editoriali

Shteti social dhe fenomeni humanitaro–politikë.

Spread the love

Shteti social dhe fenomeni humanitaro–politikë.

Bamirësia nuk njeh gjini, kombësi, racë, përkatësi politike apo fetare, por ajo njeh vetëm nevojat e vërteta të qytetarëve duke ia ruajtur vlerat dinitoze humane të një shoqërie.

 

“Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta.”

Na erdhi koha kur liderët, udhëheqësit, kryetarët, politikanët, këngëtarët  dhe klerikët  bëhen super të famshëm dhe të pasur në krahë të të varfërve. Të bësh vepra humanitare është ta ngopësh edhe barkun e një qeni të rrugës,  ani pse atij s’mund t’ia japësh ideologjinë tënde apo s’mund t’ia marrësh votën për të mirën e partisë tënde. Këtë  çështje e kam konstatuar vite me radhë, duke marrë shkasë nga individë dhe OJQ ( Organizatat Jo Qeveritare) të ndryshme të pasluftës të cilat me humanizmin e tyre,  shpërndanin fonde të shumta  dhe i përkrahnin familjet e varfra dhe ato me jetim,  që ishin më të përkushtuara ndaj misionit të humanistëve dhe donatorëve ngase këto familje ishin në njëfarë mënyrë si të detyruar të pasojnë  ideologjitë e tyre fetare dhe pastaj edhe  politike, qofshin ata të krishterë apo musliman.

E drejta ndërkombëtare e përpiluar nga OKB ia garanton se;  “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.  ( Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, neni 1 )  Sipas kësaj deklarate mësojmë se,  çdo njeri gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit të ndryshëm politik, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë dhe vendit të lindjes.

Ky artikull, ka për qëllim të vetëdijesoj  shoqërinë për rëndësinë e ruajtjes së vlerave dinitoze të kombit dhe vendit ku jeton, duke mos  u bërë prototipa të së keqes nëpër botë dhe duke mos e keqpërdorë dobësinë e njëri tjetrit, këtë rast gjendjen e varfërisë për interesat, famën dhe të mirat që mund ti arrijë një humanist në krahë të të varfërve. Pos kësaj duhet të jemi në njohuri, se ka të tillë të varfër të cilët në disa raste nuk janë të varfër sa bëhen të varfër, ngase ka shumë vëllezër që jetojnë me hisen e motrës, gjersa motra bëhet raste social dhe nuk ka atë të drejtë që ta ketë trashëgimin pra të drejtën e vet dhe të i ndihmojë fëmijëve dhe bashkëshortit të saj, i cili ndoshta është i sëmur apo i pa aftë për punë.

 

Mund të pyesni, pse në kategorinë e të varfërve i numërova vetëm të sëmurët dhe ata të paaftët për punë? Sepse, ka shumë të varfër që e paraqesin veten si të tillë, që janë më të gatshëm të i përdhosin vlerat e veta dinitoze aq sa i kanë dhe tërë ditën të kryejnë punë lypsari se sa të e kryej një punë me nderë qoftë edhe ajo pastrim apo një punë ditore krahu.

Mendimi apo kritika ime e shëndosh  dhe konstruktive është që t’i ruajmë vlerat dinitoze të qytetarëve tonë të varfërve e sidomos fëmijëve të cilët ekspozohen para objektivit të kamerave, ndoshta me lejen e prindërve por me siguri pa dëshirën e tyre, ngase natyra e fëmijëve ndryshon nga njëri tjetri.

Qëllim im kryesor është që ne si përfaqësues të një mase të shoqërisë, këtë rast si humanist nëpër shoqata e fondacione,  nuk duhet t’i poshtërojmë të varfëritë duke i reklamuar nëpër rrjete sociale, sepse nëse ekspozojmë fytyrat e fëmijëve dhe grave, atëherë i kemi marrë në qafë, ngase kemi  krijuar poshtërim, nënçmim në shoqëri dhe një ndjenjë inferioriteti tek fëmija duke ia drejtuar objektivin e kamerës drejtë në sy për t’ia nxjerr me zor një pik loti përmes së cilit lot e poshtërim,  të tjerët në këtë rast humanistët  krijojnë situata dramaturgjike  dhe përfitime personale si dhe e shumëzojnë varfërinë sepse shpresat drejtohen tek një person e jo tek vetëbesimi dhe tek e drejta e tij që duhet ta kërkojë në vend të duhur institucional shtetëror,  e jo në organizata joqeveritare. Me këtë mënyrë të ofrimit të ndihmës humanitare  ne e shumëzojmë varfërinë, krijojmë njerëz të varur me ndjenjën se janë shtresë e pavlerë në shoqëri dhe kështu pra krijohet edhe fenomeni i dembelisë dhe rritet papunësia.

