leo

LEV TOLSTOI – ME BESIM NË PËRSOSMËRI…

Spread the love

Prof.Dr. Selim Sylejmani

LEV TOLSTOI – ME BESIM NË PËRSOSMËRI…
…do ta shfrytëzoj tërë kohën që jam i detyruar të qëndroj këtu për atë që të jem më i mirë
dhe të përgatitem për atë jetë të cilën tashmë e kam zgjedhur.
…arma ju kujton dhunën dhe ju largon nga rruga e tarikatit.
…nëse u detyrojnë të mbani kryqe, bartni, ngase janë vetëm metale… Vetëm nëse u prekin
gratë tuaja, ju detyrojnë ta harroni gjuhën, kulturën dhe zakonet, ngrihuni dhe luftoni deri në
vdekjen e njeriut të fundit.

L.N. Tolstoj

Nëse është kështu, ku dhe kur e arriti Tolstoi këtë përvojë të lartë shpirtërore?
Në Kaukaz “unë fillova të mendoja ashtu siç kanë mundësi të mendojnë njerëzit vetëm një
herë në jetë… Kurrë, as më parë, as më vonë, nuk kisha arritur deri në atë lartësi të mendjes, nuk
kam shikuar atje, si atë kohë e cila vazhdoi për dy vjet. Unë nuk e kuptoj dot që njeriu mund të vijë
deri në atë shkallë të ekzaltimit mendor, në të cilën unë erdha atëbotë… Dhe gjithçka që unë gjeta
atëherë do të mbetet përgjithmonë bindja ime” – do të shënojë ai pas një viti. A është e rastit që
pikërisht në këtë frymë Tolstoi i shkruan hapur tezes së vet, duke kërkuar: “…Vetëm, ju lutem, mos
më ktheni në besimin krishterë … Ju lutem, më shikoni mua si një muhamedan të mirë, atëherë
gjithçka do të jetë e mrekullueshme…”.
Këto nuk mund të jenë thjeshtë vetëm fjalë. Dy vjet, të kaluara në Kaukaz, në lutje,
tejkalojnë në jetën e Tolstoit 56 vjet të jetuar pastaj, gjithashtu në lutje, por tani pa dhikre! Jo në
fund të jetës, por nga momenti i kthimit nga Kaukazi, Lev Nikollaeviç për ata që e rrethonin ishte
njeri i cili “përkundër këmbëve të shëndosha megjithatë do të ecë me kokë”, siç shkruante
shkrimtari i shquar I. Turgenjev, i cili e kishte takuar Tolstoin e ri në Paris.
Ndërsa Tolstoi, përkundrazi, me vendosmëri dhe në vazhdimësi e mbronte të drejtën e vet
për të qenë vetvetja, duke besuar në fenë e “të parëve” të vet dhe “duke e respektuar atë”, siç e
kishte caktuar në lutjen e tij. Andaj nuk ka asgjë të çuditshme në faktin që Tolstoi gjatë gjithë jetës
kishte ecur i veshur me rrobat e pleqve çeçen (duke filluar nga kësula rrumbullake-tubet dhe duke
përfunduar me këpucët e bukura “kaukaziane”), që qepte për vete këmisha çeçene, “modelin
origjinal” e të cilave e vërenin të gjithë, pa përjashtim; që i qethte flokët dhe mjekrën “një herë në
muaj, për hënë të re”, duke deklaruar se “këtë e kishte mësuar nga muhamedanët”.1
Në këtë aspekt janë me interes kujtimet e njërës prej vajzave së shkrimtarit, Tatjanës, e cila
deklaron: “Disa herë unë e ndjeja, se si duart e tija të fuqishme, binin në supet e mia, duke më
detyruar të kthehesha në mënyrë që ta shikoja pikërisht nga e djathta hënën e re”. Për Tolstoin-
muhamedan kjo ishte shumë me rëndësi. Në një shënim të tij në ditar, të 3 shtatorit të vitit 1852,
thuhet: “E kam para hënën nga e majta”, por doli se duhej ta shihte “pikërisht nga e djathta”!
Si të gjithë ithtarët e Kunta-haxhiut, Tolstoi ishte mjaft i matur në ushqim. Këtë e theksojnë
shumë bashkëkohës të shkrimtarit. Duke e ditur fatin e shehut dhe muridëve të tij, Tolstoi
ëndërronte të “sakrifikohej për fe” dhe shpesh deklaronte se “do të pëlqente të persekutohej”: si
mbështetës i moskundërshtimit të dhunës me dhunë, shkrimtari ishte “fajtor” për refuzimin masiv
nga ana e të rinjve të shërbimit ushtarak që nga viti 1896.

