Aktualitete

Egoizmi – Rrënja e Arrogancës dhe Tiranisë

Mospastrimi i shpirtit është burimi i prishjes njerëzore dhe rrënimi moral i shoqërisë. Vetëm përmes pastrimit të brendshëm, njeriu gjen drejtësinë, përulësinë dhe paqen.

Në themel të të gjitha konflikteve, përplasjeve dhe padrejtësive që ndodhin ndërmjet njerëzve, qëndron një shkak i përbashkët: mospastrimi i shpirtit. Ky është edhe qëllimi kryesor i shpalljeve hyjnore: pastrimi i zemrave dhe ndriçimi i mendjes përmes urtësive të Librave të Shenjtë.

Nuk është e mundur që të shfaqë sjellje tiranike apo të degradojë moralisht ai që e ka pastruar shpirtin dhe e ka mbushur zemrën me dritën e shpalljes. Sepse kush e njeh fundin e vet, kush e pranon përkohësinë e jetës, nuk i jep vetes pushtet të pamerituar dhe as nuk i ngritet mendja.

Në Kur’anin Famëlartë, Zoti thotë: “Me të vërtetë, njeriu kalon kufijtë, kur e sheh veten si të vetëmjaftueshëm.” (el-Alek, 6-7). Ky ajet shpalos një të vërtetë universale: sapo njeriu të ndiejë se s’ka nevojë për askënd, se është i plotfuqishëm, aty lind arroganca, mendjemadhësia dhe tirania.

Të gjitha ndasitë, grindjet dhe padrejtësitë e botës moderne burojnë nga ego të papastruara – nga zemra që nuk e njeh përulësinë dhe nuk e ndien Zotin. Egoizmi është shkëndija e parë që ndiz shkretëtirën morale të njeriut. Dhe nga ai lind harbutëria, tirania dhe luftërat e brendshme e të jashtme.

Shpëtimi fillon me përballjen me vetveten. Njeriu duhet të ndërtojë një dialog të pandërprerë me shpirtin e tij, ta shohë veten me kujdes, ta pastrojë nga lakmitë, nga urrejtjet, nga ndjesia e epërsisë. Nëse ky pastrim ndodh, shumica e plagëve shoqërore do të shuhen vetvetiu.

Sepse egoizmi është rrënja e çdo sëmundjeje morale. Ndërsa pastrimi i shpirtit është ilaçi i vetëm për paqe të brendshme dhe drejtësi në botë.

Nga redaksia VLERA

Të ngjashme

Back to top button