
Cilat janë gjërat e papastërta
Pastërtia (tahareti) në Islam nuk është vetëm një çështje higjiene trupore, por një parim themelor shpirtëror dhe ligjor që lidhet drejtpërdrejt me adhurimin, veçanërisht me namazin. Islami i kushton rëndësi të madhe pastërtisë së trupit, rrobave dhe mjedisit, sepse njeriu që qëndron para Allahut duhet të jetë i pastër si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda. Për këtë arsye, Sheriati ka përcaktuar qartë se cilat gjëra konsiderohen të pastra dhe cilat të papastra (nexhase).
Njohja e gjërave të papastra është e domosdoshme për çdo besimtar, sepse kontakti me to ndikon drejtpërdrejt në vlefshmërinë e adhurimeve dhe në lejueshmërinë e ushqimit, veshjes dhe sjelljes së përditshme. Më poshtë paraqiten disa nga gjërat që, sipas jurisprudencës islame, konsiderohen të papastra dhe rregullat që lidhen me to:
-Urina dhe jashtëqitja e njeriut dhe i të gjitha kafshëve, mishi i të cilave është ligjërisht i pangrënshëm e të cilat kanë gjak vërshues (pra gjak që del gulfa-gulfa kur theren ose u hapet ndonjë venë),
– Sperma, trupi i vdekur dhe gjaku i njeriut dhe i çdo kafshe që ka gjak vërshues, pavarësisht nga fakti se nëse mishi i tyre është apo nuk është i ngrënshëm ligjërisht. (Vetëm trupi njerëzor bëhet i pastër pasi është larë në mënyrë ceremoniale).
-Qeni dhe derri që jetojnë në tokë. Po kështu janë të papastër leshi i tyre dhe të gjitha fluidet të sekretuara prej tyre.
-Vera dhe të gjithë intoksikantët e tjerë, që rrjedhin nga njëri-tjetri.
Kur një gjë e pastër bie në kontakt me një gjë të papastër, atëherë gjëja e pastër bëhet e papastër, nëse njëri nga dy objektet ose që të dy janë të lagët dhe lagështia e njërit depërton tek tjetri. Ushqimi i papastër nuk mund të bëhet i pastër duke e nxehur apo zier.
Është e ndaluar të hahet apo të pihet një gjë e papastër. Gjithashtu është e ndaluar që ajo t’i jepet si ushqim një tjetri, bile edhe një fëmije.
Është e ndaluar të bëhet e papastër një fletë letre mbi të cilën është shkruar emri i Zotit apo një verset kuranor. Në qoftë se ajo bëhet e papastër, duhet të pastrohet menjëherë me ujë.
Veshjet e një njeriu që kryen falje duhet të jenë:
- të pastra, b) të ligjshme, c) pa përmbajtje të ndonjë pjese të vdekur trupore në thurjen e saj, d) pa përmbajtje të ndonjë pjese të kafshëve ligjërisht të pangrënshme, e) pa përmbajtje të mëndafshit të pastër dhe f) pa përmbajtje fijesh ari. (Dy konditat e fundit zbatohen vetëm për meshkujt, të cilët nuk duhet ta zbukurojnë veten me stoli të arta).
Mjetet pastruese
Në qoftë se trupi apo veshjet bëhen të papastra, ato mund të bëhen të pastra në disa mënyra. Mënyra më e mirë është nëpërmjet pastrimit me anë të ujit.
“Zoti dërgon mbi ju ujë nga qielli, që të mund t’ju pastroj me të”. (Sureja al-Anfal, 8:11).
Këtu përmenden disa çështje të rëndësishme, që lidhen me mjetet larëse: Një ‘kur’ uji është afërsisht i barabartë me 384 litra. Sasia prej jo më pak se një ‘kur’ uji nuk bëhet e papastër nga ardhja në kontakt me diçka të papastër, po të mos ndryshojë ngjyra, era apo shija e tij. Për më tepër, në një sasi të tillë uji mund të bëhet e pastër gjithçka që është e papastër.
Një enë apo një objekt tjetër i papastër mund të pastrohet në një ‘kur’ ujë të rrjedhshëm ose ato duhen larë tre herë në një sasi uji më të vogël se një ‘kur’ (në mënyrë të tillë që uji të derdhet mbi sendin e papastër nga një enë e të mos ripërdoret).
Natyrisht, këto larje duhen kryer pasi të jetë larguar në mënyrë paraprake papastërtia origjinale. Por në qoftë se një qen ka lëpirë një enë, ose ka pirë apo ngrënë në të, në fillim ajo duhet fërkuar me argjile e pastaj të lahet në një ‘kur’ ujë, në ujë të rrjedhshëm ose në më pak se një ‘kur’ ujë.
Në qoftë se bie shi mbi një objekt të papastër, që nuk përmban papastërti origjinale, ai pastrohet.
Në qoftë se, si rezultat i të ecurit mbi një terren të papastër, tabani i këmbëve bëhet i papastër, ai mund të pastrohet duke ecur mbi dhé të pastër e të thatë, derisa papastërtia origjinale të largohet. Pas kësaj nuk është e nevojshme larja e tyre.
Në qoftë se trualli, ndërtesa, dera, dritarja apo ndonjë objekt tjetër i fiksuar, bëhet i papastër, ai pastrohet përsëri pasi të jetë fshirë papastërtia origjinale. Nëse vendi i papastër është i lagur, ai duhet të thahet nën rrezet e diellit që bien drejtpërdrejt mbi të.
Transformimi i një gjëje të papastër në gjë të pastër konsiderohet pastrim. Për shembull, kur një copë e papastër druri kthehet në hi pasi është djegur, apo një pije alkoolike kthehet në uthull, ato bëhen të pastra automatikisht.
Në qoftë se trupi i një kafshe është zhyer me një papastërti origjinale, siç është gjaku, ose me diçka që e ka bërë atë të papastër, për shembull uji i papastër, ai bëhet i pastër përsëri sapo substanca e papastër të eliminohet prej tij. Rasti i njëjtë është edhe me pjesët e brendshme të trupit të njeriut, të tilla si goja dhe flegrat e hundës. Ato pastrohen sapo të largohen papastërtitë origjinale.
Marrë nga libri Filozofia Islame,



