8b2838c02b73247a8f581597d987f886

Martesa e Muhammedit dhe Hatixhesë

Spread the love

Martesa e Muhammedit dhe Hatixhesë

Hatixheja, e bija e Khuvejlidit, ishte banore e Mekkes dhe i takonte fisit Kurejsh. Ajo respektohej nga mekkasit për karakterin e saj shembullor dhe për aftësinë organizative. Njësoj siç njihej Muhammedi me titujt “i besueshmi” dhe “i sinqerti”, edhe Hatixheja u bë e njohur si “Tahira” (e pastra). Ndër arabët ajo njihej si “princesha e tregtarëve”. Kurdo që karvanët largoheshin nga Mekkeja ose ktheheshin në Mekke, devetë e saja ishin përherë më të ngarkuara se devetë e të gjithë mekkasve bashkë.

Kur Muhammedi ishte 25 vjeç, kujdestari dhe xhaxhai i tij Ebu Talibi i sugjeroi Hatixhes që ta punësonte Muhammedin si udhëheqës të njërit nga karvanët e saj, i cili ishte gati për t’u nisur drejt Sirisë. Edhe Hatixheja ishte në kërkim të një personi të tillë dhe u pajtua menjëherë që Muhammedit t’i jepej kjo detyrë. Muhammedi e mori përgjegjësinë dhe karvani u nis për në Siri.

Shërbëtori i saj, i quajtur Mejsere, i bëri shoqëri Muhammedit dhe shërbeu si ndihmësi i tij. Kjo ekspeditë për në Siri solli shumë fitime për Hatixhen dhe ajo u ndikua aq shumë nga aftësitë e Muhammedit, sa e vendosi atë në krye të të gjitha tregtive të saja. Ky rast u bë edhe prelud i martesës së tyre.

Edward Gibbon

Në vendlindje dhe jashtë, në luftë e në paqe, Ebu Talibi ishte xhaxhai më i respektuar i Muhammedit dhe udhëzuesi e mbrojtësi i tij në rini. Me njëzet e pesë vjet, Muhammedi u punësua pranë Hatixhes, një vejushë e pasur dhe fisnike, e cila së shpejti e shpërbleu besnikërinë e tij duke ia falur dorën për martesë. Marrëveshja e martesës, në stilin e thjeshtë të antikitetit, flet për dashurinë e dyanshme të Muhammedit dhe Hatixhes, e përshkruan Muhammedin si më të mirin e fisit Kurejsh dhe parashikon një mehr prej dymbëdhjetë florinjsh dhe dymbëdhjetë devesh, të cilat i siguroi Ebu Talibi (“Rënia dhe shkatërrimi i Perandorisë Romake”).

Ebu Talibi e mbajti fjalimin e rastit gjatë martesës së Muhammedit me Hatixhen dhe fjalimi i tij nuk lë dyshim për faktin se ai ishte monoteist. Ai e filloi fjalimin në stilin “mysliman”, duke e lëvduar Zotin për mëshirën e Tij dhe për dhuratat e Tija të pafundme dhe e përfundoi duke u lutur që t’i mëshironte e t’i bekonte të porsamartuarit.

Martesa e Muhammedit me Hatixhen ishte një martesë e suksesshme dhe e bekuar me lumturi për të dyja palët. Hatixheja ia dedikoi jetën Islamit. Ajo e harxhoi gjithë pasurinë e saj për ta forcuar Islamin dhe për t’i shërbyer mirëqenies së myslimanëve.

Hatixheja e kishte po atë aftësi sakrifikimi si Muhammedi dhe kishte shumë dëshirë ta shihte triumfin e Islamit mbi paganizmin. Kësaj dëshire të flaktë ajo ia shtoi edhe përkushtimin dhe fuqinë. Ajo e çliroi Muhammedin nga barra e të fituarit për ta ushqyer familjen dhe i mundësoi atij t’ia kushtonte gjithë kohën të menduarit dhe thurjes së planeve për punën e madhe që e priste. Ky është kontributi më i madh që ajo ia bëri të shoqit. Ajo ishte përkrahja kryesore e Muhammedit në ato vite përgatitjeje për profetësinë.

Martesa e Muhammedit dhe e Hatixhes u bekua edhe me lindjen e vajzës së tyre Fatimesë, të njohur si “Zehra” (e Shkëlqyeshmja). Ndonëse dhuratat e Zotit për ta ishin të shumta, asgjë nuk ishte më e çmueshme se Fatimeja. Ajo ishte “drita e syve” të të atit, që në të ardhmen do të quhej “zonja e parajsës”. I ati dhe e ëma i falën dashuri prindërore dhe ajo solli në folenë e tyre shpresë, lumturi dhe bekim nga Zoti.

Marrë nga libri Ritregimi i Historisë Islame