2.1

Fitorja e madhe në Gadir

Spread the love

Fitorja e madhe në Gadir

Çdo vit, me arritjen e datës 18 Dhul-Hixhxheh, në shpirtin dhe zemrat e muslimanëve ngjallet kujtimi i një ngjarjeje të pavdekshme, ngjarje e cila ndodhi mbas Haxhit Lamtumirës të të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) në një vend të quajtur Gadir Hum. Gadiri ishte një kënetë, në rrugën në mes Mekes dhe Medines, ku karvanët e udhëtareve ndaleshin për të pushuar. Por, atë ditë pranë kësaj kënete, ndodhi ajo ngjarje e madhe.

Si filloi ngjarja?

Ishin orët e para të ditës së enjte dhe i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ishte duke u kthyer nga Haxhi i tij i fundit. Në çdo anë dëgjohej zëri i udhëtarëve të karvanit dhe hingëllima e kuajve dhe deveve. Por, në mes të kësaj zhurme, fytyra e ndritur e të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) tregonte se ai ishte thelluar në mendime dhe sikur ishte në pritje të një ngjarje të madhe. Kur karvani arriti në Gadir Hum, vendi ku irakianët, egjiptianët dhe popujt tjerë duhej të ndaheshin nga njëri-tjetri, i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ndjeu prezencën e ngrohtë të Xhibrilit (paqja qoftë mbi të), engjëllit të shpalljes, i cili erdhi me një mesazh të ndritur nga ana e Allahut, dhe iu drejtua të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) duke i thënë: O Muhamed, Allahu të dërgon selamin dhe të shpall këtë:

يَا أَيُّهَا الرَّسُولُ بَلِّغْ مَا أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ ۖ وَإِن لَّمْ تَفْعَلْ فَمَا بَلَّغْتَ رِسَالَتَهُ ۚ وَاللَّـهُ يَعْصِمُكَ مِنَ النَّاسِ

O ti i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën në tërësi komunikimin, atëherë nuk e ke kryer detyrën. Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve”. (Surja el-Maide, ajeti 67)

Çka na mëson ajeti i mësipërm?

Ajeti i lartpërmendur na tregon në mënyrë të qartë se misioni i të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) është duke përfunduar, por te populli duhet të arrijë një e vërtetë. Kjo e vërtetë është aq e rëndësishme, saqë nuk është e mundur përkryerja e fesë pa të. I Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), i cili ndiente një barrë të rëndë mbi supe, u bë gati që njerëzve t’i parashtrojë një çështje të rëndësishme. Pastaj, tha që të kthehen ata të cilët kanë ecur përpara dhe ata të cilët kanë mbetur mbrapa karvanit, dhe t’i bashkohen turmës së njerëzve para tij. Pas disa minutave të gjithë u mblodhën rreth kënetës Gadir Hum dhe me padurim prisnin që të kuptonin se pse i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i ka ndalur të gjithë këta njerëz në këtë shkretëtirë. Menjëherë nga samarët e deveve ndërtuan një minber (foltore) për të Dërguarin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), i cili u ngjit mbi të dhe duke u drejtuar përafërsisht njëqind mijë sahabëve të pasionuar tha:

Ndoshta, pas këtij viti nuk do t’ju shoh më përsëri. Është afër koha e dërgimit të ftesës nga ana e të Dërguarit të Allahut dhe të pranimit të saj nga ana ime”.

I Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e thirri Hazret Aliun (paqja qoftë mbi të) që të shkojë pranë tij. Më pas ia ngriti dorën dhe tha:

مَنْ كُنْتُ مَوْلاَهُ فَعَلِيٌّ مَوْلاَهُ
(Men kuntu mevlāhu feAlijjun mevlāhu)

Ai që më pranon si udhëheqës (mevla), edhe Aliu është udhëheqësi i tij. O Allah, duaje atë, i cili e do Aliun. Kush bëhet armiku i Aliut, Ti bëhu armiku i tij. Ndihmoje atë i cili e ndihmon Aliun. Braktise atë që e braktis Aliun dhe kudo që të shkojë, le të jetë e vërteta me të”.