Humanistët dhe donatorët duke menduar se bëjnë vepra të mira, ata më shumë bëjnë krime njerëzore duke e mbytur një personalitet të një fëmiju apo gruaje të cilët  nesër do të ndjehet e pavlerë dhe me plot komplekse për shkak një donacioni bamirësie që iu dha dhe për të cilën kishte nevojë, por jo edhe për tu filmuar dhe nënçmuar veten dhe familjen.

Prandaj, brenga dhe këshilla ime është se duhet pasur kujdes me nderin e të tjerëve,  mos të luajmë me ndjenjat, dëshirat dhe të fshehtat e turpshme të të tjerëve, sepse veprimet tona më shumë mund ta lëndojnë shoqërinë ( këtë rast një familje të varfër ) se sa ajo ndihmë që mund ti zgjedh një problem të përkohshëm.

Ne qytetarët e Kosovës çdo ditë kryejmë obligimet tona me dhënien e taksave, tatimeve,  kontribute të ndryshme  si ato pensionale, shëndetësore, gjithashtu me dhënien e zekatit dhe sadakeve në Bashkësitë Islame  dhe Krishtere, me taksat doganore, me tatimet në biznese e shumë kontribute tjera,  ne pra  i kryejmë obligimet ndaj këtij shteti në mënyrë që komuniteti i varfër e ka të drejtën që duhet ta marrë nga institucionet përkatëse shtetërore në mënyrë më të duhur dhe më të drejtë duke i ruajtur vlerat dinitoze dhe psiko sociale të familjeve dhe shoqërisë së gjerë.

Çfarë të bëjmë?

Shtohet pyetja, çfarë të bëjmë nëse këto të hyra dhe kontributet tona nuk menaxhohen mirë nga institucionet përkatëse shtetërore. Mos menaxhimi i mirë i Thesarit të Kosovës, nuk është vetëm faji i qeveritarëve, sepse në çdo shtet ka njerëz e udhëheqës të korruptuar dhe të pa përgjegjshëm e të pa vetëdijshëm për dëmet kolektive që mund ti shkaktojë  ai si një lider apo deputet i zgjedhur i asaj shoqërie. Prandaj,  gjendja jonë nuk ndryshon nëse ne nuk i ndryshojmë konditat, ligjet, normat, pra nëse ekspertët e lëmive psiko-sociale nuk punojnë për ngritjen e kapaciteteve,  duke ofruar drafte, plane të mençura, punë me projekte më efikase, duke e ngritë vetëdijen dhe ndërgjegjen kolektive,  duke e mësuar shoqërinë se taksat dhe kontributet tona nuk janë vetëm për jetësimin e nevojave jetike të të të varfërve, apo për pagat e majme të atyre që e mbajnë qeverinë dhe drejtësinë, por këto taksa janë të parapara për krijimin e një qeverie e cila nuk mendon vetëm për pozitat e qeveritarëve, dhe partive politike, por mendon për një krijim të një qeverie të mirëfilltë, e cili brengoset  për sigurimin e të ardhurave për një shtet demokratik me mirëqenie afatgjate më të mirë dhe të begatshme.

Si ta ngrisim zërin?

Tani shtohet pyetja,  si ta ngrisim zërin tonë kundër këtyre padrejtësive, dhe sëmundjeve sociale, si ta vetëdijesojmë shoqërinë tonë?   Përgjigjja dhe mendimi im është se për këtë rast dhe për këto punë humanitare, përgjegjësia bie tek prijësit e drejtë, edukatorët, klerikët  dhe dijetarë ekspert të fushave sociale, sepse këta janë të obliguar që së bashku me popullin ta luftojnë monopolin e mizorëve dhe ti luftojnë metodat dhe mashtrimet e tyre të paligjshme,  të mos lejojnë rritjen e varfërisë dhe të privuarëve nga të drejtat e tyre. Këta edukatorë dhe ekspert gjithashtu duhet ta mësojnë njerëzinë, si ta kërkojnë të drejtën e punës dhe strehimit nga ana e shtetit e jo nga ana e bamirësive, të cilët bamirës shumtën e rasteve këto bamirësi nuk i ndajnë me drejtësi dhe nuk kanë kritere të drejta se kujt ti takojë ajo bamirësi, plus asaj donacionet e bamirësive joqeveritare  nuk janë gjithmonë të natyrës humanitare por kanë arsyet e veta fetare dhe politike.

Ne duhet të ngrisim zërin, kundër padrejtësive sociale në përgjithësi si edhe padrejtësive  të partive politike, sepse figurat e krijuara humaniste e kanë në dorë votën e atyre dhe të familjarëve të tyre që iu ka bërë një ndihmë të vogël apo të madhe. Kjo i bie shkurt e shqip se, bashkëpunimi i ngushtë i humanistëve me figura politike, si me kryetarë e lider të ndryshëm partiak, bënë që fondet humanitare në mënyra indirekte t’i favorizojnë partitë politike pas një foto rasti e prapa saj çfarë fshihet ne nuk jemi në dijeni.

