
Halifi Osman dhe torturat ndaj Ebu Dherrit – Pjesa III
Halifja Osman, i cili nuk njihte kufij në dashurinë e madhe që ua shprehte armiqve të Muhammedit e të Islamit si Hakemit, Mervanit ose Abdullah bin Sad bin Ebi Serhu, bëri edhe shumë përpjekje për t’ua shprehur armiqësinë besimtarëve të vërtetë si Ebu Dherr el-Giffariu, Ammar bin Jasiri dhe Abdullah ibn Mesudi, të cilët ishin miq të Muhammedit. Historitë e tyre mbase do ta qartësojnë këtë çështje.
Ebu Dherr el-Giffari
Osmani mori lajm se Ebu Dherri kishte mbajtur një fjalim para myslimanëve dhe kishte thënë:
Unë jam Ebu Dherr el-Giffariu, shok i Muhammedit, të Dërguarit të fundit të Zotit. Zoti i lartësoi Ademin, Nuhun dhe fëmijët e Ibrahimit e të Imranit mbi njerëzit e tjerë. Muhammedi i ka trashëguar këta profetë dhe në vete i përmban të gjitha cilësitë dhe arritjet e mëdha. Pasardhës i Muhammedit është Ali ibn Ebu Talibi. O myslimanë të hutuar sot! Sikur ta kishit vendosur Aliun në krye dhe t’i kishit lënë prapa ata që meritonin të liheshin prapa e sikur të mos e largonit fuqinë nga burimi i saj, domethënë nga shtëpia e Muhammedit, tani do të bekoheshit me të mirat e Zotit. Nuk do të kishte sot as të varfër e as të mjerë dhe askush s’do të kishte mospajtime me tjetrin në lidhje me Fjalën e Zotit. Gjithkush do ta kryente detyrën e tij ndaj Zotit dhe ndaj të tjerëve, njësoj siç bëhej në kohën e të Dërguarit. Ju e gjetët udhëzimin tek burimi (d.m.th., tek shtëpia e Muhammedit), por lejuat që autoriteti dhe fuqia e kësaj shtëpie të uzurpohej. Shihni tani si e paguani këtë!
Informatorët e Osmanit i treguan gjithashtu se Ebu Dherri po ua tërhiqte vëmendjen njerëzve drejt devijimeve të Osmanit nga praktika e të Dërguarit dhe madje nga praktika e Ebu Bekrit dhe Umarit.
Osmani urdhëroi që Ebu Dherri të largohej nga Medineja dhe të shkonte në Siri për të jetuar.
Në Siri, Muaviju e kishte siguruar pozitën e tij dhe në vend të një jetese islamike, kishte zgjedhur një stil më sekular të të jetuarit. Ebu Dherri dëshmoi shumë praktika të gabuara dhe joislame në pallatin sirian. Ai pa se si floriri dhe argjendi i provincave të ndryshme keqpërdorej në Damask për t’u siguruar lukse aristokratëve, në një kohë kur shumë njerëz po vdisnin nga uria. Shumë shpejt, Muaviju do të kuptonte se Ebu Dherri s’ishte më i përballueshëm në Damask se ç’kishte qenë në Medine.
Ai i recitonte ato vargje të Kur’anit, në të cilat dënoheshin ata që mblidhnin pasuri të mëdha. Ai ishte pa kompromis në kritikat e tija dhe e thoshte të vërtetën, pavarësisht pasojave që mund t’i vuante. Muavije kishte ndërtuar një pallat për vete. Ebu Dherri i tha:
Nëse këtë pallat e ke ndërtuar nga paratë e myslimanëve, atëherë e ke keqpërdorur detyrën tënde. Dhe nëse e ke ndërtuar me pasurinë tënde personale, atëherë je fajtor për tepërim dhe ekstravagancë.
Ebu Dherri u thoshte gjithë kohës Muavijes dhe fisnikëve të mbledhur rreth tij se për arin dhe për argjendin që po mblidhnin, do të dënoheshin në ferr.
Më në fund, durimi i Muavijes e arriti kulmin dhe ai i shkroi Osmanit: “Kam droje se Ebu Dherri mund t’i bëjë njerëzit të rebelohen. Nëse nuk do një rebelim në gjithë shtetin, atëherë thirre atë sërish në Medine!”