Pastaj, e hoqi kapelën prej kokës së tij dhe e vendosi në kokën e Hazret Aliut (paqja qoftë mbi të) dhe i përgatiti një vend (çadër) të veçantë. Pastaj, dha urdhër që të vijnë sahabët në grupe dhe të mëdhenjtë e Kurejshëve dhe Ensarëve për ta përshëndetur Hazret Aliun (paqja qoftë mbi të) me titullin “Emirul-Muminun” (Udhëheqësi i besimtarëve). Dhe, të gjithë sahabët duke filluar prej Ebu Bekrit dhe Umerit, ia uruan të gjithë. Madje, Ebu Bekri dhe Umeri i thanë: “Të lumtë o djali i Ebu Talibit që u bëre udhëheqësi i ynë dhe i të gjithë besimtarëve”. Mbasi që përfundoi ceremonia e urimit, i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha se iu shpall ajeti:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا

Sot e përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe”. (Surja el-Maide, ajeti 3)

Çka deklaroi i Dërguari i Allahut pas kësaj?

Mbas emërimit të Hazret Aliut (paqja qoftë mbi të) si Imam dhe mbas shpalljes së ajetit për përkryerjen e fesë, i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) deklaroi: “Falënderimi qoftë për Allahun që e përsosi fenë, plotësoi dhuntinë dhe mbas misionit tim tregoi kënaqësi për caktimin e Ali ibni Ebu Talibit si Imam”. Sipas disa haditheve, i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e bëri komunikimin në këtë mënyrë:

Më erdhi Xhebraili nga ana e Allahut dhe më urdhëroi që të gjithë të bardhave dhe të zezave t’i bëjë shpalljen e Ali ibni Ebu Talibit si vëlla e trashëgimtar timin dhe si kalif dhe Imam mbas meje. Unë kërkova nga Xhebraili që Allahu të më kursejë nga kjo shpallje, sepse të paktë janë të devotshmit ndërsa të shumtë janë ata që do të më mundojnë dhe urrejnë për shkak të marrëdhënies sime familjare me Aliun. Nëse doni, mund të tregojë edhe emrat e tyre, por e ruaj fisnikërinë time duke e mbajtur të fshehtë emrat e tyre. Por, Allahu nuk pranoi që unë të përmbahem prej komunikimit. O ju njerëz, dijeni që Allahu ka zgjedhur Aliun për juve si udhëheqës dhe Imam, dhe e ka bërë obligim për çdo person bindjen ndaj tij”.

Allahu i Madhëruar në Gadir Hum i caktoi Imamët (paqja qoftë mbi ta) e pastër nga mëkatet si trashëgimtar të të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe si udhëheqës të muslimanëve, të cilëve ua dha diturinë e librit dhe urtësinë. Dhe, në këtë rast edhe muslimanët e tjerë duhet të pranojnë dhe t’i dorëzohen zgjedhjes dhe urdhrit të Allahut. Sepse, edhe në kuptimin e përgjithshëm, Islami do të thotë dorëzimi ndaj Allahut. Allahu, në ajetet 68 deri 70 të sures Kasas thotë:

وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ ۗ مَا كَانَ لَهُمُ الْخِيَرَةُ ۚ سُبْحَانَ اللَّـهِ وَتَعَالَىٰ عَمَّا يُشْرِكُونَ ۝ وَرَبُّكَ يَعْلَمُ مَا تُكِنُّ صُدُورُهُمْ وَمَا يُعْلِنُونَ ۝ وَهُوَ اللَّـهُ لَا إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ لَهُ الْحَمْدُ فِي الْأُولَىٰ وَالْآخِرَةِ ۖ وَلَهُ الْحُكْمُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ ۝

Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk u takon zgjedhja. I pastër dhe i lartë është Allahu nga çka i përshkruajnë për shok. Dhe Zoti yt e di se ç’fshehin zemrat e tyre dhe se ç’shfaqin haptazi. Ai është Allahu, nuk ka zot tjetër pos Tij, vetëm Atij i takon falënderimi në këtë botë dhe në botën tjetër dhe vetëm Atij i takon gjykimi dhe te Ai ktheheni”.

Për më tej rreth kësaj teme, klikoni këtu.




There are no comments

Add yours