Liria njerëzore në krijimtarinë e Naim Frashërit
Hyrje
Krijimtaria e Naim Frashërit ka rëndësi të posaçme për studime të lirisë dhe të të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve dhe krijimtaria e Naim Frashërit ka vlera të veçanta studiuese në rrafshin e studimit të lirisë dhe të të drejtave njerëzore dhe kombëtare, sikurse edhe në rrafshin e sociologjisë së kulturës, të estetikës dhe të psikologjisë.
Liritë njerëzore
Për Naimin Frashërin, themel i zhvillimit të mirëfilltë të shqiptarëve është njerëzimi. Këtë e dallojmë në disa vargje, nga të cilat shkëputëm: “Ndërsa themel i themelit është vetëm njerëzimi”. Me njerëzi Naimi kupton: konsiderimin e njeriut “korë dhe shëmbëllesë e Zotit”, qenie me zemër të pastër, me vetëdije që luan rolin e një gjykatësi të brendshëm, qenie që respekton secilin pa dallim feje, që nderon tjetrin dhe mendon për tjetrin e fesë tjetër pa paragjykime.
Naimi identifikon fenë e shqiptarit me njerëzimin e njeriut. Sipas Naimit “Feja e kohës së sotme është vetëm njerëzimi”. Për Naimin të gjithë shqiptarët e tri konfesioneve kanë mbi themelin e fesë së tyre vetëm njerëzimin.
“Një Perëndi që të gjithë kemi dhe të njëjtën besë,
pra, secili si të dojë le t’i falet Perëndisë”,
shkroi poeti ynë para njëqind vjetëve. Naimi vlerëson lartë harmoninë e përhershme të sjelljeve me të tjerët, në rend të parë me fqinjët. Këtë e dallojmë në këto vargje të tija:
“Ne me sllavët e me grekët, me të gjithë fqinjët tanë,
duam të rrojmë ngaherë me harmoni, si vëllezër,
vetëm e drejta e secilit gjithnjë të respektohet”.
Pikërisht këto vlera të qytetërimit të mirëfilltë u përfshinë në gjysmë shekulli e më shumë në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë pikëpamje konstatojmë se tradita e popullit shqiptar dhe këshillat e porositë e poetit Naim Frashëri për njerëzimin, sikurse ka thënë poeti, përkatësisht për sjellje njerëzore e humaniste, sikurse mund të themi sot, janë kontribut i shqiptarëve dhe i mendimtarëve shqiptarë konceptimit të të drejtave dhe lirive njerëzore dhe angazhimit tonë të përbashkët në shqyrtimin e tyre në jetën e përditshme.
Autor: Prof. Dr. Pajazit Nushi
(Revista “Vlera”, nr. 13, janar 2015, fq. 24)