Osmani u pajtua me këtë gjë. Muavije e hipi Ebu Dherrin në një deve dhe i urdhëroi shoqëruesit të tij që të udhëtonte pa ndalur drejt Medines. Ebu Dherri arriti thuajse i vdekur, përplot plagë dhe i sfilitur krejtësisht.
Por edhe në këtë gjendje, Ebu Dherri nuk mund të pajtohej me padrejtësinë, me gënjeshtrat dhe me mosbindjen ndaj urdhrave të Zotit. Dashuria për drejtësinë dhe të vërtetën e digjte zemrën e tij si një flakë.
Po të shihte një rast keqpërdorimi, menjëherë e dënonte hapur atë dhe autorët e këtij krimi. Më në fund, edhe Osmani nuk e duronte më tepër. Ai e thirri Ebu Dherrin në pallatin e tij dhe ndërmjet tyre u zhvillua dialogu në vijim:
Osmani: Kam për të të dëbuar nga Medineja.
Ebu Dherri: A do të më dëbosh vallë nga qyteti i Profetit?
Osmani: Po!
Ebu Dherri: A do të më dërgosh në Kufe?
Osmani: Jo!
Ebu Dherri: Mbase në Basra?
Osmani: Jo!
Ebu Dherri: Ku mund të më dërgosh tjetër?
Osmani: Cili është vendi që të pëlqen më së paku?
Ebu Dherri: Rebezeja.
Osmani: Atje kam për të të dëbuar.
Osmani e mbajti fjalën dhe e dëboi Ebu Dherrin drejt Rebezes. Përveç kësaj, urdhëroi që askush të mos e shoqëronte ose ta përcillte gjatë ikjes. Por Aliu erdhi për ta parë dhe për t’i thënë lamtumirë. Bashkë me Aliun, ishin edhe djemtë e tij, djemtë e Akil ibn Ebu Talibit dhe nipi i tij Abdullah ibn Xhaferi.
Ishte një skenë vërtet pikëlluese. Aliu po ndahej nga miku i tij i afërt dhe nga miku i dashur i Muhammedit. Zemra e tij po pikonte gjak por ai u përpoq ta ngushëllonte mikun e tij, duke i thënë:
“O Ebu Dherr! Ti shprehe zemërim për hir të Zotit, andaj ki shpresë nga Ai, për të cilin u zemërove. Njerëzit të patën frikë për botën e tyre kurse ti u trembe për besimin që ke. Atëherë ua lër atë për të cilën të patën frikë dhe largohu, duke e marrë atë për të cilën ti u trembe prej tyre! Sa shumë që kanë nevojë për atë që ti u thua dhe sa pak që të duhet ty ajo që ta mohojnë. Shumë shpejt do ta dish se kush është fitimtari nesër dhe kush është ai që duhet lakmuar. Edhe sikur qiejt e toka të ishin të ndryra për një njeri dhe ai ta kishte droje Zotin, atëherë Zoti do t’i hapte ato për të. Vetëm drejtësia duhet të të tërheqë dhe jo mizoria. Pa dyshim, sikur t’i pranoje kënaqësite e tyre të vdekshme, ata do të donin dhe sikur të merrje pjesë në to, do të jepnin strehë..”.
Pas Aliut, Husejni u kthye drejt mikut të dashur të gjyshit të tij dhe i tha: “O xhaxha! Zoti ka për ta ndryshuar edhe këtë kohë. Armiqtë e tu e “shpëtuan” botën e tyre por ajo që shpëtove ti është diçka që do të mbetet përjetë…”
Aliu dhe të afërmit e tij e shoqëruan heshturazi Ebu Dherrin dhe kur erdhi koha për t’u ndarë, Ebu Dherri tha: O njerëzit e shtëpisë së Muhammedit! Zoti ju bekoftë! Kurdo që ju shoh, më kujtohet miku im i dashur Muhammedi, i Dërguari dhe i dashuri i Zotit.
Ebu Dherri, e shoqja dhe skllavi që kishin, u syrgjynosën në shkretëtirën Rebeze dhe pas një kohe, Ebu Dherri vdiq atje. Shoqëruesit e tij ia mbuluan fytyrën, e kthyen drejt Qabes dhe u ulën pranë rrugës, pa ditur ç’duhej të bënin. Pikërisht në atë kohë, disa kalorës po vinin nga Iraku.
Në mesin e tyre ishte Abdullah ibn Mesudi, një shok i vjetër i Muhammedit. Kur e panë të venë e Ebu Dherrit, ata e pyetën se ç’kërkonte në atë vend të shkretë. Ajo u tregoi se kush ishin dhe se trupi i Ebu Dherrit po qëndronte i pavarrosur. Toka ishte e ashpër dhe nuk ishin të aftë t’i gërmonin një varr.
