AktualiteteFakteHistoriIslamologjiMësime IslameNjoftime

Disa mendime në lidhje me pushtimet e arabëve – Pjesa e parë

Pushtimet e Omerit: Mision fetar apo interesa materiale?

Gjeneralët e Halifes Umar e kishin pushtuar Persinë, Sirinë dhe Egjiptin. Pasardhësit e tij të dinastisë umajjade do t’i zgjeronin këto pushtime deri në jugun e Francës në perëndim dhe deri në kufirin e Kinës he të luginës së Indit në lindje. Studiuesit e historisë gjithnjë e kanë shprehur habinë e tyre për shpejtësinë e rrufeshme të pushtimeve arabe në shekullin e shtatë dhe të tetë. Të gjithë pushtimet e tyre, arabët i bënë brenda njëqind viteve, që është mbase seria më e mrekullueshme e pushtimeve
të njëpasnjëshme në historinë e njerëzimit. Shekuj pas kësaj, kërkohet akoma përgjigja e asaj se si arabët arritën të pushtonin kaq shumë vende për një kohë kaq të shkurtër. Shumë arsye janë dhënë nga historianët dhe në mesin e tyre mund të numërohen:

 lufta civile dhe anarkia në Persi
 lufta ndërmjet Persisë dhe Romës që zgjati 26 vjet dhe që i la të sfilitura të dyjapalët
 pakënaqësia e popujve të Sirisë dhe të Egjiptit, të cilët i mirëpritën arabët si çlirues
 varësia e persëve dhe e romakëve nga mercenarët, të cilëve u mungonte morali
 persekutimet fetare dhe sektariane nga ana e regjimeve në Persi dhe në Romë
 ngarkesa e madhe e tatimeve që u imponohej popujve të pushtuar nga persët dhe nga romakët.

Një arsye tjetër mund të ishte fakti se romakët dhe persët ishin të ngarkuar rëndë dhe nuk ishin mjaft të lëvizshëm. Në anën tjetër, arabët mund ta sulmonin kë të donin dhe pastaj të tërhiqeshin me devetë e tyre në shkretëtirë, atje ku kalorësia armike nuk mund të hynte për shkak të mangësive logjistike.
Në ekspeditat e tyre, arabët ishin gjithnjë më të paktë në numër se armiqtë e tyre por kjo nuk ishte domosdo një pengesë për ta. Historia është e mbushur me shembuj të fitoreve të ushtrive të vogla vullnetare kundër ushtrive të mëdha profesioniste.

Megjithatë, vetë myslimanët i mohojnë këto gjëra si arsye të suksesit të tyre. Për ta, fshehtësia e suksesit të tyre ishte në moralin dhe në entuziazmin fetar të ushtarëve myslimanë. Sipas myslimanëve, fuqia shtytëse që fshihej pas pushtimeve arabe të shekullit të shtatë ishte Islami. Sipas tyre, secili arab që u nis nga Arabia për të luftuar, ishte një luftëtar i shenjtë, një “muxhahid”, i cili luftonte për lavdinë e Zotit.

Megjithatë, ky pretendim është vetëm pjesërisht i saktë. S’ka dyshim se kishte
myslimanë të tillë që përpiqeshin për ta përhapur dritën e Islamit në këtë botë. Por kishte edhe shumë të tillë (që e përbënin pjesën dërrmuese të ushtrisë), të cilët luftonin për dobitë materiale që u premtonin këta pushtime. Ata e kishin zhvilluar tashmë një apetit të dallueshëm sekular për fuqi dhe pasuri.

Dhjetë të garantuarit për Xhennet dhe pasuritë e tyre marramendëse
Joel Carmichael


Shtysat kryesore që i nxorën beduinët nga shkretëtira ishin epshet dhe lakmitë, që s’ishin tjetër veçse pasojë e kufizimeve të shkretëtirës dhe e mundësive të mëdha që u ofronin pushtimet e shoqërive më të zhvilluara. Kështu, ndonëse kishte edhe të tillë që “luftonin për amshimin”, shumica e njerëzve “vriste për lakmitë e kësaj bote”.

Në këto pushtime, dimensioni shpirtëror i mësimeve të Muhammedit u errësua plotësisht nga sasia e plaçkave që mund të fitoheshin në luftë. Me këtë, një kurejshit tejet me emër, i cili konsiderohej aq i virtytshëm sa Muhammedi, për shkak të dashurisë së këtij personi për Islamin, e kishte radhitur në mesin e dhjetë personave që u premtohej parajsa duke qenë akoma në këtë botë, do të vdiste
duke lënë pas një pasuri që ishte ndërmjet 35 dhe 52 milionë dirhemëve.

Ky person kishte njëmbëdhjetë shtëpi vetëm në Medine dhe shumë të tjera në Basra, në Kufe, në Fustat dhe në Aleksandri. Një tjetër nga dhjetë personat, të cilëve u ishte premtuar parajsa nga Muhammedi, posedonte një pronë prej 30 milionë dirhemësh dhe në çastin e vdekjes, pasardhësit e tij kishin të gatshëm dy milionë dirhemë.

Kur të shihet në perspektivë, bëhet e qartë se sa mendjelehtë është konceptimi tradicional që thotë se ekspansioni arab ishte një lëvizje pietiste, e shkaktuar nga ambiciet religjioze të Muhammedit.
…Duket se nuk ka dyshim se gjëja e fundit që e mendonin myslimanët arabë, ishte konvertimi i dikujt. Për të qenë më të saktë, virtytshmëria që do të bëhej shenja dalluese e Islamit të mëvonshëm, së paku në disa manifestime të tij, ishte një gjë krejtësisht e huaj për pushtuesit e parë arabë. Është më se e qartë se forca
kryesore pas pushtimeve të arabëve myslimanë nuk ishte aspak fetare por më tepër mbështetej në impulsin shpërngulës nga gjendja mijëvjeçare e arabëve të shkretëtirës. Njerëzit si Halidi dhe Amri, për shembull, nuk ishin njerëz të famshëm për virtyte dhe për misticizëm. Interesat e tyre ishin thjesht praktike.

Vetë kalimi i aristokracisë mekkase në radhët e myslimanëve, është një ilustrim i mjaftueshëm i injektimit të beftë dhe të parezistueshëm të elementëve thjesht sekularë në sipërmarrjet e hershme të shoqërisë myslimane, e cila ndonëse e formuluar në baza fetare, manifestohej në baza politike. (“Trajtësimi i arabëve”, New York, 1967)

Është e vërtetë se feja ishte faktori që i nxori myslimanët nga Arabia për të pushtuar vende të huaja. Por në çastin që dolën, feja pushoi së qeni një faktor në pushtimet që do të vinin. Roli i fesë ishte një rol katalitik në “shpërthimin” e arabëve. Nëse vërtet feja dhe virtytshmëria ishin arsyet e suksesit të myslimanëve në ekspeditat e tyre, atëherë si mund të shpjegohet suksesi i popujve të tjerë jomyslimanë? Disa prej këtyre popujve ishin armiq të Islamit dhe megjithatë, ishin treguar fitimtarë në një nivel që ishte i
barabartë dhe mbase më i lartë se ai i pushtimeve myslimane.

Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi

Të ngjashme

Back to top button