
Kënaqe bashkëshortin, e jo nënën
“Më e mira grua prej jush është ajo e cila lind shumë fëmijë, e cila është xheloze dhe e ndershme, ajo që nuk u nënshtrohet dëshirave të farefisit, por e dëgjon vetëm bashkëshortin e vet, ajo që zbukurohet vetëm për bashkëshortin e vet dhe ruhet nga të huajt, e dëgjon dhe i përkushtohet bashkëshortit të vet, është tolerante ndaj dëshirave të tij të gabuara dhe në asnjë mënyrë nuk e humb modestinë e vet”.Profeti Muhamed ( pqmtf)
Gjersa vajza është në shtëpinë e prindërve të vet obligohet t’ua plotësojë dëshirën atyre. Por si të martohet, roli i saj ndryshon. Bashkëshortja në shtëpinë e bashkëshortit të vet duhet që prioritet t’u japë nevojave të bashkëshortit. Po edhe nëse bien në kundërshtim dëshirat e burrit dhe të prindërve të saj, ajo duhet ta dëgjojë burrin e saj, bile edhe nëse është në dëm të dëshirave të prindërve. Mosdëgjueshmëria ndaj burrit dhe e kundërta mund t’i dëmtojë marrëdhëniet bashkëshortore.
Përveç kësaj, shumë nëna nuk posedojnë dituri e urtësi të mjaftueshme. Disa nëna ende nuk kuptojnë se duhet që bijat e tyre t’i lënë të gjejnë gjuhë të përbashkët me burrat e vet. Çiftit bashkëshortor duhet mundësuar që vetë t’i planifikojë punët e veta, e nëse hasin në ndonjë vështirësi, duhet që me vetiniciativë t’i tejkalojnë ato.
Meqë vjehrrat (nënat e bashkëshorteve) nuk janë të vetëdijshme për këto fakte, atëherë ato, sipas mendimit të tyre, insistojnë që të tërheqin simpatinë e dhëndurëve të vet me kusht që ata të sillen në përputhshmëri me dëshirat e tyre. Ato mundohen, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, të ndërhyjnë në çështjet e tyre familjare. Ato i shfrytëzojnë bijat e tyre të reja, të papërvojë dhe pak të vetëdijshme për pozitën e tyre, me qëllim që të ndikojnë në dhëndurët e tyre. Nënat gjithnjë i mësojnë bijat e tyre se si të sillen, çka të bëjnë, çka të flasin e çka të mos flasin. Një vajzë, e cila konsideron se nëna e saj është e dhembshme dhe me përvojë, e dëgjon dhe u nënshtrohet dëshirave të nënës.
Nuk do të kishte asnjë problem që dhëndri t’u nënshtrohet dëshirave të vjehrrës së tij. Megjithatë, po të kundërvihet, atëherë fillojnë mosmarrëveshjet të marrin hov. Në rastin e dytë, nëna e paarsimuar mund të jetë aq kokëfortë sa që mund të sjellë gjer te shkatërrimi i familjes së bijës së vet. Nëna e paarsimuar, në vend që ta nxisë bijën e vet t’i kushtohet bashkëshortit të vet, ajo i mundëson që t’i kundërvihet. Nëna mund t’i thotë bijës së vet: ”E shkatërrove jetën. Çfarë burrë i keq. Sa njerëz të mirë ka pasur që ishin të gatshëm të martohen me ty! Sa e lumtur jeton familja juaj! Sa e lumtur është motra juaj! Ata kanë gjithçka e ti nuk ke asgjë. Pse të jetosh kështu? Bija ime e mjerë!”
Nëna, fjalët e së cilës konsiderohen të dhembshme, shkakton grindje e zënka në mes bijës së vet e bashkëshortit të saj. Kështu që bija vjen gjer në atë situatë të fillojë grindjet me bashkëshortin e vet. Prindërit, do të mbajnë, gjithashtu anën e saj ashtu që më në fund të fitojnë duke treguar gatishmëri që bija e tyre të ndahet nga burri i vet.
Një grua tridhjetëvjeçare e sulmoi nënën e vet pesëdhjetëvjeçare meqë ajo i kishte shkaktuar shkurorëzimin. Ajo grua deklaroi: ”Nëna ime aq shumë e ka shpifur burrin tim sa që këto shkaktuan shumë mosmarrëveshje në mes meje dhe atij. Më në fund fitova shkurorëzimin, por së shpejti u pendova. Mirëpo, ishte vonë, afro gjashtë orë pas ndarjes tonë burri im u martua me kushërirën time. Aq shumë u dëshpërova sa që vendosa ta rrahë nënën time”.
Një mashkull tridhjetenëntëvjeçar ka ikur nga gruaja dhe vjehrra e vet dhe u ka lënë një letër në të cilën thuhet: ”Për shkak të sjelljes së gruas sime dhe për shkak të asaj që nuk ishte e gatshme të vij me mua në Izmir, vendosa ta braktis këtë jetë. Gruaja ime dhe nëna e saj janë fajtore për vdekjen time”. Kështu përfundoi me vetëvrasje e njeriut të cilit iu mërzit ndërhyrja e vjehrrës së tij. “Një mashkull që e kishte lodhur ndërhyrja e vjehrrës së tij, e gjuajti atë nga taksi”
Padyshim, vajzat të cilat i dëgjojnë nënat e këtilla dhe u nënshtrohen dëshirave të tyre, do t’i sjellin vetes dëm të papërmirësueshëm. Andaj, çdo grua që përkujdeset për familjen e vet, nuk do të duhej të ishte nën ndikimin e dëshirave të nënës dhe nuk do të duhej të jetë e bindur se ajo është në të drejtë.