Lidhur me këtë, ja edhe një element tjetër, për të cilin dëshmon mjeku i familjes Tolstoj.
Konti e kishte zakon që, kur shkonte mysafir, të dërgonte përpara ekuipazhin, kurse vetë zbriste më
larg shtëpisë dhe i afrohej këmbë asaj. Ishte ky zakon tipik i çeçeneve: në shenjë respekti ndaj
nikoqirit, mysafiri një distancë e kalonte këmbë, duke dërguar përpara transportin, me të cilin vinte.
Nga amaneti para vdekjes i Tolstoit ne mësojmë se ai dëshironte të varrosej pa kryq, “sa më
shpejt” dhe “të mos vendosen kurora lulesh në varrin e tij”. Kështu Tolstoin do ta varrosnin në
Çeçeni. I bindur që nuk mund të arrinte në Çeçeni, ai porosit të varroset në Jasnaja Polana, pa

menduar që dëshirën e tij për varrim sipas ceremonisë muhamedane, familjarët dhe të afërmit do ta
prezantojnë si dëshirë primitive për prehje nën “grumbullin e milingonave” në vendin e groposjes
dikur të “shkopit të blertë” të shpëtimit të njerëzimit. Me ironinë e fatit, njeriu i cili kishte mohuar
çdo mrekulli, jo vetëm që ishte i dyshuar, por në njëfarë shkalle gati i stolisur në fe si një fuqi
mrekullibërëse e shkopit dhe “vëllazërisë së milingonave”…
“Dallimi thelbësor midis sheriatit dhe tarikatit është ajo që sheriati është… – marrëveshje
midis religjionit dhe realitetit. Tarikati ndërkaq është dalje absolute nga realiteti dhe konkluzion në
frymë të ligjit, i cili e mohon realitetin. Sipas sheriatit, myslimani mundet edhe të bashkëjetojë me
besimtarë të feve të tjera; sipas tarikatit kjo është e pamundur”, – thekson R. Fadeev, historian rus.
A nuk është pikërisht kjo arsyeja që Tolstoi, kohë pas kohe, provonte të largohej nga shtëpia dhe, në
fund të fundit, e realizoi këtë largim në moshën dhe në gjendjen fizike, kur nuk kishte dhe nuk
mund të kishte asnjë bindje se do ta arrinte qëllimin? Kryesorja ishte – të largohej!..
“…Në vendet e shenjta myslimane, ku ligji ruhet me tërë pastërtinë, hyrja e një pjesëtari të
fesë tjetër kurrë nuk mund të lejohet, në mënyrë që të mos e ndot me frymëmarrje ajrin në të cilin
luten besimtarët”, – lexojmë më tej te Fadeevi. Fakti që Tolstoit i lejohet pjesëmarrja në dhikër,
tregon për atë që këtu ai nuk konsiderohej i fesë tjetër. A nuk është kjo arsyeja që Tolstoi
vazhdimisht shkonte në pyll për t’u lutur? (familjarët e tij ishin ortodoksë.)
Këtë e mësojmë, për shembull, nga piktori i shquar rus Ila Rjepin, i cili tregon se e kishte
pritur Tolstoin afër pyllit rreth një orë, që ta kryente lutjen. Përshtypja e tij lidhur me këtë mund të
