1516502073563.jpg.832x569_q80_box-0,43,800,517_upscale

Fatime Zahraja në Kur’an

Spread the love

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fatimeja është quajtur Fatime sepse Allahu e ka mbrojtur nga zjarri atë dhe ata që e duan atë.” (“Dhekhairul Ukba”, faqe 26).

Në një hadith tjetër profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Alllahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fatimeja është një pjesë e imja. Ai që e zemëron atë, më ka zemëruar mua.” (“Sahijhu Bukharij”, 5: 92/209 dhe 150/255. “Sahijhu Muslim”, 4: 1902/93-2449.)

Fatimeja (paqja qoftë mbi të!) është vajza e të Dërguarit më madhështor, Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Bashkëshortja e imamit më të devotshëm e më trim, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). E ëma e dy borzilokëve dhe e dy zotërinjëve të të rinjve të banorëve të Xhennetit, imam Hasani dhe imam Huseini (paqja qoftë mbi ata të dy!). Nëna e imamëve të pastër e të drejtë prej Ehli Bejtit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Ajo është e bija e nënës së besimtarëve, hazreti Hatixheja (paqja qoftë mbi të!), e cila shpenzoi të gjithë pasurinë e saj për përhapjen e Mesazhit të pastër e të ndritur islam. Fatime Zahraja ka qenë vajza e vogël e shtëpisë profetike. Ajo është drita vezulluese e Mesazhit të fundit qiellor. Jetëshkrimi i saj është i pandarë me historinë islame. Zonja Fatime Zahra (paqja qoftë mbi të!) lindi tetë vite para hixhretit dhe ndërroi jetë disa muaj pas vdekjes së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Fatimeja ka një pozitë të lartë në Islam. Të shumta janë edhe thëniet e Profetit Muhamed, të shënuara në literaturat islame, Sunite dhe Shiite, që flasin për hazreti Fatimenë, për virtytet e larta të Fatime Zahrasë, për devotshmërinë e saj, për adhurimin e saj, për moralin e saj, për sakrificat e saj etj. Të gjithë musimanët janë të një mendimi se ajo është zonja e grave të botëve. Përderisa është e tillë, duhet që të gjitha femrat në botë, dhe jo vetëm muslimanet, ta marrin shembull Fatime Zahranë në jetën e tyre të përditshme.

Historianët dhe komentuesit e Kur’anit kanë përmendur në librat e tyre shumë ajete që kanë zbritur për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!) duke dëshmuar përparësinë e tyre dhe duke përforcuar thirrjen për ndjekjen dhe pasimin e Ehli Bejtit, jo se ata janë thjesht pasardhësit e profetit Muhamed, por sepse ata qëndrojnë më lart se të tjerët në dije, në adhurim, në përkushtim, në trimëri e në devotshmëri. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ne jemi Ehli Bejti dhe nuk matet askush me ne.” (“El Firdeus” i Dejlemijut, 4: 283/6838. “Dhekhairul Ukba”, 17. “Kenzul Ummal”, 6: 218. “Kunuzul Hakaik” i Abdu Rrauf El Munauij, 153. “Feraidu Simtejn”, 1: 45.)

Transmetohet nga prijësi i besimtarëve (paqja qoftë mbi të!)i cili ka thënë: “Ne jemi shtëpia e profetësisë, minerali i urtësisë, siguri për banorët e Tokës dhe shpëtimtarë të atyre që kërkojnë shpëtim.” (“Nethru Durer”, 1: 310)

Kur’ani i Shenjtë i lavdëron dhe i vlerëson njerëzit punëmirë e të devotshëm dhe ata që përpiqen në rrugën e të vërtetës e të drejtës. Prej atyre është edhe Ehli Bejti i Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) në suren Keuther

Në Kur’anin e shenjtë gjendet një sure me emrin “Keuther”. Allahu i Madhëruar thotë në këtë sure: “Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira, prandaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.”

Fjala “Keuther” ka kuptimin e të gjitha të mirave që Allahu i ka dhënë profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Komentuesit e Kur’anit theksojnë se kjo sure ka zbritur për Fatime Zahranë (paqja qoftë mbi të!). Ajeti i fundit i kësaj sureje tregon qartazi se mirësia e madhe ka lidhje me pasardhësit e shumtë e të vazhdueshëm. Të gjithë muslimanët e dinë se pasardhësit e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) vazhduan nëpërmjet vajzës së tij Fatime Zahrasë. Fatime Zahraja është Keutheri i Mesazhit islam.