Gruaja e mençur dhe e urtë gjithnjë do t’i analizonte propozimet dhe rrëfimet e nënës së vet para se t’i aplikojë ato në jetën e saj familjare. Ato duhet aplikuar nëse nuk janë kontradiktore dhe nëse nuk rrezikojnë lidhjen e saj familjare. Në këtë rast duhet që vajza t’i nënshtrohet dëshirës së nënës. Përndryshe, nëse vajza e kupton se nëna e saj është e paarsimuar dhe se propozimet e saj çojnë në mosmarrëveshje e ngatërresa, atëherë mund ta kundërshtojë atë.
Sidoqoftë për të bijën ekzistojnë dy zgjidhje:
a) T’i ndjek dëshirat e nënës, e në atë rast do ta godasin zënkat familjare.
b) Ta injorojë nënën e vet, e tu përshtatet dëshirave të burrit.
Natyrisht se askush nuk do ta zgjidhte të parën, meqë po ta bënte këtë, do të duhej patjetër ose të jetojë në gjendje mjerimi me bashkëshortin e saj ose të ndahej prej tij. Nëse vazhdon të jetojë me bashkëshortin e saj, atëherë do të vuante së bashku me të dhe me fëmijët e saj. Në rast shkurorëzimi, ajo me siguri do të duhej të jetonte me prindërit e saj. Në këtë rast ata nuk do ta pranonin si anëtar të familjes dhe do të mundoheshin ta shporrnin qafe. Ajo do të ishte e degraduar dhe e nënçmuar nga të gjithë anëtarët e familjes. Po ashtu nuk është lehtë të jetosh vetë. Nuk do të ishte lehtë as sërish të martohesh. A mund që dikush të jetë i sigurt që orvatja tjetër do të jetë më e suksesshme? E çka me fëmijët? Pastaj çka me fëmijët e bashkëshortit tjetër.
Në momentin kur të mendojë gruaja për pasojat e aprovimit të dëshirave egoiste e të palogjikshme të nënës saj ose të tjerëve, duhet që prerë të vendos e t’i injorojë të gjitha bisedat në mënyrë që të mos rrezikojë marrëdhëniet me bashkëshortin e saj.
Ajo mund t’i thotë nënës së vet: ”Tani pasi u martova, për mua më mirë është të mundohem e ta ruaj kurorën time e me këtë ta kënaqi bashkëshortin tim. Me gjithë qejf do të jem xheloze ndaj tij sepse ai është partneri im. Ai mund të më sjellë lumturi e të më ndihmojë. Ai me mua i ndanë të gjitha të mirat e të këqijat e jetës. Atë e kam zgjedhur e nëse na paraqitet ndonjë problem, do të mundohemi që vetë ta zgjidhim. Ne jemi të aftë ta planifikojmë jetën tonë. Ndërhyrja juaj ka mundësi që situatën ta keqësojë edhe më tepër. Nëse dëshiron të kemi marrëdhënie të mira me ty, atëherë mos na ndërhyjë në jetën tonë dhe mos shpif për burrin tim se përndryshe do të detyrohem t’i ndërpresë marrëdhëniet me ty”.
Nëse nëna, për shkak të sugjestioneve tuaja, nuk ndërhyn më, atëherë nuk do të jeni të shqetësuar. Por, nëse ajo nuk është e gatshme t’i plotësojë dëshirat tua, atëherë më mirë do të ishte t’i ndërpreni marrëdhëniet. Me këtë do të jeni të shpëtuar dhe do të mund të jetoni të lumtur. Po edhe nëse humbni, për shkak të ndërprerjes së dëgjueshmërisë ndaj nënës e cila është naive, ju do të arrini më tepër autoritet te bashkëshorti juaj.
Pejgambri s.a.a. pohon: “Më e mira grua prej jush është ajo e cila lind shumë fëmijë, e cila është xheloze dhe e ndershme, ajo që nuk u nënshtrohet dëshirave të farefisit, por e dëgjon vetëm bashkëshortin e vet, ajo që zbukurohet vetëm për bashkëshortin e vet dhe ruhet nga të huajt, e dëgjon dhe i përkushtohet bashkëshortit të vet, është tolerante ndaj dëshirave të tij të gabuara dhe në asnjë mënyrë nuk e humb modestinë e vet”.
Pajgamberi s.a.a. madje thotë: “Gruaja më e keqe prej jush është ajo që e dëgjon farefisin e vet e nuk i plotëson dëshirat e bashkëshortit të vet, ajo që nuk dëshiron të lind fëmijë, ajo që ka shpirthakmarrës, ajo që nuk u frikohet veprave të këqija, ajo që në mungesë të burrit zbukurohet, ajo që nuk pajtohet me dëshirat intime të burrit të vet, ajo që nuk pranon faljen e tij dhe nuk ia falë atij gabimin”.
Marrë nga libri “ Etika bashkëshortore” – Prof. Dr. Ibrahim Emini