vërehet madje në pikturën e famshme, ku Tostoi është këmbëzbathur. Qëndrimi i tij gjatë lutjes në
pyll në pikturën e Rjepinit është pikërisht si te myslimanët.
Për “lutjet” e tij kemi shënime edhe nga shkrimet e gruas (Sofja Andreevna Bers), e cila
madje edhe ishte ndarë prej tij pas rreth 50 vjet martesë. Ajo me hidhërim kujton: “Diç kishte
ndërhyrë midis nesh, njëfarë hije, e cila ne po na ndante… E kuptova që më ishte thyer besimi i
fortë për lumturi dhe jetë, të cilin e kisha më herët”. Kështu shkruan gruaja e cila kishte kaluar
dyzet vjet martesë me këtë njeri., por të cilin nuk arriti ta kuptonte kurrë. Kurse vajza Tatjana
kujton: “Pasi zgjohej nga gjumi, ai shkonte në pyll apo fushë. Sipas fjalëve të tij, ai shkonte “të
falej”…”
Kjo kishte filluar 14 vjet më parë, kur u këput fija dhe unë e kuptova vetminë time”, –
sqaron vetë autori në vitin 1884, sikur duke i plotësuar të dyja.
“Në ëndërr unë pashë se flisja me një shenjt për dehjen, për durimin dhe diç tjetër… Për
durimin: të mos urrej as çifutët, as tatarët, por t’i dashuroj…” – shënon Tolstoi në ditar më 1890.
Pikërisht këtë përmbajtje ia preferonte popullit të vet Kunta-haxhi, duke deklaruar: “Për
shkak të luftërave sistematike ne do të pakësohemi në mënyrë katastrofale … Luftën e mëtejme nuk
e pëlqen as Zoti… Nëse u kërkojnë të shkoni në kishë, shkoni, sepse ajo është vetëm godinë. Nëse u
detyrojnë të mbani kryqe, bartni, ngase janë vetëm metale… Vetëm nëse u prekin gratë tuaja, ju
detyrojnë ta harroni gjuhën, kulturën dhe zakonet, ngrihuni dhe luftoni deri në vdekjen e njeriut të
fundit!”. Pa hequr dorë nga lufta deri në çeçenin e fundit, shehu nuk hezitonte të bëhej pacifist, si
edhe Tolstoi i cili në raste nuk përjashtonte masat e skajshme. Veprat e tij nga kritika janë cilësuar
si “goditje të kamxhikut që nxitën kundër autorit zemërimin e pushtetarëve”.
“Mos mbani armë me vete. Qëndroni sa më larg tyre. Arma ju kujton dhunën dhe ju largon
nga rruga e tarikatit. Forca e armëve – nuk është gjë në krahasim me fuqinë e shpirtit të njeriut, i cili
ndjek rrugën e tariaktit”, – e bindte popullin e vet Kunta-haxhi.
Më 3 shtator të vitit 1852, Lev Tolstoi, “pasi u ktheva nga mësimi”, shënon në ditar: “…Do
ta shfrytëzoj tërë kohën që jam i detyruar të qëndroj këtu për atë që të jem më i mirë dhe të
përgatitem për atë jetë të cilën tashmë e kam zgjedhur”.
A mund të mendohet që një ushtar apo oficer, pas mësimit, të kthehej në kazermë me idenë
e zbulimit “të lidhjes sekrete të shpirti dhe trupit”, për të qenë “më i mirë” dhe për tu “bërë mirë të