Rezultat i këtij fenomeni huanitaro-politik është mëse i dukshëm dhe eminent, sepse kemi raste kur nga një këngëtarë i cili bëhet humanist duke i tubuar parat fondet si lypsar, e jo duke dhënë pasurin e vet personale, të nesërmen në zgjedhjet parlamentare e lokale, votat i marrinë pa meritë partitë dhe deputetët të cilët nuk kanë njohuri për udhëheqje të shtetit dhe zgjedhje të probleme shoqërore. Por,  më e keqja e kësaj është se bëhet diskriminim i dyfishtë, sepse popullin e udhëheqin njerëz me vota të të varfërve, të cilët kanë një shkollim të mesëm kanë diploma të blera, ndërsa klasa intelektuale që kanë kryer shkollime të larta master e doktoratur, këta ose duhet të punojnë jashtë profesionit të vetë për të mbijetuar ose duhet të marrin rrugët e migrimit nëpër botë.

Prandaj,  unë them se përmes humanitetit, bamirësive me kritere jo reale ne e diskriminojmë popullatën e tërë qoftë nga aspekti i sigurisë,  strehimit, punës dhe shëndetësisë qoftë nga aspekti i votës dhe mirëqenies politike të shtetit tonë Republikës së Kosovës.

Në qoftë se  qeveria jonë do ti kishte menaxhuar më mirë Thesarin e Kosovës i cili  mbahet nga taksat dhe të ardhurat e qytetarëve, bizneseve, ndihmave ndërkombëtare, atëherë çdo i pastrehë, duhet të jetë brengë e qeverisë dhe çdo i sëmurë, do të ishte brengë e Ministrisë së Shëndetësisë, e pastaj, kur një shtet kujdeset për qytetarët e tij në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, atëherë edhe vota e qytetarit do të ishte më e drejt, më e sinqertë, më e merituar dhe kështu Kosova do të ecë përpara me shumë bukuri, paqe, harmoni, begati, lumturi dhe mirëqenie sociale.

Shteti duhet t’i ketë instrumentet matëse për stabilizimin dhe barazimin e mundshëm të  klasave në shoqëri. Shteti duhet të i monitorojë dhe ti ketë në kontroll të gjitha aktivitetet qofshin edhe ato humanitare. Përgjegjësinë për gjendjen e mjerueshme të qytetarëve duhet ta marrin përsipër institucionet shtetërore, siç janë, Ministria për Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë,  Ministria e Punëve të Jashtme, në mënyrë që ambasadat tona nëpër botë ku ka emigrantë shqiptarë, ato të përfaqësojnë dhe tubojnë bamirësitë e emigrantëve përmes ministrive apo departamenteve përkatëse  të të dyja shteteve.  Kjo do të ishte puna më e mirë dhe e mbarë,  edhe për qytetarët edhe për qeveritarët të cilët në mënyrë institucionale nuk do ti lejojnë që familjet e varfra kosovare të poshtërohen, nënçmohen dhe bëhen inferiorë për shkak ndihmave që ua japin personat që kanë krijuar autoritet në baza fetare apo politike.

Me një fjalë bamirësia nuk njeh gjini, kombësi, racë, përkatësi politike apo fetare por bamirësia njehë vetëm nevojat e vërteta të qytetarëve,  duke ia ruajtur vlerat dinitoze humane të një shoqërie.

Gjithashtu unë mendoj se, sa i përket ligjeve dhe normave qytetare,  ekspertët e jurispodencës duhet t’i rishikojnë dhe modifikojnë ligjet në mënyrë më të përshtatshme, aty ku munden , duke filluar prej të drejtës së trashëgimisë si faktorë kryesor i barazisë gjinore, i cili ligj mëse 20 vite ka treguar rezultate minimale në përmirësim e kësaj situate të pa lakmueshme që janë dhënë projekte dhe shuma marramendëse të financuara nga organizatat e huaja që na kanë përkrahur në kohë më të vështira që nga paslufta e deri më sot, e me theks të veçantë duhet përmendur USAID-in  që punojnë për të na avansuar shoqërinë tonë  në shumë programe e projekte për çështje të trashëgimisë si problem kyç për arritjen e barazisë gjinore. Por, për fat të keq ne si monitorues të projekteve nuk kemi arritur pothuajse aspak rezultate në këtë lëmi të drejtës së pronës dhe trashëgimisë për gratë e Kosovës.

Për këtë tematik do të shkruaj dhe flasë herëve tjera.

Autor: Ikballe Berisha Huduti

Janar 2021.