Prophets-Mosque-tomb-Medina-Saudi-Arabia-Muhammad

Lindja e Muhammedit dhe vitet e hershme të jetës së tij

Spread the love

Para profecisë :

I pajisur me një mendje të fortë dhe me një shije të rafinuar, i mbyllur në vete dhe meditativ, ai e jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij brenda vetes dhe në përsiatjet e zemrës së tij gjeti zëvendësim për orët e tëra që burrat e tjerë i kalonin në argëtime dhe ahengje. Karakteri i drejtë dhe sjellja fisnike e këtij të riu i fituan lëvdatat e bashkëqytetarëve të tij, të cilët e quanin “El-Emin” (i besueshmi). I respektuar dhe i nderuar, Muhammedi jetoi një jetë të qetë dhe të tërhequr në familjen e Ebu Talibit.

Abdullahu ishte djali më i dashur i Abd’ul-Muttalibit. Kur i mbushi të shtatëmbëdhjetat, ai u martua me Aminen, një grua fisnike nga Jethribi, qyteti në veri të Mekkes. Megjithatë, atij nuk i ishte shkruar të jetonte gjatë dhe vdiq vetëm shtatë muaj pas martesës së tij. Muhammedi, i Dërguari i Zotit, ishte një fëmijë i lindur pas vdekjes së të atit. Shejh Muhammed el-Khidhri Buck, profesor i historisë islame në Universitetin Egjiptian në Kairo, thotë: Ai (Muhammedi) u lind në shtëpinë e xhaxhait të tij Ebu Talibit, në “distriktin” e Hashimitëve në Mekke, në ditën e dymbëdhjetë të muajit Rebbi el-Evvel(muaji i tretë) të “vitit të elefantit”, një datë e cila sipas llogaritjeve është 8 Qershori i vitit 570 pas Krishtit. Mamia e tij ishte nëna e Abdurrahman ibn Auf-it. Nëna e tij Amineja, i dërgoi sihariqe Abdul Muttalibit, i cili erdhi menjëherë, e mori në krahë foshnjen dhe e quajti Muhammed.

 

Hiseja –trashëgimia e Profetit

Hiseja e Muhammedit në trashëgiminë e të atit ishte një robëreshë e quajtur Umm Ejmen, pesë deve dhe dhjetë dele. Ky është një vërtetim se profetët mund të trashëgonin pasuri dhe nëse mund të trashëgonin atëherë do të thoshte se edhe mund t’u linin fëmijëve të tyre si trashëgim. Të qenit profet nuk e pengon njeriun nga të trashëguarit e pasurisë së tij dhe nuk i pengon fëmijët e tij të trashëgojnë nga ai. Kjo çështje mund të duket pa ndonjë lidhje me këtë temë, mirëpo nuk është e tillë. Muhammedi, profeti i Islamit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), ia kishte falur të bijës, Fatimesë, tokat e Fedekut. Por kur vdiq profeti, Ebu Bekri (Kalifi i parë) dhe Umari (Kalifi i dytë dhe këshilltari i të parit) e konfiskuan këtë pronë me pretendimin se profetët nuk u lënë trashëgimi fëmijëve të tyre dhe se gjithçka që ata lënë pas i takon shoqërisë islame dhe jo pasardhësve. Ky ishte një dënim i çuditshëm që duhej ta paguante djali ose vajza e një profeti. Secili njeri tjetër në shoqërinë islame kishte të drejtë të trashëgonte pasuri nga i ati përveç të bijës të të Dërguarit të Zotit, Muhammedit.

 

Zakoni i largimit të foshnjës nga nëna.

Ekzistonte një traditë në mesin e arabëve, sipas të cilës ata i dërgonin fëmijët e tyre në shkretëtirë për t’i kaluar vitet e hershme të fëmijërisë në një klimë që ishte më e shëndetshme se ajo e Mekkes. Falë kësaj, fëmijët bëheshin më të shëndetshëm dhe e thithnin ajrin e pastër të shkretëtirës, i cili ishte më i shëndetshëm se klima aspak e këndshme e qytetit.