afërmve”! Ku i “mësonte” këto Tolstoi për t’i shënuar pastaj në ditar? Në mbledhjet e këshillit të
luftës?!

“Lavdiploti dëshiron që muridi ta kalojë kohën duke kryer vepra të mira, si meremetimi i
rrugëve dhe urave, kultivimin e drurëve përskaj rrugës… Muridi duhet të vizitojë të sëmurët…
Duhet të interesohet për nevojat e të moshuarve, të varfërve, të pafuqishmëve, duke i ndihmuar
ata…”, – këto ishin mësimet e shehut të ri. Kush nuk i njeh këtu veprat e mira të Tolstoit, deri te
“projekti i pyllëzimit i të gjithë Rusisë”? Në Jasnaja Polana ai kishte prishur kopshtet me mollë për
ta pyllëzuar një ngastër të gjerë, për çka dëshmojnë kronikat e kohës.

“Sjellja ndaj kafshëve duhet të jetë më e mirë se ndaj njerëzve, sepse ajo nuk e kupton ç’po
bën. Shtaza e zënë në arë nuk guxon të rrihet a mallkohet… Ky është mëkat i rëndë. Është mëkat
vrasja e shpezëve të pafajshme, insekteve, gjallesave. Çdo gjallesë që nuk është e dëmshme për
njeriun duhet të mbrohet nga muridët”, – predikonte shehu.
Një shërbëtor i Tolstoit, kujton porosinë e kontit: “Kalin kurrë mos e godit me kamxhik”, që
ishte krejt e pakuptueshme për njeriun i cili punonte në fushë. Ai tregon edhe rastin kur “zotëriu” i
kishte dhënë atij 20 rubla të cilat ai duhej “t’i ndante nga 10, 15 kopekë” të varfërve që i takonin
rrugës. Në pyetjen “a është i mirë konti?”, shërbëtori përgjigjet pozitivisht: “… posaçërisht është i
mirë ndaj të vejave me fëmijë: me duart e veta ua lëron tokën, ua kosit barin dhe grurin”. Përse
vallë i ndihmon pikërisht vejushat e jetimët, duke i dalluar nga të tjerët? Përgjigja qëndron sërish në
Çeçeni. Luftërat e vazhdueshme shtonin numrin e vejushave dhe bonjakëve, për të cilët duhej
kujdesur në radhë të parë. Për çeçenet kjo do të thoshte shpëtim dhe ruajtje e kombit.
Ndonëse kishte arritur të ruaj bindjet e veta para kishës, Tolstoi e dinte mirë që pas vdekjes
do të varej nga gruaja, me të cilën nuk i kishte afruar as jeta e përbashkët gjysmë shekullore dhe e
cila nuk e kishte kuptuar kurrë. Duke refuzuar në prag të vdekjes ta pranojë gruan dhe priftin që
ngulmonin, Tolstoi tregon qartë se ata ishin të huaj për të para fytyrës së Lavdiplotit. Pas vdekjes u
vërtetua frika e shkrimtarit, pasi që atij iu bënë të gjitha ceremonitë mortore sipas dëshirës së gruas.
“Muridizmi ia morri perandorisë ruse gati gjysmën e fuqisë. Sa mund duhej të mposhtet ai?
Tani një predikim i ri dhe më i keq e dhikrit dhe tarikatit sërish po përhapet në Kaukaz… nëse nuk
do të shuhet në zanafillë, mund të bëhet shumë keq… Kur ligji mysliman e konsideron tarikatin dhe
dhikrin të padetyrueshëm, atëherë ligji rus mund t’i konsiderojë patjetër të ndaluar… Njerëzit, të
cilët dëshirojnë ta rrënojnë këtë gjendje, menjëherë duhet internuar jashtë vendit…” – këshillon
autori i “Luftës së Kaukazit”, Fadejev, pa kuptuar se muridizmi tashmë ia kishte marrë perandorisë
ruse fuqinë e saj – Lev Nikolaeviç Tolstoin. Edhe fakti që mësuesi shpirtëror i Tolstoit “menjëherë u
dëbua nga vendi”, nuk i ndihmoi Perandorisë ta kthejë shkrimtarin e madh në gjirin e
ortodoksizmit… Ishte vonë, tepër vonë!
Vërejtje:

Lav Nikolajeviç Tolstoj (1828 -1910) – shkrimtar dhe mendimtar rus, njëri prej prozatorëve
më të shquar të botës. Besohet se ka qenë përfaqësuesi më eminent i letërsisë realiste.
Rrjedh nga një familje aristokratike dhe e arsimuar plot paragjykime fetare. Pikërisht
presioni i madh lidhur me fenë do ta shndërrojë atë në antikrisht dhe të ekskomunikuar nga kisha.
Pasi që në fëmijëri mbeti pa prind, studion gjuhët orientale në Universitetin e Kazanit…
Në rini dallohej me jetë të shthurur në të cilën hynin e dilnin shumë femra me prejardhje të
dyshimtë, pastaj karakterizohet me vese të ndryshme si bixhozi dhe alkooli për të cilët do të
shpenzojë shuma marramendëse parash dhe disa prona.
Në bibliografinë e Tolstoit fare pak është trajtuar qëndrimi i tij në Kaukaz, në shërbim
ushtarak, kohë e cila paraqet ndarjen e tij prej jetës së shfrenuar dhe kalimin në periudhën më të
frytshme të krijimtarisë.
Kryeveprat e tij – “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina” – e pasqyrojnë pikëpamjen,
shpirtin, dhe jetën ruse të shekullit XIX.




There are no comments

Add yours