Abdullah ibn Mesudi shpërtheu në lot dhe e vajtoi vdekjen e mikut të tij dhe mikut të të Dërguarit. Bashkë me miqtë e tij, ai i hapi një varr, i bëri një varrim të thjeshtë, e fali namazin e të vdekurit dhe më në fund, e varrosi Ebu Dherrin.
Muhammed ibn Is’hak
Burajda bin Sufjan el-Eslemiu përcjell nga Muhammed bin Kaaba el-Kuraziu, i cili rrëfen se Abdullah bin Mesudi ka thënë:
Kur Osmani e syrgjynosi Ebu Dherrin në Rebeze dhe kur i erdhi çasti i vdekjes, nuk kishte pranë vetes veçse të shoqen dhe një skllav. Ai u tha t’ia lanin trupin, ta mbështillnin me një qefin, ta vendosnin anash rrugës dhe t’i kërkonin ndihmë karvanit të parë që do të kalonte, duke i treguar se kush ishte i vdekuri.
Kur vdiq Ebu Dherri, ata vepruan ashtu si i porositi. Në ndërkohë, Abdullah ibn Mesudi po vinte nga Iraku për pelegrinazh dhe e pa trupin anash rrugës. Skllavi u ngrit dhe tha: “Ky është Ebu Dherri, miku i të Dërguarit të Zotit. Na ndihmoni që ta varrosim!”
Me ta dëgjuar këtë, Abdullah ibn Mesudi shpërtheu në lot dhe tha: “I Dërguari kishte të drejtë. Ti ece vetëm, vdiqe vetëm dhe i vetëm do të ringjallesh”. Më pas, ai dhe shoqëruesit e tij zbritën nga devetë e tyre dhe e varrosën… (“Jeta e të Dërguarit”).
Dr. Taha Husejn
Ebu Dherri ishte njëri nga myslimanët e parë dhe njëri nga ata që duheshin dhe admiroheshin edhe nga vetë Profeti. Ky i fundit thoshte: “Qielli i kaltër s’ka mbuluar një njeri më të sinqertë se Ebu Dherri”.
Ebu Dherri kuptoi se Osmani i kishte falur shumë para Mervan bin Hakemit dhe se u kishte dhënë Harith bin Hakimit dhe Zejd bin Thabitit nga 300,000 dhe 100,000 dirhemë respektivisht. Ebu Dherri e kritikonte gjithë këtë dhe u tregonte mbledhësve të pasurisë se do të digjeshin në zjarr. Ai e recitonte vargun 9:34 të Kur’anit, që thoshte: “Paralajmëroi me një dënim të ashpër ata që mbledhin ar e argjend dhe që s’e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugë të Zotit!”
Mervan bin Hakemi e informoi Osmanin në lidhje me gjërat që thoshte Ebu Dherri. Osmani e dërgoi një skllav të vetin tek Ebu Dherri që t’ia ndalonte recitimin e atij vargu të Kur’anit. Ebu Dherri i tha:
“Mos vallë Osmani do të ma ndalojë leximin e Librit të Zotit, që pastaj t’i harroj urdhrat e Tij?” Në më duhet të zgjedh ndërmjet kënaqësisë së Zotit dhe kënaqësisë së Osmanit, s’ka dyshim se do ta zgjidhja kënaqësinë e Zotit”. (“El-Fitne’tul-Kubra”, botuar në Kairo, 1959, fq. 163).
Në Islam, zëri i Ebu Dherrit ishte i pari që u ngrit kundër totalitarizmit fetar e politik dhe kundër shfrytëzimit ekonomik. Ai ishte gjithashtu zëri i parë që u doli në mbrojtje myslimanëve të klasave të ulëta. Zëri i tij u shua por jo edhe idealet që i përcillte.
Këto ideale të tija buronin nga Kur’ani i Shenjtë dhe çdo përpjekje për t’i heshtur idealet e tija s’ishte tjetër veçse një përpjekje për ta heshtur vetë Kur’anin.
Zëri i Ebu Dherrit ishte zëri i vetëdijes islame dhe platforma e tij s’ishte tjetër veçse ajo e të drejtave të njeriut. Zoti e bekoftë përjetësisht Ebu Dherrin!
Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )



