HistoriMësime Islame

Pendimi i Ademit (a.s.) dhe fjalët që Allahu i pranoi

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) rrëfen:

E pyeta të Dërguarin e Allahut (s.a.a.):
“O i Dërguari i Allahut! Në Kuran thuhet:
‘Ademi pranoi nga Zoti i tij disa fjalë dhe Allahu ia pranoi pendimin’ (El-Bekare, 37).
Cilat ishin ato fjalë që Ademi (a.s.) i tha dhe që Allahu ia pranoi?”

I Dërguari i Allahut (s.a.a.) u përgjigj:

— O Ali, Allahu i Madhëruar e zbriti Ademin në Indi, Havën në Xhidde, gjarprin në Isfahan, ndërsa Iblisin në Mijsan (një vend afër Basrës). Në Xhenet nuk kishte krijesë më të bukur se gjarpri dhe palloi. Gjarpri kishte katër këmbë, si deveja. Iblisi hyri në trupin e gjarprit dhe përmes tij e mashtroi Ademin.

Si ndëshkim për gjarprin, Allahu ia mori këmbët dhe i tha:
“Furnizimin ta kam caktuar në tokë dhe do të lëvizësh duke u zvarritur mbi barkun tënd. Atij që t’i mëshirojë, Allahu mos ia mëshiroftë dhimbjen.”

Ndërsa palloit, për shkak se e ndihmoi Iblisin të gjente pemën, Allahu ia caktoi dënim që zëri dhe këmbët e tij të bëhen të shëmtuara.

Ademi (a.s.) qëndroi në Indi njëqind vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai e mbante kokën nga qielli, vendoste duart mbi kokë dhe qante pa pushim për gabimin e tij. Më pas, Allahu i dërgoi Xhebrailin, i cili i tha:

— O Adem, Allahu të dërgon selam dhe të thotë:
“A nuk të krijova me duart e Mia?
A nuk fryva në ty nga shpirti Im?
A nuk të bënë sexhde engjëjt e Mi?
A nuk të martova me Havën?
A nuk ta dhashë vendbanimin në Xhenet?
Atëherë pse gjithë ky vajtim?”

Pastaj i tha:
“Shqipto këto fjalë dhe Allahu, pa dyshim, do ta pranojë pendimin tënd:”

سُبْحَانَكَ لَا إِلٰهَ إِلَّا أَنْتَ، عَمِلْتُ سُوءًا وَظَلَمْتُ نَفْسِي، فَتُبْ عَلَيَّ، إِنَّكَ أَنْتَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

(O Allah! Ti je i lartësuar mbi çdo të metë. Nuk ka zot tjetër përveç Teje. Kam bërë të keqe dhe e kam dëmtuar veten time. Pranoje pendimin tim, sepse Ti je Pranuesi i pendimit dhe Mëshirëploti.)

Pastaj i Dërguari i Allahut (s.a.a.) tha:

— O Ali, nëse sheh një gjarpër që hyn në shtëpinë tënde tri herë, mos e vrit. Por nëse hyn për herë të katërt, atëherë vrite, sepse ai është xhin jobesimtar.
— Ndërsa nëse e sheh gjarprin në rrugë, vrite, sepse unë i kam kushtëzuar xhinët që të mos shfaqen në formën e gjarprit.

Marrë nga Libri “ Dhuratë medjeve “

Të ngjashme

Back to top button