2. Këshilla për lumturinë bashkëshortore

Disa këshilla për lumturinë bashkëshortore

Spread the love

6 – Martesa e hershme

Meqenëse martesa është një kërkesë e natyrshme, instiktive dhe islame, atëherë duhet që çdo musliman dhe muslimane të realizojë martesën bazuar në udhëzimet islame në moshë të re që të largojë nga ai/ajo, presionin e dëshirës dhe të pasionit dhe kështu të bllokojë një nga dyert e mëdha të shejtanit.

Imam Ali Khamenei thotë: “Pejgamberi, (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), i konfirmonte rinisë, edhe vajzave, edhe djemve, martesën e hershme, sigurisht me dëshirën dhe zgjedhjen e tyre e jo duke i detyruar. Ne duhet të punojmë që ta promovojmë këtë gjë në shoqërinë tonë. Rinia duhet të martohet në moshën e përshtatshme, para se të kalojë moshën e rinisë, në moshën kur janë aktivë dhe plot dëshirë. Kjo është e kundërta e perceptimit të shumicës së individëve, të cilët mendojnë se martesa në kohën e rinisë është e papjekur dhe e paqëndrueshme. E kundërta është e vërteta dhe realiteti. Nëse martesa bëhet ashtu siç duhet, ajo do të jetë një martesë e qëndrueshme dhe e mirë dhe lidhja ndërmjet gruas dhe burrit do të jetë shumë e afërt”. Mësimet islame kërkojnë që martesa të bëhet në kohën e saj, me fjalë të tjera kur të ndjehet nevoja për martesë, sepse sa më herët të jetë, aq më mirë është. Me thënien “sa më shpejt” duhet të nënkuptojmë kohën që djali dhe vajza e ndiejnë se kanë nevojë të martohen, prandaj sa më shpejt të bëhet martesa, aq më mirë është. Arsyeja e fshehtë e kësaj është:

Së pari: Martesa ka begati dhe mirësi që i martuari i arrin në kohën e vet, para se të ikë koha dhe të thyhet në moshë.

Së dyti: Martesa e ndalon revoltën e instinktit seksual. Për këtë është thënë: “Kush martohet ka ruajtur gjysmën e besimit të tij”. Pra, sipas këtij transmetimi, bëhet më se e qartë se gjysma e rreziqeve me të cilat përballet besimi i njeriut vijnë nga shpërthimi i instinktit seksual…”.

7 – Lehtësimi i martesës

Përderisa Islami e përkrah dhe e mbështet martesën e hershme, atëherë është obligim i shoqërisë islame që të përpiqet për ta lehtësuar martesën e të rinjve dhe të rejave.

Imam Ali Khamenei thotë: “Nëse i shikoni ceremonitë e martesës tek popujt e ndryshëm, do të vini re se ceremonitë e martesës në Islam janë shumë më të thjeshta. Sigurisht nuk ka ndonjë gjë të keqe kur feston dhe gëzon, por kjo nuk është prej sjelljeve dhe nderimeve zyrtare dhe fetare të martesës sipas parimeve islame. Secili e ka mundësinë të bëjë, ose të mos e bëjë diçka që dëshiron. Por të shkohet te tempujt, të përkulet para një personi, të bëhet ajo që bëhet nëpër ceremonitë që bëhen në vende të tjera, kjo nuk ekziston në Islam. Ajo që ekziston në Islam
është një formulë e ligjshme e sheriatit që duhet të lexohet”.

8 – Traditat para Islamit

Imam Ali Khamenei thotë: “Sheriati i shenjtë Islam i ka fshirë traditat dhe kushtet e njohura dhe të përhapura për çështjen e martesës në kohën para ardhjes së Islamit (xhahilijetit). Sheriati i shenjtë ka përcaktuar dhe vendosur një seri urdhëresash, kushtesh dhe traditash të reja. Nëse ne sillemi në një mënyrë që martesa dhe lidhja e saj është e distancuar nga ato gjëra që ka fshirë Islami, nëse martesa është e zbukuruar me traditat që ka themeluar Islami, atëherë edhe lidhja në martesë do të jetë sipas Islamit dhe do të jetë në harmoni me atë që është i kënaqur Pejgamberi i Islamit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij). Mirëpo, nëse fusim në aktin e martesës ato gjëra që i ka larguar Islami, atëherë lidhja martesore do të jetë e dominuar nga injoranca. Ne jemi muslimanë, prandaj nuk duhet të bëjmë vepra të kohës së injorancës (para
Islamit). Nëse nuk kujdesemi që martesën ta ndërtojmë sipas mësimeve të Islamit, atëherë pakti ynë nuk ka për të qenë një pakt i plotë islamik. E nëse pakti është islamik dhe në përputhje me traditat kur’anore që ka vendosur Islami, atëherë jeta jonë do të jetë e bukur dhe bashkëshorti e bashkëshortja do të jetojnë një jetë të mirë e të lumtur”.

