
Ndikimi i mjedisit dhe struktura neurologjike e trurit.
Sipas Islamit dhe mendimtarëve realistë të botës moderne, njeriu vjen në këtë botë me një natyrë shpirtërore të pastër dhe të dobishme në përputhje me ligjet e trashëgueshmërisë. Prania e mëkatit dhe e korrupsionit tek ai është e rastësishme dhe e huaj për natyrën e tij origjinale. Është pikërisht dhunimi i kësaj natyre ose keq orientimi dhe regresioni i instinkteve, që çon jo vetëm në lindjen e sëmundjeve shpirtërore, por edhe bllokon lëvizjen e natyrshme të shpirtit me anë të komplekseve të veçanta. Përndryshe, ai ka aftësinë për të ecur përpara drejt përsosurisë me hapa të shpejtë dhe të sigurt, në përputhje me impulset e tij të vërteta.
Sigurisht, ndikimi i mjedisit nuk është i njëjtë në tru të ndryshëm me përbërje neurologjike të ndryshme, ashtu sikundër dhe mjedisi nuk ka të njëjtin efekt në rritjen e bimëve dhe barishteve të ndryshme. Secili individ jeton me strukturën e tij neurologjike, të cilën e ka të trashëguar në përputhje me ligjin e trashëgueshmërisë. Në botë nuk mund të gjenden dy individë, të cilët kanë strukturë dhe përbërje neurologjike të njëjtë. Ata dallojnë qartë nga pikëpamja e fiziologjisë individuale dhe e hormoneve trupore. Kështu, në të njëjtën mënyrë sesi ambienti ndikon mbi çdo farë dhe çdo bimë në një mënyrë specifike, edhe efekti te neuronet e trurit të çdokujt është i veçantë, në kuptimin që jeta në një mjedis të veçantë ka një efekt specifik mbi çdo individ dhe prodhon një personalitet të veçantë, i cili nuk është i krahasueshëm me atë të individëve të tjerë. Madje, dy fëmijë, vëllezër ose motra, të cilët dukshëm duhet të kenë karakteristika të veçanta të përbashkëta, si rrjedhojë e trashëgueshmërisë dhe mjedisit të përbashkët, shfaqin një dallim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e cilësive personale.
Thirrja e profetëve është e bazuar në gatishmërinë e qenësishme të njeriut drejt monoteizmit dhe natyrës morale të lindur. Këto parime të natyrshme, së bashku me arsyen, përbëjnë bazën themelore të edukimit. Roli i madh i profetëve të Zotit, të cilin kërkonin ta përmbushnin nëpërmjet misionit dhe mësimeve të tyre, ishte që të zgjonin kapacitetet e qenësishme të njeriut, të fshehura në natyrën e tij. Ekziston mundësia që drita e brendshme e natyrës mund të zbehet si rezultat i faktorëve dhe i rrethanave të ndryshme, që lidhen me qenien njerëzore, por natyra e vërtetë kurrë nuk mund të zhduket. Themelet e kësaj natyre kanë mbetur të sigurta dhe të qëndrueshme, pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat që dolën në rrugën e tyre, gjatë gjithë historisë. Së fundmi, shmangia nga kursi i natyrës nuk ka lidhje me realitetin dhe strukturën e lindur të njeriut.
Përfshirja në të mësuarit dhe në vetëdisiplinimin, duke u mbështetur në natyrën njerëzore, përbën një parim shumë të rëndësishëm. Por ne, gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se pasionet e dhunshme me fuqinë e tyre shkatërruese nuk mund të dobësojnë natyrën tonë. Nëse ne nuk jemi të aftë t’i kanalizojmë siç duhet dhe t’i përdorim në një mënyrë të ekuilibruar, si dhe të provojmë se jemi të paaftë të kontrollojmë teprimet, fuqitë tona natyrale do të jenë dobësuar dhe do të dështojmë në përdorimin e frytshëm të potencialeve të dhuruara sipas natyrës. Krijimi i ekuilibrit te pasioni dhe sjellja varet në njohjen e çështjes së përmbajtjes dhe të ushtrimit dhe në vazhdimësinë e përpjekjes dhe të sakrificës.
Për këtë çështje, Aristoteli thotë:
“Është konstatuar mjaftueshëm se virtyti moral është një mesatare dhe për më tepër, se në çfarë kuptimi është i tillë, se ai është një mesatare mes dy vesesh: njëri përfshin teprinë dhe tjetri pamjaftueshmërinë; se është i tillë, sepse karakteri i tij ka si qëllim gjetjen e së mesmes në pasione dhe në veprime. Për më tepër nuk është detyrë e lehtë të jesh i mirë. Për gjithçka, nuk është e lehtë të gjesh mesin. Për shembull, jo gjithkush mund të gjejë mesin e një rrethi, përveç atij që di ta gjejë; gjithashtu, dikush mund të inatoset – kjo është e lehtë – dhe të japë ose të paguajë para; por ta bësh këtë për personin e duhur, në sasinë e duhur, në kohën e duhur, kjo nuk ndodh për gjithkënd, as nuk është e lehtë; prandaj, mirësia është edhe e rrallë, edhe fisnike dhe e lavdërueshme.