Komentuesit përmendin se Ãas ibn Uail u thoshte kurejshitëve: Muhamedi është fatprerë se ai nuk ka djalë që ta trashëgojë atë pas tij. Kur të vdesë, do të zhduket përmendja e tij.

Fakhri Raziu në komentimin e tij, “El Kebijr”, thotë se kuptimi i fjalës “keuther” në këtë ajet është për fëmijët, sepse kjo sure ka zbritur si përgjigje për ata që thanë se Profeti nuk ka pasardhës. Por, Allahu i Plotfuqishëm i dha profetit pasardhës nëpërmjet vajzës së tij, Fatime Zahrasë (paqja qoftë mbi të!) dhe këta pasardhës do të jeë të pranishëm në çdo kohë dhe në çdo vend.

Në historinë islame lexojmë që imamët e Ehli Bejtit u vranë e u helmuan nga duart e dinastisë emevite dhe abasite, të cilat vranë shumë nga pasuesit e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi të). E megjithatë, bota është e mbushur me pasardhës të tyre. Pra, në suren Keuther dëshmohet qartë se fatprerë janë armiqtë e Profetit dhe të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!).

Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) në suren “Insan”

Hasani dhe Huseini, djemtë e imam Aliut dhe të Fatimesë (paqja qoftë mbi ta!) u sëmurën. Profeti Muhamed së bashku me disa njerëz të tjerë shkuan për t’i vizituar. Ata i thanë imam Aliut: “O babai i Hasanit. Bëj një premtim për fëmijtë e tu.” Imam Aliu së bashku me Fatime dhe Fiddatu, shërbëtorja e shtëpisë së tyre, bënë premtim se po të shërohen Hasani dhe Huseini, ata do të agjërojnë tri ditë. Ata të dy u shëruan. Imam Aliu mori elb borxh nga Shem’un El Khajberij. Fatimeja e bluajti një pjesë të tij dhe gatoi pesë kuleçë. Erdhi koha e iftarit. Ata u ulën të hanë iftar. Në ato çaste dikush troket në derën e shtëpisë së tyre dhe tha: Paqja qoftë mbi ju o familja e Muhamedit! Unë jam një i mjerë prej mjeranëve të Medines. Më ushqeni Allahu ju ushqeftë me ushqimet e Xhennetit. Ata ia dhanë atij ushqimin dhe nuk hëngrën asgjë. Ata pinë vetëm ujë. Ditën e dytë vazhduan agjërimin. Në kohën e iftarit u ulën për të ngrënë dhe në ato çaste te ata shkon një jetim. Ata ja dhanë atij ushqimin dhe nuk hëngrën asgjë. Vetëm pinë ujë. Edhe ditën e tretë në kohën e iftarit te ata shkoi një rob i liruar dhe ata ia dhanë atij ushqimin. Kështu ata qëndruan për tri ditë pa ngrënë. Imam Aliu mori përdore dy djemtë e tij Hasani dhe Huseinin dhe shkuan te i Dërguari i Allahut. Kur ai i pa ata që dridheshin si zogjtë nga uria tha: “U bëra keq kur pashë gjendjen tuaj” Profeti, sëbashku me Aliun Hasani dhe Huseinin shkuan te shtëpia e Fatimesë. Ai e pa Fatimenë në vendfalje dhe barku i saj ishte ngjitur me shpinën e saj dhe sytë i lotonin. Profeti u ndie keq. Në ato momente zbriti Xhebraili dhe i tha: “Merre këtë o Muhamed. Allahu të uron për Ehli Bejtin që ke.” Pastaj i lexoi ajetet e suren Insan: “Sigurisht, të ndershmit besimtarë do të pinë (në Xhenet) kupa me pije të përzier me Kafur, nga burimi që vetëm robtë e Allahut pinë dhe të cilin mund ta çojnë nga të duan. Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund. Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.” E Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim. Dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.” (Sure “Insan”, ajetet 5-12)

