kosova dhe liria

KOSOVA DHE LIRIA E SAJ JANË MISION DASHURIE (MESAZHI SUBLIM I ASHURASË)

Spread the love

Publicist: Fehmi Maliqi

“Fëmijët dhe pleqtë janë dy kategori delikate të një shoqërie, andaj kujdesi, edukata dhe mënyra fisnike e trajtimit të tyre na bënë të kuptojmë nëse fëmija do të ketë një fillim të mbarë dhe plaku një përfundim të lumtur. Apo thënë ndryshe është rrugëtimi i një qasje për atë se sa sublime duhet të jenë përpjekjet që një proces të finalizohet me suksesin e virtytit e jo të poshtërimit.’

Kosova e viteve nëntëdhjeta u gjet para një dileme ekzistenciale se në çfarë fryme duhet bërë zgjedhjen për çlirim, çmimi që kishte për pasojë një zgjedhje e tillë dhe mënyra e sanimit të pasojave. Angazhimet politike paqësore brenda kësaj periudhe nuk dhanë ndonjë rezultat të dukshëm dhe shpresëdhënës për heqjen e zgjedhës së robërisë. Madje nga një shoqëri që rrezatonte shpresë dhe ekzistencë u shndërrua në një shoqëri që rrezaton mjerim dhe një utilitarizëm ekstrem. Për fatin tonë të mirë, kjo periudhë përfundoi në vitin 1998 kur më nuk mbeti asnjë shpresë për zgjidhje paqësore të statusit të Kosovës, që do të nënkuptonte pavarësinë dhe çlirimin e plotë nga robëria serbe. Periudha e luftës u shqua me daljen në skenë të heronjve, burrave e grave që morën armët për çlirimin e plotë të Kosovës duke bartur me krenari uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkaq periudha e pasluftës u shqua me daljen në skenë të maskarenjve dhe grabitqarëve nga të gjitha taborët, qofshin ata që dikur çirreshin për nënshtrim ndaj Serbisë në emër të politikës paqësore dhe “sugjerimeve ndërkombëtare” dhe të atyre komandantëve që në kohë lufte kishin futur bishtin nën shalë dhe dirigjonin luftën nga hotele rezidenciale, duke mos çarë kokën edhe aq se çfarë realisht po ndodhte në teren dhe cilat ishin nevojat e njerëzve që vuanin si mos më keq edhe vrasjet edhe torturat më mizore. Pra njerëzit më të pamoralshëm të dy krahëve, të paqes dhe të luftës, morën në dorë edhe fatin e të ardhmen politike të Kosovës së pasluftës, duke bërë kështu pengesë e jetësimit të planeve, të hartuara dhe të miratuara në nivel ndërkombëtar, për pavarësimin, edhe de jure të Kosovës, sipas të cilave pavarësimi duhej të bëhej me referendum në vitin 2004.
Tani jemi në një fund të integruar e të përnjëhershëm të këtyre dy periudhave dhe karaktereve të cilave iu mbijetuam duke na mbetur forcë aq sa për ta rinisur një periudhë me vlera më të qëndrueshme etike,diturore dhe politike: atë të periudhës së politikanëve që paqen e promovuan si mundësi mbijetese pa kritere të qarta se çka në të vërtetë është paqja dhe çfarë kontributesh individuale e shoqërore e bëjnë atë të denjë dhe të suksesshme si proces dhe periudhën e një heroizmi të shpifur sipas të cilit heroi, luftëtari e trimi duhet doemos të jenë në ballë të një shoqërie, pavarësisht mungesës së njohurive elementare për ta drejtuar një shoqëri në kushte paqeje dhe të ndërtimit të paqes së qëndrueshme, zhvillimore dhe prosperuese mbi premisa të qarta shkencore, kulturore dhe etike. Në periudhën e parë e imagjinuam paqen si përpjekje e vetme për liri dhe në periudhën dytë e imagjinuam luftën dhe heronjtë si dikush që ka çelësin e zgjidhjes për çdo gjë, ndërkohë që imagjinata e tyre e trajtonte lirinë e fituar “prej tyre” si një kambial për gjithçka e gjithqysh.