Prandaj, ai që synon të mesmen, së pari duhet të shkëputet nga ajo çka është e kundërta e saj, siç këshillon Kalipsoja:
“Qëndroji anijes tutje se ajo bën dallgë e të spërkat.”
Përsa u përket ekstremeve të kundërta, dikush është më tepër i gabueshëm, dikush më pak. Meqenëse të gjesh të mesmen është e vështirë, ne duhet, siç thuhet, të marrim të dytën më të mirë; pra, të keqen më të vogël dhe kjo mund të realizohet më mirë, siç e përshkruam më lart.
Por duhet t’i shohim gjërat ashtu sikundër edhe ne vetë priremi ndaj tyre, pasi disa prej nesh priren ndaj diçkaje dhe të tjerë ndaj diçkaje tjetër dhe kjo mund të njihet nga kënaqësitë dhe dhimbjet që ndiejmë. Ne duhet ta tërheqim veten larg ekstremeve të kundërta; pasi ne do të tërhiqemi drejt gjendjes së ndërmjetme vetëm duke u tërhequr nga gabimet, ashtu siç bëjnë njerëzit për drejtimin e shkopinjve që janë të përkulur.
Nëse gjithçka, presioni apo kënaqësia, është se duhet të mbrohemi, ne nuk duhet të bëjmë gjykime të paanshme. Më pas, duhet të ndihemi ndaj presionit ashtu siç ndiheshin më të vjetrit tanë ndaj Helenës dhe në të gjitha rrethanat të përsërisim thëniet e tyre, pasi nëse largojmë kënaqësinë, jemi më pak të prirur për të humbur rrugën. Duke vepruar kështu, pastaj (të përmbledhim çështjen) do të jemi më shumë të aftë për të qëlluar në mes (në shenjë) – mesataren.”
Trajnimi shpirtëror dhe edukimi.
Trajnimi shpirtëror dhe edukimi duhet të jenë synimet tona më të larta në jetë. Është detyra jonë të hapim dritaren e zemrave dhe të mendjes për të lejuar hyrjen e virtytit, drejtësisë, dashurisë dhe mëshirës. Këto janë gjërat që ndriçojnë dhe lustrojnë zemrat tona dhe e bëjnë Krijuesin tonë unik në thelbin e Tij, për të qenë i kënaqur nga ne.
Shumica e njerëzve janë të përfshirë në të gjitha llojet e punëve dhe praktikojnë vetësakrifikimin, në mënyrë që të marrin të mirat materiale të jetës dhe të qetësohen e të vazhdojnë të punojnë rëndë deri në vdekje. Për këtë qëllim, ata i privojnë vetes rehatitë, pas të cilave gjenden dhe që i imagjinojnë si mjete të lumturisë. Kjo mënyrë e të menduarit është e gabuar dhe kjo është arsyeja e dështimit dhe e fatkeqësive të shumicës së njerëzve. Ata duhet të dinë se e kanë humbur rrugën e lumturisë dhe të suksesit. Njeriu nuk mund të arrijë paqen në jetë, pa shqetësime dhe ankth, nëpërmjet kërkimit dhe ndjekjes së kalimit të kënaqësive dhe të qejfeve ose nëpërmjet grumbullimit të sasive të pafundme të pasurive. Një program i tillë nuk e mbështet jetën dhe as e lulëzon atë. Përkundrazi, ai i than me shpejtësi burimet jetësore dhe i shkatërron ato.
Ai që kërkon lumturinë duke ndjekur kënaqësitë, nuk do të gjejë gjë tjetër, përveç ankthit, shqetësimeve dhe disfatës. Nëse dështojmë në kontrollin e pasioneve rebele dhe prirjeve foshnjore brenda vetes, që vazhdimisht ngrenë kokën me anë të arsyes dhe të mprehtësisë, ato do të mposhtin ndërgjegjen tonë dhe do të na kthejnë në skllevërit e tyre. Sa më të suksesshëm të jemi në nënshtrimin e dëshirave dhe të epsheve, aq më afër lumturisë do të jemi. Për ta përmbledhur, të gjitha fatkeqësitë, vuajtjet dhe paaftësitë, me një fjalë, gjithçka që turbullon horizontet e jetës sonë, është produkt i mbizotërimit të epsheve mbi qenien tonë.
Marrë nga libri “ Etika e zhvillimit shpirtëror – Yazdi..



