1.1

DEKLARATA E AMANIT

Spread the love

Përgatiti: Fehmi Maliqi

Përmbledhje e shkurtër e Deklaratës së Amanit

Deklaratën e Amanit deri më tani e kanë nënshkruar 552 dijetarë muslimanë, intelektualë të njohur, politikanë dhe personalitete nga fusha të ndryshme studimore nga 84 vende të ndryshme të botës.

Deklarata e Amanit është një konsensus dhe ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme që ka ndodhur në historinë e deritanishme të muslimanëve që nga shkuarja në amshim e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhammedit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Ajo paraqet shprehjen e një ndryshimi në ummetin tonë e cila jo vetëm se synon unitetin por edhe aktivisht e përfaqëson këtë unitet duke i dhënë theks të veçantë tezës se mesazhi i Islamit edhe nuk mund të kuptohet ndryshe përveç se përmes unitetit.

Do të doja që në pak rreshta ta prezantoj këtë dokument dhe tri porositë e tij kryesore. Ato japin përgjigje në pyetjet të cilat kohë pas kohe bëhen të pashmangshme dhe që nëpër forume të ndryshme shkaktojnë debate të tepërta, të panevojshme dhe joproduktive, dëshmitarë të të cilave jemi edhe vet. Rrymat e reja fetare janë kërcënime nga të cilat duhet të përmbahemi dhe të jemi shumë të kujdesshëm. Që ky kujdes të jetë edhe i frytshëm do ta kemi edhe ndihmën e Deklaratës së Amanit, që njëherit është edhe konsensusi më i madh mes muslimanëve pas kohës së Hazret Muhammedit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).

Kush është musliman?

Kushdo që është pjesëtar i njërës nga katër shkollat e fikhut sunnit (Hanefi, Shafi’i, Maliki dhe Hanbeli), dy shkollave shiite (Xha’feri dhe Zejdi), i shkollës Ibadi ose Dhahiri, konsiderohet se është musliman. Andaj nuk ka kurrfarë baze që një person i tillë të shpallet jomusliman/jobesimtar. Nderi i tij/saj, pasuria dhe jeta e tyre janë të mbrojtura. Sipas fetfasë së El-Ez’herit, më tutje, thuhet se nuk është e mundur që për jomusliman/jobesimtar të shpallet dikush që i takon shkollës teologjike esh‘arite ose për shkak se është sufi i vërtetë (Sufizmi), e as që është e mundur të shpallet për jomusliman dikush që me përpikëri ndjek selefët.

Gjithashtu, nuk është e mundur e as që është e lejuar që për jomusliman të shpallet cilido grup i muslimanëve nëse besojnë në Allahun, e falënderojmë dhe e madhërojmë Atë, sikur që e besojnë edhe të Dërguarin e Tij, shtyllat e Islamit, dhe që nuk mohojnë asnjë bazë qenësore dhe të ditur të fesë.

Uniteti në pluralitet

Ka më shumë të përbashkëta në mes të shkollave të ndryshme juridike në Islam, sesa që ka dallueshmëri. Të gjitha shkollat juridike në Islam (tetë sosh) i pranojnë bazat e besimit. Të gjitha ato e pranojnë dhe besojnë Allahun, e falënderojnë dhe e madhërojnë Atë, si Një dhe të Vetëm; se Kurani Fisnik është shpallje e fjalës së Allahut dhe se Muhammedi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) është i Dërguar për tërë njerëzimin.

E tëra është në harmoni me pesë themelet e Islamit: dëshmia e besimit, namazi, zeqati, agjërimi dhe haxhi në Shtëpinë e Shenjtë në Mekke. Gjithashtu e tëra është në harmoni me themelet e imanit: besimi në Allahun, engjujt e tij, shpalljet e tij, të Dërguarit e tij, në Ditën e gjykimit dhe në përcaktimin e Allahut, të së mirës dhe të së keqes. Mospajtimet në mes ulemave të tetë shkollave juridike islame janë ekskluzivisht në degët sekondare të religjionit (furu’) dhe nuk përkojnë me parimet dhe themelet e besimit islam (usul).

Rregullat për dhënien e fetfasë (dekretit)

Identifikimi i shkollave të fikhut islam me Islamin nënkupton mbajtja me përpikëri të fundamenteve të metodologjisë në lëshimin e fetfasë: askush nuk mund të lëshoj fetfa pa kualifikim të domosdoshëm personal të cilin e cakton secila shkollë e fikhut islam (për ndjekësit e saj). Askush nuk guxon të lëshoj fetfa jashtë metodologjisë së përpiktë të shkollës përkatëse të fikhut islam (jurisprudenca islame) me të cilën muslimanët i shpie jashtë parimeve dhe kuadrit të Sheriatit dhe të asaj që është konstitucionalizuar në shkollat e fikhut islam.

Legjitimiteti i Deklaratës së Amanit

Deklaratën e Amanit deri më tani e kanë nënshkruar 552 dijetarë muslimanë, intelektualë të njohur, politikanë dhe personalitete nga fusha të ndryshme studimore nga 84 vende të ndryshme të botës. Për ata që duan të japin një kontribut edhe më të madh në ndriçimin e përmbajtjes së kësaj deklarate, le të klikojnë këtu.

(Revista “Vlera”, nr. 16, shtator/tetor 2015, fq. 14-15)




There are no comments

Add yours