9- Lehtësojini problemet, Allahu ju mjafton

Imam Ali Khamenei thotë: “Kur bisedon me rininë ata të thonë: “Në qoftë se ne martohemi në moshë të re, çfarë do të bëjmë më pas?” Këto janë kufizime të cilat pengojnë gjithmonë punët thelbësore dhe të rëndësishme. I Lartësuari thotë: “Nëse jeni të varfër, Allahu ju begaton nga mirësitë e Tij”, do me thënë se Allahu i Madhëruar kujdeset për problemet tuaja. Nëse ju martoheni, martesa nuk sjell vështirësi të veçanta për jetën tuaj. Allahu i Lartësuar do t’ju japë prej begative të Tij. Allahu i Madhëruar e thotë këtë. Në qoftë se ne shpenzojmë pa
kriter dhe nuk tregohemi kursimtarë, sigurisht që do të na dalin probleme. Nuk duhet të jemi as të shkujdesur e mospërfillës, siç janë ata të pasurit. Njerëzit e pasur e ngrenë lart standardin e ambicieve, të pasioneve dhe nevojave mashtruese. Po kështu edhe një pjesë e përgjegjësve janë të shkujdesur, megjithëse ata janë të obliguar të shmangin problemet e të shtojnë mundësitë, por ata nuk e bëjnë këtë. Unë dëshiroj të them se qeveritë nuk kanë ndonjë detyrim ndaj rinisë lidhur me martesën e tyre. Por rinia muslimane duhet të qartësohet se martesa është një çështje e domosdoshme, e cila duhet të realizohet. Kur vajzat thonë se nuk janë të gatshme për t’u martuar, apo kur djemtë thonë se akoma jemi të rinj, tregon se nuk kanë fituar mjaftueshëm pjekurinë. Por rinia është e shkëlqyer. Ajo ka përgatitjen e mjaftueshme dhe e kupton se martesa është marrja e përgjegjësive prej të cilave nuk duhet të shmangesh”.

 10 – Formalizma që çojnë në shpërdorim

Imam Ali Khamenei thotë: “Formalizmat janë një fenomen i dëmshëm për shoqërinë. Ata që i kundërshtojnë formalizmat nuk është se nuk i njohin kënaqësitë e tyre. Përkundrazi, ata i konsiderojnë formalizmat të dëmshme për shoqërinë, njësoj si një ilaç apo një pije e dëmshme. Për shkak të formalizmave të shumta, shoqëria dëmtohet shumë. Nuk do të përbënte problem nëse këto janë brenda kufijve të logjikës, por kur hyn në portën e garimit dhe arrin te shpërdorimi, atëherë ato formalizma dalin nga kufiri i tyre dhe shkojnë në drejtime të tjera”.

Po ashtu thotë: “Një pjesë e njerëzve e teprojnë në shpërdorime, kur fare pranë tyre ka plot njerëz që vuajnë edhe për gjërat elementare të jetës. Kushdo që bën shpërdorime të tilla të tepruara dhe të papërgjegjshme është gabimtar”.

Dhe: “Një pjesë e njerëzve futen në mëkate me veprën me të cilën mund të merrnin shpërblime, sevape me shpenzimet e tepërta që ata bëjnë dhe me veprat e ndaluara që kryejnë. Edhe përzierja e një vepre të mirë me veprat e ndaluara që ata i kryejnë, është e gabuar. Është e ndaluar shpenzimi i tepërt, shpërdorimi. Është haram edhe djegia e zemrave të njerëzve fukarenj, të cilët kapërcejnë mundësitë e tyre ekonomike që të përgatisin sendet e nusërisë për vajzat e tyre”.

Dhe: “Unë i kundërshtoj ata që i vënë të tjerët në pozita të vështira për të bërë detyrimisht shpenzime të tepërta e të shtrenjta për martesën. Sigurisht, ne e pranojmë festimin dhe gëzimin, por edhe kundërshtojmë ashpër shpërdorimin e tepërt”.

Dhe: “Sa e sa të rinj e të reja gjenden, të cilët edhe nëse martohen, mbi ta bie mospërfillja e pasanikëve. Në këto raste ata ndiejnë një mangësi dhe dhimbje. Kështu tek ata krijohet një ndjesi sikur atyre u mungon diçka dhe mallkojnë veten e tyre”.

Pjesë e marrë nga libri “101 këshilla për lumturinë bashkëshortore”, autor: Sejjid Ali Khamenei, përkthyes: Vullnet Merja, botues: “Shoqata Flladi”, Tiranë 2016, fq. 15-23.