Kapadahillëku pronësor ndaj paqes e luftës dhe vlerave sublime që kanë ato, na solli në një pozitë që tani të kemi fëmijë e pleq (sikur e thashë në fillim se janë kategoritë më delikate të një shoqërie) pa kurrfarë statusi shoqëror, të parët në huti e të dytët në skamje e mjerim. Mirëpo kriza e edukatës, diturisë/shkencës dhe kulturës te shqiptarët është e thellë dhe shumëdimensionale, andaj duhen kërkime multidiciplinare për ta gjetur fijen e zgjidhjes dhe çelësin i cili hap dyert e një perspektive me zhvillim normal në të gjitha fushat e jetës. Duhet punë e palodhshme që nga entet parashkollore e deri në Universitete dhe Akademi. Imagjinata shqiptare është kultivuar mes të pamundurës dhe të paqenmes, që si njëra ashtu edhe tjetra pas një periudhe si pasojë kanë mbjell zhgënjim dhe ikje. Tani na duhet një gjeneratë që fillon nga zeroja sepse vetëm në këtë pozitë njeriu i arsyeshëm del para pasqyre për ta parë veten, madje t’i qaset një procesi.Sepse shpejt do të vije dita që leckat e përdorura më nuk i duhen askujt.

Ne para luftës nuk kemi pasur kurrfarë subjektiviteti formësues Kemi qenë një mimezis politik, ekonomik, filozofik, social dhe psikologjike. Këto çështje po i shtjellojnë mjaft mirë disa të rinj në Kosovë, si Ardian Gola, Fatlum Sadiku, Sead Zimeri e shumë të tjerë. Mirëpo po na mungojnë të rinj në fushën e shkencave ekonomike dhe tekniko-telnologjike që janë të domosdoshëm për fillimin e një zhvillimi të hovshëm ekonomik, edhe jo se ata mungojnë fizikishtë por ende qëndrojnë në hijet e rënduara të estabilishmentit (pseudo e para )politik e pseudointelektual të Kosovës.

Njeriu është alkimisti i vetëm dhe bartë me vete eliksirin gjenerues të së mirës. Këtë nuk e kanë engjujt, edhe nëse e kanë, i detyrohen t’ia dhurojnë njerëzve të mire. E kjo gjeneratë duhet t’ia nisë nga dashuria, me dashuri, për dashurinë. Heronjtë e dashurisë janë e vetmja shpresë që do të bëhen forca tërheqëse e saja intelegjence të pakorruptuar me qëllimin më fisnik që t’ia heqim perden e hutisë fëmijëve dhe t’ia kthejmë buzëqeshjen në fundin e lumtur të pleqëve. Me këta heronj do të shporret diskriminimi, korrupcioni, krimi dhe injoranca, duke mos sakrifikuar më shumë se vendosmërinë për ta bërë një gjë të tillë me përkushtim dhe moral fisnik.

Dhe, shembulli më i mire është Imam Zejn-ul-Abidin i cili ishte i vetmi i mbijetuari i Qerbelasë nga Familja Profetike ( ngjarje kjo që sublimoi degradimin e një elite të pangopshme politike për mizori dhe i elitës tjetër Profetike që dha mesazhin e përjetësisë për mosnënshtrim ndaj të korruptuarëve dhe kriminelëve) por i mjaftueshëm për t’i dhënë vlerat më sublime e fisnike dëshmorësisë së të Atit të tij dhe Familjarëve të tjerë në një luftë tërësisht të pabarabartë në numra, por me një qartësi të mesazhit se dashuria është fara që mbinë, rritet e jep frytet e veta edhe aty ku më së paku shpresohet e besohet, është thesari Hyjnor i margaritarëve që rrezojnë në çdo kohë e në çdo vend.




There are no comments

Add yours