyre ishte e lezetshme, edhe pse të përvuajtur, të tmerruar e me shumë plagë,

megjithatë shpresa se një ditë do të takoheshin me të, edhe atë jo për t’i kërkuar hyzmet asaj

por vetëm për t’ia dorëzuar dhuratat që mbanin në duart thatime nga mjerimi e trishtimi i

përjetuar dhe të qëndronin vetëm aq kohë sa për t’ia përcjellur urimet më të sinqerta që

trauma e saj të kaloj sa më shpejtë dhe sa më lehtë.

Deri sa nusja (Kosova e pavarur) iu bënte hyzmet “zotave” të shtëpisë, burrat e Amerikës e

Europës, të cilët edhe e kishin sjellur këtu i jepnin sugjerime për secilin “zot” se çfarë kafe pinë,

çfarë temenaje i duhet bërë dhe çfarë pozite ka e duhet të ketë në raport me të e ndaj saj.

Pa kaluar shumë kohë filluan të hapen dyert e oborrit edhe për dashamirët e rëndomtë, pa tituj

e grada fisnikësh, për t’u takuar me këtë nuse dhe për t’ia dhënë dhuratat modeste dhe urimet

më të përzemërta. Mirëpo aty u vu një rregull i paparë: “zotat” e shtëpisë ishin vendosur në çdo

vend me rëndësi të konakut për t’i “këshilluar” këta dashamirët e rëndomtë se si duhet të

realizohet takimi me nusen.

Njëri iu thoshte: ju duhet t’i thoni se dhuratat që ia keni blerë, janë në fakt nga paratë e bujaria

ime, se vetëm kështu ju do të gëzoni rrespektin dhe hyzmetin e saj.

Tjetri iu thoshte: meqë takimi i juaj me të do të jetë i shkurtër atëhere pjesë e urimit tuaj

patjetër se duhet të jetë edhe sugjerim për nusen që mua të më bëjë më shumë hyzmet e

temena, se ajo ka nevojë të madhe për mua.

Tjetri i këshillonte: meqë unë edhe me duar në xhepa jam më fisniku i këtij vendi dhe nusja do

të jetë më shumë pronë e imja se e juaja, mos ia varni fare as me dhurata e as me urata.

Nuk kaloi shumë kohë dashamirët e rëndomtë u bezdisën nga këto këshilla dhe bojkotonin

takimin me nusen duke e lënë atë në mëshirën e “zotave” që nuk njohin as ligj as zot.

E ardhur nuse e re vetëm para 17 vjetësh, ajo tani duket sikur të jetë një shërbyese e ferrit të

Dantes, me fytyrë të nxirë e me sy të skuqur nga zjarri, tymi e pagjumësia edhe përkundër

tentimeve të kohëpaskohshme që po ndërmerren pa ndonjë sukses të theksuar, nga

dashamirët e saj të vërtetë për ta shpëtuar atë nga kthetrat e “zotave” grabitqarë.

Edhe pse për vite të tëra jetojë duke qenë hyzmeqarë i saj dhe i vizitorëve dhe pronarëve “zota”

të saj, edhe mua më kishte ndodhur, që shërbimi im nuk kishte qenë konformë nevojave të

vërteta të saj e në kohën dhe mënyrën më të duhur për të e shëndetin e saj, meqë “shkëlqimi”

zotave” m’i kishte verbuar sytë e arsyen . Sa shumë ndjejë nevojë të pendohem, t’i kërkoj falje

dhe të lajë gjithë ato mëkate ndaj saj. Lus Zotin e vërtetë që kjo dëshirë dhe ky qëllimi im, tani

më i sinqertë se asnjëherë më parë, të jetë i realizueshëm.




There are no comments

Add yours