Të folurit e fjalëve të turpshme
Prof.Dr. Ibarahim Emini
“Besimtari (mu’mini) nuk tallet, nuk kritikon, nuk fajëson dhe nuk flet keq për të tjerët”
Përdorimi i fjalëve të këqija dhe të folurit e fjalëve të turpshme është një shprehi e keqe. Personat që i përdorin sharjet duke folur çfarëdo që u bie ndërmend, rrallë u përmbahen fjalëve të folura. Ata e ndryshojnë shumë shpesh mendjen e tyre. Ata i përdorin fjalët e këqija dhe i gjejnë të metat e të tjerëve pa pasur ndonjë arsye për këtë. Ata u shkaktojnë lëndime të tjerëve përmes fjalëve të tyre të papërgjegjshme. Përdorimi i fjalëve të këqija është haram dhe konsiderohet një mëkat i madh. I Dërguari i Islamit, ka thënë:
“Allahu ua ka ndaluar Xhenetin atyre që i përdorin lapërdhitë. Po ashtu, ekziston edhe mallkimi ndaj atyre që shajnë, që janë të paturpshëm dhe të pafytyrë, dhe atyre do t’u ndalohet hyrja në Xhenet. Çkado që personat e tillë flasin për të tjerët, e bëjnë këtë pa penduar dhe asnjëherë nuk mërziten për atë se çfarë mendimi kanë të tjerët për të” (Usul el-Kafi, vëll. 2, f. 323).
Imam Xha’fer Sadiku ka thënë: “Mallkimi, sharja dhe paturpësia janë shenjat e hipokrizisë (nifak) dhe të pabesimit” (Usul el-Kafi, vëll. 2, f. 325).
Allahu thotë në Kuranin e Shenjtë: “Mjerë për ata që flasin për dobësitë e të tjerëve dhe kënaqen duke i përqeshur të tjerët” (Surja el-Humeze, ajeti 1).
Personat që i përdorin sharjet, në përgjithësi janë inferior dhe mendjengushtë. Ata i përfitojnë armiqtë përmes të folurit të tyre të pamatur. Njerëzit i urrejtnë ata. Ata mundohen të rrinë larg prej tyre dhe i shmangen shoqërimit të tyre. I Dërguari i Islamit, ka thënë: “Më i keqi ndër njerëzit është ai, fjalët e të cilit nuk pëlqehen nga të tjerët dhe nga takimi i të cilit i shmangen” (Usul el-Kafi, vëll. 2, f. 325).
Imam Xha’fer Sadiku, ka thënë: “Kur njerëzit nuk duan as t’i dëgjojnë fjalët e një personi, fati i tij do të jetë Xhenenemi!” (Usul el-Kafi, vëll. 2, f. 327).
I Dërguari i Islamit, ka thënë: “Besimtari (mu’mini) nuk tallet, nuk kritikon, nuk fajëson dhe nuk flet keq për të tjerët” (El-Mehajjat el-Bejda, vëll. 3, f. 127).
Sipas natyrës, fëmija nuk është i prirë për fjalët e turpshme. Ai mund ta mësojë këtë prej prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve dhe duke luajtur në shkollë. Por, ndikimi më i madh do të jetë prej qëndrimit të prindërve. Prindërit mund të jenë shembulli më me ndikim për fëmijët. Prindërit jo vetëm që janë përgjegjës për sjelljen e tyre, por kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme për trajnimin e duhur të fëmijëve të tyre. Prindërit janë ata që ose i bëjnë fëmijët të sjellshëm e të butë, ose të pafytyrë. Disa prindër, duke bërë shaka apo kur janë të zemëruar u flasin fëmijëve të tyre fjalë të këqija. Në këtë mënyrë, ata u japin një trajnim të gabuar fëmijëve të tyre. Janë disa shtëpi ku përdorimi i fjalëve të këqija është praktikë e rëndomtë.
‘Biri i qenit’, ‘nëna e qenit’, ‘idiot’, ‘budalla’, ‘gomar i pandjenjë’, ‘shtazë’, ‘i paturp’ dhe disa fjalë të tjera janë emrat që i emërtojnë njëri-tjetrin personat e shtëpisë gjatë bërjes së shakasë apo gjatë zemërimit.
Prindërit, detyra e të cilëve është parandalimi i gabimeve të fëmijëve të tyre, vetë janë duke kryer vepra të tilla të gabuara dhe duke i inkurajuar fëmijët që ta ndjekin shembullin e tyre. Ata e fyejnë dhe e shajnë njëri-tjetrin përpara fëmijëve, pa menduar për pasojat.
Prindërit i përqeshin fëmijët dhe e përdorin gjuhën e pamoralshme me ata. Si mund të presin prindërit e tij që fëmijët e tyre të rriten në persona miqësorë dhe të respektuar. Ata duhet të kuptojnë se fëmija mund të tregohet edhe më i keq sesa vetë ata. Ata duhet të mbajnë në mend se herët apo vonë do të shohin se fëmija është duke e përdorur gjuhën e njëjtë që e ka dëgjuar sa e sa herë prej prindërve të tij. Pastaj, asnjë sasi e predikimit apo e rrahjes nuk mund ta reformojë fëmijën. Mjeti më i mirë i shërimit është që prindërit së pari ta reformojnë me kohë vetveten para se të bëhet tepër vonë.
Shumë herë, fëmija e mëson këtë shprehi të keqe prej shokëve të tij. Prindërit duhet t’i mbajnë të hapur sytë dhe veshët e tyre ndaj sjelljeve të tilla te fëmijët e tyre dhe ta evitojnë para se të lëshojnë rrënjë. Ata duhet të kërkojnë prej fëmijëve të tyre që të mos shoqërohen shumë me fëmijët e tillë.
Nëse vëreni se fëmija juaj është duke i shqiptuar fjalët e tilla fyese, atëherë mos qeshni dhe mos rrini të qetë. Edhe përmes britmës dhe kërcënimeve situata e tillë nuk mund të tejkalohet. Kjo metodë mund të dështojë. Mënyra më e mirë për të korrigjuar fëmijën është biseda e butë me fëmijën dhe shpjegimi për efektet e këqija të përdorimit të fjalëve të këqija.