Jeta e të Dërguarit të Zotit Lindja e Muhamedit
Jeta e të Dërguarit të Zotit
Lindja e Muhamedit
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
- Dhe kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e tempullit, ata luteshin: “O Zoti ynë, pranoje prej nesh, sepse Ti me të vërtetë dëgjon dhe di gjithçka!”
- O Zoti ynë, na bëj neve të dy besnikët Tuaj, dhe pasardhësit tanë le të jenë besnikë ndaj Teje. Na i trego traditat tona dhe na fal, sepse Ti je me të vërtetë i Mëshirshmi, që pranon pendimin!
- O Zoti ynë, dërgoju atyre një Profet nga mesi i tyre, që t’ua kumtojë ajetet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe urtësinë, dhe t’i pastrojë ata, sepse Ti je i Plotfuqishëm dhe i Urtë!
Surja Bekare ajeti 127-129
Jeta në Arabi pak para lindjes së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit s.a.a.[1] ishte me të vërtetë e vështirë. Njerëzit përpiqeshin të siguronin ushqimin dhe veshmbathjen, shpesh duke udhëtuar larg qyteteve të tyre.
Një ditë, disa tregtarë që udhëtonin nga Meka drejt Shamit (Siria e sotme), panë një plak të fesë krishtere që jetonte në një kishë (manastir) dhe lutej. Katër prej tyre iu afruan plakut për të biseduar.
Në atë kohë, murgjit ishin të njohur për një dituri të çuditshme, dhe arabët, që kryesisht ishin tregtarë, ishin të interesuar për këtë. Ata hynë në kishë dhe plaku i pyeti:
– Nga vini?
– Nga Meka, – u përgjigjën ata.
Atëherë plaku tha:
– Së shpejti Zoti do të zgjedhë të Dërguarin e Tij nga populli juaj. Ngutuni drejt tij dhe ndiqni udhëzimet e tij, që të mos devijoni.
Tregtarët e shikonin plakun me çudi dhe e pyetën:
– Si quhet ai?
– Muhamed, – u përgjigj plaku.
Pas kësaj bisede, tregtarët vazhduan udhëtimin e tyre duke menduar për fjalët e plakut.
Duke vazhduar udhëtimin, tregtarët mendonin për tregimin e plakut dhe secili prej tyre vendosi që, nëse Allahu do t’i dhuronte një djalë, do ta quante Muhamed, me shpresën se i Dërguari do të ishte nga fisi i tyre.
Një natë, Abdul-Mutalibi (gjyshi i Muhamedit s.a.a.) pa një ëndërr të çuditshme. Ai pa një dru të gjatë, degët e të cilit prekën qiellin dhe hija e tij mbulonte Lindjen dhe Perëndimin. Druri ndriçonte, ishte i bukur dhe i fortë. Abdul-Mutalibi pa se arabët dhe joarabët i bënin sexhde atij druri. Disa nga fisi Kurejsh përpiqeshin ta prisnin, por një njeri i ri dhe i bukur i largonte.
Abdul-Mutalibi tentoi të mbledhë diçka nga druri, por duart e tij ishin të shkurtra. Ai bërtiti dhe u zgjua nga gjumi. I shqetësuar, vendosi të shkojë te një prift për ta interpretuar ëndrrën.
Ia rrëfeu ëndrrën priftit dhe kur dëgjoi interpretimin për këtë ëndërr, Abdul Mutalibit iu drejtua:
– Nga fisi yt do të dalë një njeri që do të zotërojë gjithë Lindjen dhe Perëndimin, dhe njerëzit do të kalojnë në fenë e tij.
Abdul Mutalibi u gëzua pa masë kur dëgjoi këtë lajm dhe doli. Kur e pa djalin e tij, Ebu Talibin, ia tregoi ëndrrën dhe shpjegimin e priftit, duke i thënë:
– Ndoshta je ti i premtuari!
Ebu Talibi nuk ishte pasardhësi i premtuar, por i premtuari ishte ende në barkun e nënës së tij, Aminës, vajzës së Vehabit. Amina ishte shtatzënë, por nuk ndiente dhimbje apo vështirësi. Ajo dëgjonte nga gratë e tjera që shtatzënia është e vështirë, por për të ishte ndryshe. Kaluan disa muaj gjatë të cilëve Amina pa disa ëndrra. Një natë, ajo pa në ëndërr një dritë të madhe që ndriçonte të gjitha pallatet e Shamit (Siria e sotme). Një herë tjetër, dëgjoi një zë në ëndërr që i thoshte:
– Oj Amina, ti ke në bark djalin më të mirë në botë. Kur ta lindësh, thirre me emrin Muhamed dhe ruaje këtë fshehtësi.
Amina u zgjua dhe shikoi përreth, por nuk ishte askush në dhomë. Tentoi të flinte sërish, por pa sukses. Zëri që dëgjoi në ëndërr përsëritej në shpirtin e saj:
– Oj Amina, kur ta lindësh, jepi emrin Muhamed.
