
Fjalimet dhe qëndrimi i Hz. Zejnebes
Fjalimet elokuente të Hz. Zejnebes dhe sjelljet e saj të jashtëzakonshme në Qerbela dëshmojnë për rangun e lartë të dorëzimit të saj ndaj vullnetit të Allahut të Lartësuar. Ky nivel i dorëzimit është ndër cilësitë kryesore të profetëve dhe imamëve të shenjtë.
Jeta jonë duhet të frymëzohet nga shembulli i Hz. Zejnebes. Nëse drita e saj nuk do të ishte burim force për zemrën, mendjen dhe shpirtin tim, atëherë dhimbjet e mia të jetës – veçanërisht ato të përjetuara gjatë burgimit tim në Kosovë në janar 2021 – do të më kishin gjunjëzuar.
Por drita dhe shembulli i Hz. Zejnebes më ndihmuan të qëndroj e fortë. Ajo ishte “rol model” për mua, dhe falë saj nuk ndjeva dhimbjen e padrejtësive.
Roli i Zejnebes në rezistencën time
Në muajt e ftohtë të janarit, kur u arrestova për shprehjen e mendimit tim lidhur me rastin e martirizimit të gjeneralit Qasem Sulejmani, unë nuk ndjeva robërinë dhe vetminë. Guximi dhe krenaria e Hz. Zejnebes ishin udhërrëfyesit e mi. Unë kam thënë dhe do të vazhdoj të them se dhuna sjell vetëm dhunë dhe se paqja nuk arrihet me luftë, por me dialog dhe negociata. Këtë e kam mësuar nga Hz. Zejnebja dhe familja e saj.
Historia dhe mësimet e Hz. Zejnebes
Hz. Zejnebja u rrit pranë nënës së saj, Hz. Fatime Zehra, e cila i jepte një mësim të pashlyeshëm për drejtësinë dhe sakrificën. Në kasollen e vajtimit, Zejnebja mësoi mbi padrejtësitë e kohës dhe mbi përgjegjësinë e saj për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën.
Por a është e mjaftueshme që ne vetëm të njohim historinë e saj? A nuk është detyra jonë të veprojmë në frymën e Hz. Zejnebes për të mbrojtur të drejtat tona dhe të të tjerëve?
Angazhimi ynë sot
Ne, pasueset e Hz. Zejnebes, nuk duhet të jetojmë vetëm në histori, por duhet të manifestojmë fitoret e saj në përditshmërinë tonë. Historia pa veprim harrohet dhe nuk lexohet.
Misioni ynë duhet të jetë i qartë dhe i lidhur me ideale madhështore. Ideali im është drejtësia dhe paqja, të cilat kanë qenë burim frymëzimi për veprimet e mia. Padrejtësitë që kam përjetuar – që nga vendosja e hixhabit në një kohë kur kjo ishte e ndaluar në Jugosllavi – më kanë bërë më të vetëdijshme për rolin tim si grua myslimane.
Fuqia e Ehli Bejtit dhe inspirimi nga Naim Frashëri
Kur e zbulova Ehli Bejtin përmes shkrimeve të Naim Frashërit, kuptova se kush ishte Hz. Fatime dhe Hz. Zejnebja. Poema “Qerbelaja” më bëri të ndërgjegjshme për sakrificat dhe qëndrimin e Hz. Zejnebes, duke e bërë atë modelin e jetës sime.
Detyra jonë si gra myslimane
Sot nuk duhet të shpresojmë vetëm tek burrat, sepse shumë prej tyre janë fokusuar vetëm në fikh, hadith dhe histori, duke harruar humanizmin e Islamit. Ne, gratë muslimane, duhet të punojmë për të sjellë misionin e Hz. Zejnebes në jetën moderne, përmes artit dhe kulturës, duke ofruar alternativa që ndërtojnë një shoqëri më të drejtë dhe të ndriçuar.
Motoja ime
Motoja ime në jetë është kjo:
Para se të vendosësh një ligj, më pyet.
Para se të më ndalosh diçka, më jep alternativë.
Unë besoj se, ashtu siç feja Islame pati nevojë për pasurinë e Hz. Hatixhes dhe përpjekjet e e Imam Aliut për t’u përhapur, sot institucionet ndërkombëtare duhet të mbështesin projektet tona kulturore dhe alternative për të ruajtur dritën e Hz. Zejnebes në botën moderne.
Me respekt, kryeredaktorja e revistës VLERA
Msc. Ikballe Huduti



