Dobitë e organizimit të tubimeve për të kujtuar Imam Husejnin (5)
Kush e ndaloi përkujtimin e Ehli Bejtit?
Në kohën e emevitëve, transmetimi i haditheve të Imam Aliut dhe përhapja e tyre në mesin e njerëzve i kushtonte me jetë transmetuesit. Muavije ibn Ebi Sufjan nxori ligj në atë kohë ku thuhej se ai që transmeton hadithe nga Aliu, do t’i shembet shtëpia, do t’i ndërpritet furnizimi, do të përballet me vrasjen dhe ekzekutimin.
Kushdo që shkruante poezi apo lavde për Ehli Bejtin, përndiqej dhe burgosej. Organizimi i ceremonive të Ashurasë ishte i rrezikshëm në disa periudha kohore. Ndalohej zijareti i Imam Husejnit në Qerbela. Ai që tentonte të shkonte për zijaret, arrestohej dhe ndëshkohej.
Në krahasim me ato kohë, sot gjendet më shumë mundësi e siguri për organizimin e ceremonisë së përkujtimit të ndodhisë së Qerbelasë. Prandaj, duhet që të përfitojmë nga kjo situatë dhe t’ua bëjmë të njohur njerëzve Ehli Bejtin e Profetit Muhamed duke përdorur të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme për këtë qëllim.
Nuk duhet që Ehli Bejti (paqja qoftë mbi ta) të mbeten thjesht emra në mendjen e dashamirësve dhe të ndjekësve të tyre, por duhet që Ehli Bejti të jetë shembull dhe shembëlltyrë në jetën e dashamirësve dhe ashikëve të tyre. Ata duhet të ecin në rrugën e Ehli Bejtit me fjalë dhe me vepra. Kjo është dashuria e vërtetë për Ehli Bejtin dhe kjo është ndjekja e vërtetë e tyre. (Vazhdon)
Shkrim i huazuar.