Amina nuk i tregoi askujt për këtë ëndërr derisa erdhi koha e lindjes. Djali lindi i bukur dhe i pastër. Ajo menjëherë dërgoi dikë që të thërriste Abdul Mutalibin. Abdul Mutalibi ndodhej në Qabe me disa udhëheqës të fisit Kurejsh, kur erdhi lajmi i madh.
– Amina lindi djalë! – bërtiti lajmëtari.
Abdul Mutalibi e la atë që po bënte dhe shkoi te Amina. E përqafoi foshnjën e porsalindur dhe u kthye në Qabe. Pasi përfundoi, u kthye sërish te Amina dhe tha:
– Dua t’i jap emrin Fasam.
Ai e kishte humbur një djalë me këtë emër kur ishte 9 vjeç, dhe kjo ishte një ngjarje e dhimbshme për të. Prandaj dëshironte që foshnjën e Aminës ta quante me këtë emër. Amina tha:
– Në ëndërr më është urdhëruar që t’ia vë emrin Muhamed.
Abdul Mutalibi e përqafoi djalin dhe tha:
– Dua që nipi im të ketë një pozitë të lartë në shoqëri.
Hebrenjtë, populli i Musës (a.s.), bashkëjetonin me arabët në qytetin Jethrib, që më vonë u quajt Medine. Ata thoshin se prisnin një profet që do të udhëzonte njerëzit në rrugë të drejtë. Disa nga dijetarët e tyre pohonin se koha e lajmërimit të profetit po afronte dhe se një dritë hyjnore do të shfaqej.
Në të njëjtën natë, kur lindi Muhamedi (s.a.a.), një hebre që studionte astronominë pa një yll që nuk e kishte parë kurrë më parë. Kjo ishte shenja e lindjes së Profetit. Menjëherë doli në rrugë dhe bërtiti:
– O populli hebre! – të gjithë u mblodhën rreth tij dhe e pyetën:
– Çfarë ndodhi?
– Një ndodhi e madhe – tha ai. – Ylli i Ahmedit është shfaqur!
Po atë natë, një hebre tjetër shkoi te Kurejshit (arabët) dhe pyeti: A ka lindur ndonjë djalë në familjen tuaj?
Njerëzit e shikonin çuditshëm dhe thanë: Jo, nuk dimë gjë!
Ai u tha:
– Dëgjoni mirë: Sonte ka lindur i dërguari i njerëzve.
Hebrenjtë prisnin Muhamedin (s.a.a.), por kur ai filloi t’i ftonte në besimin e Allahut, shumica prej tyre nuk i besuan dhe e refuzuan si Profet. Pas një jave, Abdul Mutalibi preu disa kurbanë dhe ftoi udhëheqësit e fisit Kurejsh për të festuar lindjen e nipit të tij, Muhamedit (s.a.a.). Pas darkës solemne, ata e sollën Muhamedin dhe të gjithë e përkëdhelnin dhe përqafonin. Kujdesi ndaj tij ishte më i madh pasi ishte jetim; babai i tij, Abdullahu, kishte ndërruar jetë para se ta shihte të birin.
Njëri nga të pranishmit pyeti:
– Si ia vutë emrin?
Abdul Mutalibi u përgjigj:
– Muhamed.
Tjetri pyeti:
– Si e zgjodhët emrin Muhamed? Deri më sot, në familjen tuaj nuk ka pasur asnjë me këtë emër.
Abdul Mutalibi nuk deshi t’u tregonte për ëndrrën e Aminës dhe as që Amina e kishte lutur të mos e zbulonte këtë.
Thjesht tha:
– Ia vumë emrin Muhamed që populli ta respektojë dhe Zoti ta mbrojë.
Mysafirët u kthyen në shtëpitë e tyre, por askush nuk e dinte se ky djalë do t’i shpëtonte nga errësira dhe do t’i çonte në dritë.
Muhamedi ishte lutja (dua) e Ibrahimit (a.s.). Kur Zoti e urdhëroi të ndërtonte Qaben, ai ngriti duart lart dhe iu lut Allahut:
– O Zoti ynë, pranoje nga ne këtë ndërtim, sepse Ti i dëgjon dhe i di të gjitha!
– O Zoti ynë, na bëj neve të dyve besnikë ndaj Teje, dhe pasardhësit tanë besnikë ndaj Teje. Na trego ritualet tona për Ty dhe na fal gabimet tona, sepse vetëm Ti pranon pendimin dhe je i mëshirshëm.
– O Perëndi, të lutem dërgoje një nga pasardhësit tanë, që do t’u tregojë njerëzve ajetet e Tua, do t’i mësojë librin dhe urtësinë Tënde, dhe do t’i pastrojë ata. Me të vërtetë, Ti je i fuqishëm dhe i urtë.
Përktheu nga Bosnjakishtja : Asllan ( Luan ) Huduti
[1] Shkurtesa s.a.a. lexohet Salallahu alejhi ve alihi ndëra domethënia është : Paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij. Ose në shqip shkurtesa – pqmtf