7.1

Shfrytëzimi i kohës së lirë para punës

Spread the love

Shfrytëzoje kohën e lirë para angazhimit dhe jetën para vdekjes” – Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).

Qëllimi i Pejgamberit (paqja qoftë me të dhe familjen e tij) në këtë hadith është të thotë me sa vijon: Para se të detyrohesh t’i pranosh obligimet të cilat nuk i kishe dashur më herët por të imponohen vështirësitë dhe nuk ke mundësi të zgjedhësh, shfrytëzoji këto raste – në të cilat mundesh lirshëm dhe pa detyrim të zgjedhësh dhe vendosësh – për një përzgjedhje më të mirë ta përmirësosh gjendjen tënde.

Begatia e jetës është e tërësishme dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa përmendet pas begative të tjera. Në të vërtetë, begatitë e tjera janë të ndërlidhura me begatitë e jetës dhe varen nga ajo. Po mos të kishte jetë, as nuk mund të flitet për begatitë e tjera. Pra, baza dhe rrënja e begative të tjera është jeta në këtë botë, që ua ka falë robërve të Tij. Edhe pse njeriu pas vdekjes jeton jetën e botës tjetër, megjithatë ai atje nuk ka mundësi të veprimit, përzgjedhjes dhe vendosjes. Në atë vend njeriu ndjen keqardhje për jetën e kaluar, për rastet e lëshuara dhe për përzgjedhjen e tij të keqe.

Zoti i Madhëruar në Kuranin Fisnik për këtë thotë: “E kur ndonjë prej tyre i viziton vdekja, ai deklaron: “Zoti im, Ti më kthe, që të kryej ndonjë vepër të mirë nga ato që kam lëshuar!” Kurrë! Kjo është fjalë të cilën ai e ka deklaruar më parë. Prapa tyre do të ketë pengesë deri Ditën kur do të ringjallen” (Surja el-Mu’minun, ajetet 99-100).

Disa dinjitarë na kanë porositur që para se të flejmë ta kujtojmë se pas këtij gjumi nuk do të zgjohemi nga ai gjumë dhe se meleku i vdekjes në atë gjendje do të na e marr shpirtin, sepse në Kur’an thuhet: “Allahu i merr shpirtrat në kohën e vdekjes së tyre, e edhe ata që nuk kanë vdekur në gjumin e tyre…” (Surja ez-Zumer, ajeti 42).

Shpirti gjatë gjumit gati se ndahet nga trupi, e nëse njeriut i ka ardhur çasti i vdekjes atëherë lidhja me trupin këputet tërësisht. Për këtë arsye i Lartëmadhërishmi në vazhdim të ajetit thotë: “…e i mban ata të cilëve u ka caktuar vdekjen, kurse të tjerët i kthen deri në afatin e caktuar. Vërtet në këtë ka fakte për njerëzit që logjikojnë” (Surja ez-Zumer, ajeti 42)

Me fjalë të tjera, ta marrim me mend se kemi shkuar në botën e Berzahut dhe aty kanë dalur në pah veprat tona të këqija. Kanë filluar të na marrin në pyetje, ndërsa ne nga melekët e afërt me Zotin kemi kërkuar që të na kthejnë në këtë botë dhe ata na e kanë mundësuar këtë. Tani, kur jemi shpërblyer dhe kemi marrë rast të ri për veprim – çfarë do të bëjmë?

Duhet ta vlerësojmë mundësinë e re dhe ta shfrytëzojmë çdo rast, sepse do të vij koha në të cilën – në pamundësi të shqiptimit të fjalës La ilahe il-lAllah – zemrat do të pushtohen nga keqardhja, siç kishte thënë prijësi i besimdrejtëve, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të): “Ai që është i pakujdesshëm ndaj bërjes së veprave të mira do të përballet me pikëllim dhe brenga, e Zotit nuk i nevojitet ai persom në pasurinë dhe shpirtin e të cilit nuk ka vend për Zotin”.

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 19, korrik/gusht 2016, fq. 46-47)




There are no comments

Add yours