Një tjetër arsye e dërgimit të fëmijëve në shkretëtirë ishte fakti se arabët ishin mjeshtër të gojëtarisë dhe puristë të skajshëm kur bëhej fjalë për gjuhën. Ata e adhuronin gjuhën arabe me fjalët e saja me ato nuanca të ndryshme kuptimore dhe krenoheshin mjaft me gojëtarinë e tyre. Madje shumë shpesh, klasat aristokrate të Mekkes e mbështesnin autoritetin e tyre pikërisht në fuqinë retorike. Mekkeja ishte vendtakimi i karvanëve dhe si e tillë, arabishtja e saj nuk kishte arritur ta ruajë pastërtinë e duhur. Aristokratët arabë nuk dëshironin që fëmijët e tyre ta flisnin atë gjuhë “të rrugës” dhe për këtë i dërgonin në shkretëtirë, për ta mësuar gjuhën e pastër të shkretëtirës. Për këtë arsye, fëmijët e tyre largoheshin nga Mekkeja në vitet e hershme të fëmijërisë dhe me këtë mbroheshin nga ndikimet kulturore të këtij fenomeni.

Amineja ia dha Halimes djalin e saj Muhammedin. Halimeja i takonte fisit Esad që jetonte në lindje të Mekkes. Muhammedi i kaloi katër vitet e para të jetës së tij në shkretëtirë, nën kujdesin e Halimes. Sipas historisë, ajo e ktheu atë në Mekke në vitin e pestë të jetës së tij.

 

Muhamedi dhe përkujdesia e gjyshit

Muhammedi ishte vetëm gjashtë vjeç kur i vdiq e ëma Amineja. Atëherë ai mbeti nën përkujdesjen e gjyshit të tij Abd’ul-Muttalibit. Por vetëm pas dy vjetësh, edhe ky i fundit do të vdiste.

Pak përpara vdekjes së tij, Abd’ul-Muttalibi i thirri të gjithë djemtë dhe u tha se do t’u linte dy amanete: njëri ishte prijësia e Hashimitëve dhe i dyti ishte Muhammedi, djali i Abdullahut, nipi i tyre jetim që asokohe i kishte mbushur tetë vjet. Pastaj i pyeti se cili prej tyre do të donte ta trashëgonte autoritetin e tij dhe të kujdesej njëkohësisht edhe për fëmijën, i cili i kishte humbur të dy prindërit. Pjesa më e madhe e djemve të tij kishin shumë dëshirë t’ia zinin vendin si prijës i fisit por asnjëri nuk dëshironte ta merrte përsipër përkujdesjen e Muhammedit.

Teksa Abd’ul-Muttalibi i vështronte një nga një dhe mendonte për të ardhmen e fëmijës, një heshtje vrasëse ra mbi të gjithë. Por nuk zgjati shumë. Ebu Talibi, njëri nga djemtë e tij, bëri një hap para dhe tha se ai kishte dëshirë ta merrte jetimin e të vëllait Abdullahut dhe se nuk dëshironte ta trashëgonte pasurinë dhe autoritetin e Abdul Muttalibit.

Deklarata e Ebu Talibit e zgjodhi problemin e Muhammedit. Abd’ul-Muttalibi jo vetëm që e bëri atë kujdestar të Muhammedit por njëkohësisht edhe prijës të familjes së Hashimitëve.

Në shtratin e vdekjes, Abd’ul-Muttalibi shpalli se djali i tij Ebu Talibi do të ishte kujdestar i Muhammedit dhe prijësi i ri i Hashimitëve. Pastaj u urdhëroi të tjerëve që ta pranonin Ebu Talibin si prijës, gjë që e bënë të gjithë pa kundërshtim.

 

Prijësi i Luginës

Historia e vërtetoi saktësinë e vendimit të Abd’ul-Muttalibit. Djali dhe trashëgimtari i tij Ebu Talibi i plotësoi në mënyrën mëa të denjë të dyja detyrat.

Sir John Glubb

Në vifftin 578, Abdul Muttalibi vdiq. Përpara vdekjes së tij, ai ia la Ebu Talibit përgjegjësinë e përkujdesjes për Muhammedin. Abdullahu, babai i Muhammedit, ishte vëllai i Ebu Talibit nga e njëjta nënë. Siç dihet, djemtë e tjerë të Abd’ul-Muttalibit ishin nga gratë e tjera të tij (“Jeta dhe koha e Muhammedit”, botuar 1970).

Ebu Talibi dhe e shoqja ishin krenarë dhe të lumtur që Muhammedi erdhi në familjen e tyre. Ata nuk e pranuan Muhammedin vetëm në shtëpinë e tyre por edhe në zemër, duke e dashur më tepër se fëmijët që i kishin.

