1.14

FATIME ZEHRA (poezi)

Spread the love

Të lumtura ishin ato ditë
Kur Pejgamberi u lajmërua
Për një lajm të ri
Se do të lindë një fëmijë.

Katër zonjat e Xhennetit
Hynë në shtëpinë e Profetit
Plot me fat e krenari
Të lidhin një kondak të ri.

Porsi hëna e plotë
Ishte fytyra e Fatimes
Ngjyrë e bardhë e faqekuqe
Buzë të njoma si burbuqe.

A thua pse,
Allahu e zbriti suren Keuther
Me rastin e lindjes së vajzës së Pejgamberit?

Atëherë kur femra
Aspak nuk vlerësohej
Lindet ylli i pashuar
Idealja e madhëruar.

Fjala më e hidhët
Në ishullin e Arabisë
Ishte ebter, farëshuar
I thanë Profetit të Perëndisë.

Pse punon o Muhammed?
Ti nuk ke djalë, ti nuk ke shpresë
Kush do të trashëgojë,
Gjithë këtë vepër që po bën?

Çfarë marrëdhëniesh të mira kishte
Pejgamberi me Allahun
A thua pse nuk i dha një djalë,
Kështu menduan ata.

Ata që Pejgamberit
Me djem e nipa iu lëvduan
I la Allahu në faqe të tokës
Emrin e tyre për ta mallkuar.

Ebu Sufjani dhe Muaviu
Kishin djem e trashëgimi
Por mos e harroni edhe Hindin
Që e shkuli zemrën e Hamzës.

Pjella e fëlliqur e Hindit
I dha shëmtim gjithë dunjasë
I la Zoti për punë mallkimi
Deri në Ditën e Gjykimit.

Ky fis Pejgamberit iu lavdërua
Se kishte meshkuj për të luftuar
Por meshkujt e tyre u bënë jezidë
Prej asaj kohe e gjer në këtë ditë.

Edhe një gjë të kisha pyetur, nëse nuk mërzitesh
A vuri dikush emër, Jezid e Muavi?
Jo vëlla, jo, këtë nuk do ta dëgjosh
Qoftë në këtë botë edhe nga më i keqi njeri.

Ndërsa Pejgamberi me vajzën e tij
I dhuruan njerëzimit dymbëdhjetë imamë të rinj
Që vazhduan rrugën me gjak e me lot
Për të na përcjellë Kuranin, siç e kemi sot.

Nënën Fatime gjithmonë e përkujtojmë
Edhe pse varrin e saj nuk e dimë se ku ekziston
Salavate dhe selame për ju ne këndojmë
Pasardhësit e Pejgamberit kështu i respektojmë.

ALL-LLAHUMME SAL-LI VE SEL-LIM VE ZID VE BARIK ALA RESULULL-LLAH, VE ALIHIL AT’HAR

Marrë nga libri: “Eja Shpejt“, autore: Ikballe Berisha Huduti, shtëpia botuese “Dielli Pas Reve“, Prishtinë, maj 2015, fq. 121-123.

Huazuar nga sajti personal i autores.