1.1 Allame Muhamed Ikball mbi rolin e femrës (1)

Allame Muhamed Ikball për rolin e femrës (1)

Spread the love

Muhamed Ikball është njëri ndër filozofët më të mëdhenj të Islamit, reformator i madh musliman i lindur në vitin 1877 në Sialot të Penxhabit. Koha e lindjes së tij karakterizohet me dekadencë morale e ekonomike, diskriminim racor, pabarazi sociale dhe injorancë. Të gjitha këto karakteristika gjendeshin më tepër te femra muslimane. Pra, në ato kushte e rrethana kultura islame ka prodhuar personalitetin më të madh që konsiderohet fenomen i rrallë në një ambient të tillë.

Ikballi i takon rangut të rëndësishëm njerëzor që ia kanë kushtuar tërë jetën Islamit, zgjimit të muslimanëve dhe çlirimit nga kolonializmi e eksploatimi. Vlera dhe madhëria e tij mbështeten në atë se ai ka funksionuar në kohën kur kultura e pasur islame konfrontohej në të gjitha anët dhe ishte strofulluar në vetvete. Gjithë historianët dhe mendimtarët që kanë diskutuar rreth lëvizjeve politike e revolucionare gjatë dyqind viteve të fundit, kanë qenë të obliguar tëdiskutojnë edhe për këtë personalitet si një figurë më markante në zgjimin e muslimanëve. Ai u bënte ftesë muslimanëve që të frymëzohen prej oqeanit të pasur islam dhe ta shuajnë etjen me dituri:

O robër të tokës! O ju që plotësoni kohën në tokë.
Pini prej verës së besnikërisë dhe zgjohuni nga gjumi i thellë
”.

Ai iniconte zgjimin në vendet e fjetura orientale dhe ishte pionier i lëvizjeve për nder e liri të muslimanëve, posaçërisht të atyre të subkontinentin indian. Jo vetëm me fjalët e tij por edhe me veprën e tij ai ishte shembull për muslimanët që ishin nënshtruar para kolonializmit:

Çfarë dobie kemi nëse hamë e pijmë si kafshë?
Nëse nuk mund të mbështetemi as në veten tonë, apo çfarë dobie kemi prej ekzistencës tonë?

Ikballi ishte yll që ndriçonte në horizontet e kontinentet dhe rrëmujë për muslimanët që kishin qëndrim liberal ndaj Perëndimit në atë hapësirë. Zjarri i tij ka mundur t’i ndezë zemrat e muslimanëve kurse efekti ishte në dukje e sipër:

Deri kur do të jenë rrobat tuaja të grisura?
Deri kur do të jetë vendbanimi juaj nën tokë si ai i buburrecave?
Fluturoni si shqiponja, deri kur do të lypni ushqimin tuaj në barroja?

Ikballi ishte mistik i sinqertë, dijetar, filozof, intelektual, poet liberal, filantropist, gjegjësisht realist dhe politikan futurist, nën ndikimin e të cilit paraqitet populli islam në skenën botërore. Ai u bënte apel gjithë njerëzve të praktikojnë barabarësinë dhe atë me një zë që do të jehojë përgjithmonë: “Ne nuk jemi në lidhje me arabët ose romakët, ne nuk lidhemi me ndonjë ekzistencë të vetmuar, ne dashurojmë atë që është në Hixhaz dhe për këtë jemi të lidhur në mes vete”. Pa kurrfarë kompleksi ai kërkonte realitetin, kurse idetë dhe filozofinë e vet i merrte nga Kurani dhe Islami:

Ti e di se cili është besimi yt, fshehtësia e ekzistimit tënd në këtë botë;
Ky libër i gjallë, Kurani Famëlartë, i cili ka urtësi të paarritur e të brendshme;
Ai (Kurani) zbulon sekretin e ekzistencës,
dhe të gjitha gjërat e shtrembëruara drejtohen me të
”.

Ai parashtroi idenë se intelektualët e sinqertë duhet të pasurohen me Kuran dhe Islam sepse në të kundërtën, identiteti i tyre do të zhduket. Ikballi orvatej ta realizojë idenë dhe planin për udhëheqjen e popullit dhe tokës. Me fjalët e veta ai i dërgonte mesazhe Orientit dhe e inspironte me ide të reja. Mesazhet e tij më të pasura i shprehte nëpërmjet poezisë dhe prozës së dedikuar femrave edhe atë me një respekt jashtëzakonisht të madh.

Shumë poetë, shkrimtarë e letrarë e kanë vlerësuar gruan ashtu që fjalët e tyre asnjëherë nuk do të harrohen. Femra ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Mendimet e Ikballit për gruan janë aq të thella saqë kanë nevojë të studiohen me kujdes të madh nëse dëshirohet të kuptohen; në realitet, ai i përdorte të njëjtat terme e ekspresivitete që theksohen në Kuran. Në Kuran gratë prezentohen si qenie brilante, të drejtat e tyre qartësisht ceken e potencohen, mirëpo nuk duhet të harrohet se si femra ashtu edhe mashkulli kanë identitet me karakter individual. Femra në Kuran paraqet personifikim të natyrës dhe për këtë ka koekzistencë mes etikës së Kuranit dhe natyrës. Islami që prej fillimi i caktoi të drejtat e gruas të humbura fare. Muhamedi (pqmtf) thotë: “Gratë janë amanet hyjnor mes nesh dhe për këtë respektoni ato!

Vazhdon

Shkrim i huazuar nga revista kulturore islame “Nur”, nr. 3, Shkup 1994, fq. 43-45.