 

Kush ishte Ebu Talibi

Ebu Talibi ishte një njeri me dinjitet dhe autoritet të lartë. Gjatë periudhës në të cilën ishte prijës i Hashimitëve, ai i mbajti titujt “Zotëri i Kurejshëve” dhe “Prijësi i luginës”. Njësoj si pjesëtarët e tjerë të fisit të tij, edhe ai merrej me tregti. Karvanët e tij udhëtonin drejt Sirisë dhe Jemenit.

Çdo vit karvanët e Ebu Talibit largoheshin nga Mekkeja për në drejtime të ndryshme. Ndonjëherë edhe ai vetë nisej bashkë me ta për ta mbikëqyrur shitjen dhe për t’i ndjekur çmimet e mallrave në tregjet e huaja. Përcillet se Muhammedi, kur ishte vetëm dymbëd hjetë vjeç, e shoqëroi xhaxhain e tij në njërin nga këto udhëtime.

Që në moshë të re Muhammedi krijoi emër si një njeri i drejtë dhe me gjykim të shëndoshë. Ngase në atë kohë nuk ekzistonin bankat ku mund të depozitoheshin gjërat me vlerë, Muhammedi u bë “banka” e mekkasve. Atij ia sillnin paratë, xhevahirët dhe sendet e tjera me vlerë dhe ai u kthente kurdo që të dëshironin t’i merrnin. Atë e quanin “Emin” (i besueshmi) dhe “Sadik” (i sinqerti).

Sir William Muir

I pajisur me një mendje të fortë dhe me një shije të rafinuar, i mbyllur në vete dhe meditativ, ai (Muhammedi) e jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij brenda vetes dhe në përsiatjet e zemrës së tij gjeti zëvendësim për orët e tëra që burrat e tjerë i kalonin në argëtime dhe ahengje. Karakteri i drejtë dhe sjellja fisnike e këtij të riu i fituan lëvdatat e bashkëqytetarëve të tij, të cilët e quanin “El-Emin” (i besueshmi). I respektuar dhe i nderuar, Muhammedi jetoi një jetë të qetë dhe të tërhequr në familjen e Ebu Talibit…(“Jeta e Muhammedit”,  fq. 20; botuar 1877).

Kur Muhammedi ishte njëzet vjeç, u bë një betejë ndërmjet fisit Kurejsh dhe fisit Havazin. Ndonëse Muhammedi ishte i pranishëm, ai nuk mori pjesë në luftime. Nuk e vrau dhe as e plagosi dikë, duke e treguar që në atë kohë urrejtjen që kishte ndaj gjakderdhjes. Thuhet se në këtë betejë ai i mblidhte nga toka shigjetat e armiqve dhe ua jepte xhaxhallarëve të tij për të qëlluar. Pas disa vitesh Muhammedi u bë pjesë e “Lidhjes së të virtytshmive”. Siç përmendëm edhe më sipër, kjo lidhje ishte betuar që t’i mbronte të dobëtit, t’i kundërshtonte tiranët e mizorët dhe t’i sillte fund diskriminimit në të gjitha format e tij.

Vlen të përmendet se ishte pikërisht familja e Hashimitëve (të cilës i takonte Muhammedi) që e themeloi këtë lidhje. Ishte vallë kjo vetëm një rastësi? Nuk ka mundësi të gjendet përgjigja e kësaj pyetjeje. Por ishin pikërisht Hashimitët ata që i shpallën luftë pabarazisë dhe padrejtësisë. Ata e bënë të qartë se nuk do t’i toleronin krimet e të fuqishmit kundër të dobëtit dhe se nuk do të lejonin që të varfrit e Mekkes të shfrytëzoheshin nga pasanikët e Kurejshit. Vetëm pas disa viteve, Muhammedi do të bëhej nismëtari i një programi të ri shoqëror, elementi ekonomik i të cilit do të kishte për qëllim pikërisht shkatërrimin e këtij shfrytëzimi të padrejtë. Ai do t’ia merrte Kurejshit privilegjet dhe “të drejtën” e tyre për t’i shfrytëzuar varfanjakët dhe të dobëtit.

Montgomery Watt

“Lidhja e të virtytshmive” duket se ka pasur një ndikim të rëndësishëm në jetën e Mekkes dhe se ka qenë e drejtuar pikërisht kundër personave dhe politikave, me të cilat Muhammedi do të përballej në të ardhmen. Në veçanti fisi i tij i Hashimitëve kishte një rol qendror në këtë lidhje (“Muhammedi: Profet dhe burrë shteti”, botuar 1961).

 

Marrë nga libri “Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve”, Sejjid Ali Asghar Razvi

Revista VLERA