Në këtë ajet gjendet dëshmi e Allahut se Fatime Zahraja është prej besimtarëve të lartë e të devotshëm, të cilët do të pinë kupa me pije të përzier me Kafur (pije në Xhennet). Fatimeja e zbatoi premtimin dhe i frikësohet Ditës, tmerri i së cilës do të përhapet kudo. Ajo ushqeu të tjerët për hir të Allahut dhe të dashurisë së Tij, edhe pse vetë kishte nevojë. Ajo i ushqeu të tjerët pa kërkuar asnjë shpërblim e falënderim. Ajo së bashku me bashkëshortin e saj, me dy fëmijët e saj dhe shërbyesen e saj duruan tri ditë për hir të Allahut. Ata janë, njerëzit që Allahu do t’i ruajë nga tmerri dhe frika e Ditës së Gjykimit dhe t’u japë gëzim e shkëlqim. Për shkak të durimit të saj dhe të tyre, Allahu do t’i shpërblejë me Xhennet dhe me veshje të mëndafshta. (Shih komentimet: “El Keshshaf” i Zamakhshariut, “Eth Tha’lebij” në tefsirin e tij “El Kebijr”, Usdul gabeh, 5/530, tefsirul Kebijr i Fakhru Raziut.). A nuk e meritojnë këta njerëz të pastër që të duhen dhe të pasohen? Pa dyshim që e meritojnë.

Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) në ajetin e pastrimit

Ajeti i pastrimit i zbriti profetit Muhamed në shtëpinë e Ummu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Në atë kohë Profeti ftoi dy nipërit e tij, Hasanin dhe Huseinin, babain e tyre, imam Aliun dhe nënën e tyre, Fatime Zahranë. Pastaj i mbuloi ata dhe veten e tij me një mantel për t’i dalluar ata nga të tjerët dhe nga gratë e tij. Atëherë zbriti ajeti: “…O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Sure “Azab”, ajeti 33).

Për të sqaruar më shumë pozitën e Ehli Bejtit të tij (paqja qoftë mbi ta!) Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk u mjaftua vetëm me kaq. Ai e nxorri dorën e tij nga mantel, e ngriti drejt qiellit dhe tha: “O Zoti im! Këta janë Ehli Bejti im dhe të afërmit e mi të ngushtë! Largo prej tyre papastërtitë dhe pastroji plotësisht ata!” Ai e përsëriste dhe Ummu Selemeh e dëgjonte dhe shikonte. Ajo u afrua që të hynte nën mantel dhe i tha: “Po unë, a jam me ta, o i Dërguari i Allahut?” Dhe ai i thotë: “Me të vërtetë, ti je për të mirë.” (“Sahihu Muslim, Kitabul Fadailu Sahabe”, “Mustedreku Sahihejn”, 3/147, “Ed Durr’rrul Menthur fi tefsiri ajeti Tat’hiri”, Tefsir “Tabari”:22/5, “Sahih Tirmidhij”: 5/hadithi 3787.)

Pas kësaj ndodhie, i Dërguari i Allahut kalonte çdo sabah para shtëpisë së Fatimesë dhe thoshte: “Namaz o Ehli Bejt. “…O Familja e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” Këtë e bëri për gjashtë apo tetë muaj me radhë. (“Musned Ahmed”: 6/292 dhe 304; “Usdul Gabeh”, 4/29; “Tehdhibu Tehdhib”: 2/258.)

Pra, hazreti Fatimeja (paqja qoftë mbi të!) është e pastër e dëlirë nga gjynahet dhe mëkatet. A nuk e meriton kjo grua e pastër dhe e dëlirë që të merret shembull nga të gjitha gratë e botës? Sigurisht që po.

Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) në ajetin e dashurisë (meuddetu)

Xhabir Abdullah El Ensarij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka transmetuar se një beduin shkoi te Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mi familjen e tij!) dhe i tha: “O Muhamed! Ma prezanto mua Islamin.” Profeti i tha: “Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Vetëm e i Pashoq dhe se Muhamedi është rob i Tij dhe i Dërguari i Tij.” Beduni i tha: “A më kërkon shpërblim për këtë?” Profeti i tha: “Jo. Shpërblim kërkoj vetëm për dashurinë për të afërmit.” Beduini i tha: “Për të afërmit e mi apo të afërmit e tu?” Profeti i tha: “Për të afërmit e mi.” Beduini i tha: “Eja të të jap besën. Mallkimi i Allahut qoftë mbi atë që nuk të don ty dhe as të afërmit e tu.” Profeti tha: “Amin.”

Zamakhshariu thotë në komentimin e tij “el Keshshaf” se kur ka zbritur ky ajet Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i kanë thënë: “O i Dërguari i Allahut! Kush janë të afërmit e tu për të cilët e ke bërë detyrë dashurinë e tyre për ne?” Ai u tha: “Aliu, Fatimeja dhe dy djemtë e tyre.” (Tefsiru “El Keshshaf”, komentimi i ajetit në fjalë; Tefsiru “El Kebijr” i Fakhru Raziut; “Ed Durr’rrul Menthur”, i Sujutit, “Dhekhaiurl Ukba”: 35.)

Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) në ajetin e Mubahele (lutje për mallkim)

Të gjithë muslimanët janë të një mendimi se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk ka ftuar asnjë njeri tjetër në ndodhinë e Mubahele-s, me delegacioni e të krishterëve nga Nexhrani, përveçse hazreti Fatimenë (paqja qoftë mbi të!), dy borzilokët e tij, Hasani dhe Huseinin dhe vëllain e tij imam Aliun (paqja qoftë mbi të!), që ishte te ai (profeti) në atë pozitë siç ishte Haruni te Musai (paqja e Allahut qoftë mbi ta!). (“Sahijhu Muslim”, 4: 1871; “Sunenu Tirmidhij”, 5: 225/2999; “Mesabijhu Sunneh”, 4: 183/4795; “El Kamilu fi Tarijkh”, 2: 293; “Esbabu Nuzul i Uahidijut”: 60; “Tefsijru Razij”, 8: 81; “Tefsijru Zemakhsherij”, 1: 368.)

I Dërguari i Allahut i ftoi të krishterët e Nexhranit në lutje për mallkim (mubahele), siç thotë edhe ky ajet i bekuar. Rezultati i saj ishte se ai e hodhi poshtë pretendimin e delegacionit të krishterë që kishin rreth hazreti Isait (paqja e Allahut qoftë mbi të!) duke ua mbyllur gojën me argumente dhe me fakte.

Në kohën e kësaj ndodhie, gratë e profetit ndodheshin në dhomat e tij, por profeti nuk ftoi asnjërën prej tyre dhe asnjë prej muhaxhirëve e as prej ensarëve. Askënd prej fëmijëve të hashimitëve e as të sahabëve. Askënd nga fisi i tij e nga të afërmit e tij. Në atë ndodhi ishin vetëm Ehli Bejti i tij i pastër e i dëlirë. Fatimeja (paqja qoftë mbi të!) përfaqësonte gratë e muslimanëve, Hasani dhe Huseini përfaqësonin bijtë e muslimanëve, kurse imam Aliu dhe profeti ishin një vetë e përbashkët. Këtë e thotë edhe ajeti: “E kush të kundërshton ty në çështjen e tij, Isait, pasi të është bërë e ditur e vërteta, t’i thuaj: ‘Ejani, t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej, sinqerisht të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” Sure “Ali Imran”, ajeti 61.)

I Dërguari, kur u pyet për këtë zgjedhje, është përgjigjur: “Sikur ta dinte Allahu se në Tokë ka njerëz më fisnikë se Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni, do të më urdhëronte mua që të bëja lutje për mallkim me ta, por më urdhëroi mua që të lutem për mallkim me këta dhe me këta triumfova mbi të krishterët.”

Kur të krishterët e panë profetin dhe Ehli Bejtin e tij, i pari i tyre tha: “Unë po shoh fytyra të cilat nëse i kërkojnë Allahut që ta zhdukë malin, Ai do ta zhdukë atë për hir të tyre. Prandaj, mos bëni lutje për mallkim sepse në Tokë nuk do të mbetet asnjë i krishterë deri në Ditën e Kijametit.” (“Sahihu Muslim”, Kitub Fadailu Sahabe; “El Keshshaf” i Zamakhshariut, kometimi i ajetit 61 të sures “Ali Imran”.)

Ky ajet dëshmon për pozitën e lartë të Fatime Zahrasë (paqja qoftë mbi të!) te Allahu i Lartësuar. Fatimeja është dritë, sepse është pjesë e dritës së pashuar, të cilin Allahu e dërgoi mëshirë për të gjitha krijesat dhe ai është Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahu qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Është detyrë e muslimanëve në përgjithësi dhe e nënave dhe e motrave muslimanë në veçanti, që të ndriçohen me dritëbn e Fatime Zahrasë duke e marrë atë model në jetën e tyre të përditshme. Fatime Zahraja është simboli i pastërtisë, i ndershmërisë, i dëvotshmërisë, e adhurimit dhe i jetës bashkëshortore.

Paqja e Allahut qoftë mbi Fatime Zahranë ditën që lindi!

Paqja e Allahut qoftë mbi Fatime Zahranë ditën që u nda nga kjo jetë!

Paqja e Allahut qoftë mbi Fatime Zahranë ditën që do të ringjallet!

O Allahu ynë! Na bashko me Fatime Zahranë, me babanë e saj, me bashkëshortin e saj dhe me imamët e Ehli Bejtit në Jetën Tjetër./mediaelire/




There are no comments

Add yours