17265001_1420837604635458_5651122716559526526_n

A është Bismilahi dhe Amini pjesë e sures Fatiha

Spread the love

A është Bismilahi dhe Amini pjesë e sures Fatiha

Dijetarët muslimanë janë të një mendimi se “bismilahi” është pjesë e “Fatihasë” dhe e të gjitha sureve të Kur’anit. Dëshmi e kësaj thënieje të tyre është shkrimi i saj në krye të sureve, sepse ne e dimë që Kur’ani është i mbrojtur prej çdo shtese, dhe se bismilahi është përdorur që në kohën e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij).

Argumenti më i fortë i tyre është mendimi i përbashkët i sahabëve dhe i pasuesve të tyre rreth qënies së “Bismilahi-t” konstante në fillim të çdo sureje të Kur’anit me përjashtim të sures “Teube”. Ata ishin të urdhëruar që të mos shkruhet asgjë që nuk është prej Kur’anit, prandaj ata nuk e kanë shkruar në fund të Fatihasë thënien: “Amin”. Më poshtë, autori i tefsijrit “El Menar”, transmeton nga Maliku, Ebu Hanife e të tjerë, të cilët kanë mendimin se, “Bismilahi” është ajet i pavarur dhe ka zbritur që të sqarojë fillimin e sureve dhe ndarjet në mes tyre.

Këtu po transmetojmë disa hadithe sipas mundësive që përshtaten me këtë kërkim.

1. Muavija, i biri i Amarit ka transmentuar: I thashë Ebu Abdullahit (paqja qoftë mbi të!): “Kur të çohem për të falë namaz, a ta lexoj “Bismilahin” para Fahtihasë?” Ai tha: “Po”. Pastaj i thashë: “Po kur të përfundoj Fatihanë, a të lexoj “Bismilahi Rrahmani Rrahim” para sures?” Ai tha “Po” .

2. Ed-Darkatanij ka transmetuar nga Aliu se atë e pyetën rreth Fatihasë. Ai tha:“Bismilahi Rrahmani Rrahim është ajet”.

3. Bajhakiu transmeton me sened tek ibn Xhubejr, nga ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Djalli ua harroi njerëzve më të madhin ajet të Kur’anit, Bismilahi Rrahmani Rrahim” (si tregues i përhapjes së mosleximit të saj në fillim të sureve). ]

Mëshira e Allahut, e posaçme dhe e përgjithshme

Është e njohur në mesin e disa komentuesve se, cilësori “Rrahman” është tregues i mëshirës së përgjithshme të Allahut të Madhëruar. Ajo përfshin të dashurit dhe armiqtë, besimtarët dhe mohuesit, të mirët dhe të këqijtë. Pra, mëshira e Tij përfshin të gjitha krijesat dhe mirësia e Tij është e përhapur për të gjitha ekzistencat. Të gjitha gjallesat i përfshin kënaqësia e dhënies së jetës, duke marrë pjesën e tyre prej sofrës së mirësive të Tij të pashtershme. Kjo është mëshira e

Tij e përgjithshme, e cila përfshin të gjithë botën ekzistuese pa dallim dhe ç’ka noton në galaktikë.

Sifati “Rrahim” tregon për mëshirën e Tij të posaçme për njerëzit e mirë dhe besimtarët e sinqertë. Ata e meritojnë këtë mëshirë si pasojë e besimit të tyre dhe e veprave të mira që kryejnë. Kjo është e ndaluar për të devijuarit dhe keqbërësit. Treguese për këtë kuptim është fakti se, cilësori (atributi) “Rrahman” në Kur’anin famëlartë përmendet në formë të pakufizuar, gjë që tregon për përgjithësinë e saj. Mirëpo, përcaktori “Rrahim”, përmendet herë herë e kufizuar, që tregon se ky atribut është i veçantë, siç është thënia e Allahut të Madhëruar në suren “Ahzab”, ajeti 43 “Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.”

Në një hadith të trasmetuar nga imam Xhafer ibn Muhamed Sadik (paqja qoftë mbi të!) thuhet: “Allahu është Sunduesi i çdo gjëje, Rrahman (Mëshirues) për të gjitha krijesat e Tij dhe Rrahim vetëm për besimtarët”.

Gjendet një argument tjetër, i cili është: “Rrahman është prej emrave të posaçëm të Allahut dhe nuk përdoret tek të tjerët, ndërsa Rrahim është përcaktor që i vendoset Allahut dhe robëve të Tij.”

Kur’ani e cilëson me këtë cilësi Profetin Muhammed (paqja dhe bekimi i All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ku thotë: “…Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.”

E mbyllim temën me këtë hadidh kuptimplotë të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij), në të cilin thuhet: “Allahu i Madhëruar ka 100 mëshira (rahmete). Një e ka zbritur në tokë dhe e ka ndarë ndërmjet krijesave të Tij. Me anë të saj ata duhen dhe mëshirojnë njëri-tjetrin. Ndërsa 99 të tjerat i ka mbajtur për Vete, që me anë të tyre të mëshirojë robtë e Tij në Ditën e Kijametit”




There are no comments

Add yours