3.1

Cili është dështimi më i madh, të rrezikosh apo të dorëzohesh?

Spread the love

Intervistoi: Adelina Rama

Blerina Sadiku: “Rreziku nuk është dështimi më i madh, më i keq, por mospërpjekja është dështim i vërtetë, mendoj unë. Edhe nëse çdo gjë rezulton keq ose mbrapsht, edhe nëqoftëse e ndjen se asgjë s’mund të bëhet dhe kurrë të jetë kështu, së paku ia vlen të përpiqesh”.

Armend Feka: “Humbjet janë pjesë të jetës, janë beteja që humben dhe ne duhet të vazhdojmë, pa këto nuk mund të rritemi, të mësojmë”.

Granit Behrami: “Nëqoftëse në përpjekjen e parë rrëzohesh, ngritu dhe vazhdo tutje duke u përpjekur. Nganjëherë ai që rrezikon nuk humb asgjë dhe duke humbur gjithashtu fitohet”.

Mirsade Idrizi: “Humbja s’është një dështim, të mos përpjekesh përsëri është dështim. Ne nxjerrim mësimin më të mirë nga eksperienca e humbjes, dhe kështu triumfon. Jeta do të mësojë se me besim në Allah dhe me durim, ëndrrat mund të arrihen, të realizohen dhe s’jemi vetëm në rrugë, Allahu do të na shoqërojë”.

Jeton Hyseni: “Të gjithë kemi një ëndërr për të cilën luftojmë dhe japim çdo gjë nga ana jonë për të mundur që ta arrijmë, vetëm se s’duhet të dorëzohemi dhe gjithmonë do të jetë Allahu me ne duke na shoqëruar në rrugëtimin tonë, duke na dhënë forcë për të vazhduar para dhe për t’i realizuar dëshirat tona”.

Shqipdona Morina: “Nganjëherë njeriu ndjehet vetëm në luftë. Personi që më së shumti i beson të lë mënjanë! Por s’ka rëndësi, gjithmonë vjen një dritë në fund të tunelit. Jeta është e bukur dhe duhet ta jetojmë ashtu siç na paraqitet. Kështu që, për synimet tona duhet ta marrim rrezikun, të mos kemi frikë fare nga dështimi, ndonjëherë triumfojmë e herë humbim, kjo është jeta”.

Malush Hyseni: “Të gjithë kemi ëndrra në jetën tonë dhe gjithashtu na takon që të kalojmë nëpër shumë gjëra, sëmundje, vështirësi dhe vetmi, por këto janë pjesë të jetës. Fjala kyçe është besimi dhe shpresa në Zot, Ai është me ne, andaj të luftojmë për ëndrrat tona, të mos druajmë nga humbja”.

Besarta Rushiti: “Ai që ndjek do t’i realizojë qëllimet dhe ëndrrat, sado të vështira të jenë. Suksesi na jep besim për të vënë në praktikë atë që dështimi na e ka mësuar”.

Shkëlzen Kajtazi: “Duhet të luftosh për atë që e dëshiron. Jeta nuk është e lehtë, por me forcë mund ta bësh çdo gjë. Përpiqu, nëse fiton do të bëhesh më i lumtur, nëse humb do të mësosh, pra në të dy rastet do të jesh fitues!

Naser Beshiraj: “Zoti është i vetmi në jetë që mund t’i ndihmojë qenies njerëzore. Kurrë s’do të jem vetëm, sepse Zoti është me mua, në çdo kohë dhe e falënderoj për këtë. Njeriu kurrë s’duhet të pushojë së ndjekuri ëndrrat, me besim dhe shpresë realizohen ëndrrat”.

Sami Surdulli: “Për të hapur rrugë të reja, duhet të jesh në gjendje që të humbasësh. Nganjëherë fitohet dhe nganjëherë mësohet”.

(Revista “Vlera”, nr. 19, korrik/gusht 2016, fq. 48-49)