DHIKRI – Përmendja e Zotit
Dhikri – Përmendja e Zotit
Mbështetem në Zotin e Lartësuar të na ruaj nga shejtani i mallkuar.
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi udhërrëfyesin dhe zotëriun e zemrave tona, Muhammed Mustafanë dhe mbi familjen e tij të pastër.
Selam alejkum vëllezërit e mi! Në këtë hutbe* – ligjëratë të parë dëshiroj t’i them disa hadithe që përcillen nga gjuha e Prijësit të besimtarëve (a.s.) për dhikrullah – përkujtimin e Allahut. Së pari do të e them atë që e ka thënë Zoti në Librin e Tij:
“O ju të cilët keni besuar, përmendeni Zotin me një përmendje të shpeshtë” (Surja el-Ahzab, ajeti 41), dhe në vazhdim do të përcjellim fjalët e Imam Aliut (a.s.) i cili lidhur me dhikrin ka thënë:
* “Dhikri është një kënaqësi për të dashurit (muhibët)”.
* “Dhikri është vendtubimi i të Dashurit”.
* “Dhikri është qiriu i të devotshmëve (mutekinëve)”.
* “Kush e ka përmend Zotin në fshehtësi është sikur ta ketë përmendur me një masë të madhe të dhikrit”.
* “Besimtari përherë është në përmendjen e Zotit dhe në meditim”.
* “Përmendeni Zotin me një përmendje të veçantë dhe jetoni me të sepse do të keni një jetë e mirë, udhëtoni me dhikër në rrugët e shpëtimit”.
* “Dhikri është dritë e mendjes dhe jetë e shpirtit si dhe lehtësim i gjoksit”.
Nga të gjitha këto perla urtësie që burojnë nga burimi i pastër i Pejgamberit Muhamed (s.a.a.) nga i cili burim përfitoi më së shumti Imam Aliu (a.s.), sepse ishte me të në çdo çast të jetës, kështu që Aliu (a.s.) na mësoi se ai që e përmend Zotin shpesh, zemrës së tij i bashkëngjitet Zoti dhe Zoti ia mundëson përmendësitë të Tij një prestigj të veçantë dhe qenia e tij të bëhet e dashur në zemrat e besimtarëve. Pra ky prestigj të cilin e fiton Dhakiri (personi që bënë dhikër) arrihet nëpërmes përmendjes Hyjnore dhe i bënë njerëzit të mahnitur përreth tij. Ndjekësit e metodologjisë së Ehli Bejtit (a.s.) sa i përket dhikrit janë ata të cilët janë përshkruar se përherë në çdo gjendje janë në dhikër, këtë e gjejmë në lutjen e Imam Sexhadit (a.s.):
“A nuk është më se e vërtetë se me përmendjen Tënde zemrat qetësohen? Nga veçoritë e përmendjes Tënde është se Ti të gjitha gjërave i ke caktuar një kufi përveç dhikrit Tënd. Përkujtimi për Ty nuk njeh kohë, as vend dhe as numër, dhe Ti na urdhërove që në çdo gjendje të të të përmendim ty o Zoti im”.
Hutben e përfundoj me një lutje nga Imam Aliu (a.s.):
“Të lutem Ty, pashë hatrin Tënd, pashë shenjtërinë Tënde dhe pashë madhështinë e cilësive dhe emrave Tu që të bësh kohën time, sikur gjatë netëve ashtu edhe gjatë ditëve të jem në përmendjen Tënde, të jem i lidhur në shërbimin Tënd! Të lutem o Zot që veprat e mia të jenë të pranuara, derisa të bëhen veprat dhe dëshirat e mia një dhe të jem në shërbimin Tënd”.
Falenderojmë të madhin Zot dhe lusim Atë që edhe ne të jemi nga Dhakirinjtë, Amin!
*Hutbeja e parë nga Labinot Qaushi e mbajtur në Universitetin e Nexhefit dhe e përkthyer në gjuhën shqipe nga vet autori.
(Revista “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 9)