
Oaza ime – Nënat me të porsalindur
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Allahut, mëshiruesit, Mëshirëplotit
Të dashura mike,
Qofshi të përshëndetura me përshëndetjen më të ngrohtë e më të ëmbël: Es-selamu Alejkum ve Rahmetullahu ve berekatuhu që në shqip përkthehet: Paqja, mëshira dhe bereqeti i Allahut qofshin mbi ju.
E keni të ditur që gjërat që po i ndaj me ju tashmë më shumë i takojnë relacionit; Prind – Fëmijë, prandaj përgatituni se edhe kësaj radhe do të ndajmë disa gjëra të tilla, shpresoj që të jenë interesante për ju.
Java e parë e muajit Gusht në botë ishte e de dikuar për sensibilizim të gjidhënjes, ndërsa java e fundit e muajit Shtator iu dedikua Ndarjes së Qumështit të gjirit me fëmijët tjerë.
Ajo që më mundon shumë është që tek ne tani sikur është bërë modë që nënat të mos mundohen aq shumë që të kenë qumësht, por shumë shpejtë gjejnë alternativën: qumësht pluhur.
Nuk do kisha dashtë që të anashkalojë edhe arsyetimin për pamundësinë e prodhimit të qumështit të gjirit dhe pa ndonjë tjetër mundësi duhet të gjejë mënyra tjera të ushqimit. Më kujtohet kur kam marr pjesë në një ligjëratë pikërisht për këtë gjë, doktoresha që ligjëronte shumë qartë e potencoi që vetëm një përqindje shumë e vogël e grave që janë të afta të lindin nuk mund të prodhojnë qumësht gjiri. Kjo ndodh vetëm kur nuk funksionon receptori i trurit që pranon dëshirën për prodhim. Prandaj, përqindja tjetër vërtetë duhet të punojë me veten. Sikur të vetëdijesoheshim më shumë për të mirat që ka qumështi i gjirit, çdo gjë do të ndryshonte.
Kam dëgjuar arsyetime se pas operimit të lindjes së foshnjës, nuk do të mund të ushqej fëmijën më gji për shkak të antibiotikëve dhe barërave të tjera që duhet të merr nëna. Këto arsyetime janë cilësuar si jo të nevojshme për tu brengosur. Sasia që i shkon foshnjës është shumë e vogël, prandaj vet gjidhënja dhe vazhdimi i gji dhënies deri në 2 vite është më i dobishëm sesa dorëzimi ndaj këtij arsyetimi të panevojshëm.
Nënat, e sidomos ato që kalojnë në procedurën e operimit të lindjes së foshnjës, do të duhet të jenë të informuara për pozitat më të përshtatshme që foshnjën ta kenë sa më afër dhe ta ushqejnë sa më lehtë. Jastëkët janë shumë të nevojshëm që ti keni pranë. Me ndihmën e jastëkëve do të mund të gjeni pozitën sa më të mirë për ta vendosur foshnjën sa më afër.
Që nëna të prodhojë sa më shumë qumësht dhe që fëmija të jetë i ushqyer sa më mirë, ushqyerja duhet të bëhet 8 e më shumë herë brenda 24 orëve. Që të dimë se fëmija ushqehet mirë, duhet kushtuar kujdes të veçantë ushqimit të nënës po ashtu duhet përcjellë pelenën se a është lagur mirë.
Më lart që përmenda edhe javën e ndarjes së qumështit të gjirit me foshnjat tjera, kjo vepër për humanitetin e saj më bëri të rrëqethem. Ishe java kur ftoheshin nënat që të informohen sa më shumë se mund të prodhojnë qumësht dhe atë sasi që e kanë të tepërt ta deponojnë nëpër spitale apo ta ndajnë vet me fëmijët tjerë. Duke përcjellë këtë javë, u fascinova me një tregim të një nëne që i kishte vdekur fëmija gjatë lindjes. Ajo edhe pse fëmijën e saj nuk e kishte në duar, ajo vazhdonte të pompojë gjinjtë që të prodhojë sa më shumë qumësht të cilin në baza ditore e depononte në spital i cili me qumështin e saj ushqente fëmijët e sëmurë që ishin të shtrirë në spital. Po ashtu më rastisi që të lexoj edhe rastin e një nëne që furnizohej me qumësht gjiri për djalin e saj të birësuar. Tani djali është 1 vjeç e disa muaj dhe ai akoma ushqehet edhe me qumësht gjiri nga 20 nëna. Këta qumësht ajo e merr nga qytete të ndryshme të nënave që e japin, me të cilat paraprakisht kishe kontaktuar përmes internetit apo përmes një shoqate me qëllime të tilla.
Përveç faktit human që lexoja, isha edhe e brengosur rreth ndarjes së qumështit me fëmijë të tjerë.
Neve Kur’ani na mëson që fëmijët që pinë qumësht gjiri nga një nënë, janë motër dhe vëlla nga qumështi dhe assesi nuk guxojnë të martohen. Brenga ime qëndron në faktin se sa nga këta fëmijë njihen me fëmijët tjerë me të cilët ndajnë qumështin e njëjtë?
Sigurt janë shumë të pakta ato nëna që mbajnë kontakte familjare. Do kisha dashur që në një mënyrë, ne si komunitet mysliman, ta bëjmë një fushatë për vetëdijesimin rreth kësaj gjëje. Sa është e mundur kjo?
Tjetra, që gjithsesi më duhet ta potencoj është edhe naiviteti i disa grave tona, të cilat ose arsyetohen vet ose kritikohen nga familjarët që kanë “qumësht gjiri të dobët, të ligë, të keq prandaj më mirë të mos e ushqejnë më fëmijën”. Motra të dashura, Le ti themi NDAL këtij naiviteti. Qofshi ju që jeni të kritikuara, qofshi ju që kritikoni apo që dëgjoni ndokënd që kritikon dike, Ju lutem këshilloni që më mos ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk ka qumësht të keq. Një pikë qumështi gjiri nga nëna është shumë herë më i mirë se çdo ushqim tjetër.
Para disa ditësh për të njëjtën gjë lexova që në Haiti shumë foshnja vdesin ngase nënave iu thuhet njëjtë. Tani më shumë se kurrë kemi mundësi që të lexojmë për dobitë e qumështit. Sot, të ngelemi të painformuara është turp i madh.
Ka shumë e shumë gjëra të tjera që do i kisha përmendur, por ju ftoj, ju lus me zemër nëne, që të informoheni sa më shumë rreth këtij bekimi nga Allahu e mos ti privojmë foshnjat tona nga ushqimi me qumësht gjiri. Edhe ju që tashmë nuk keni në plan që të lindni më fëmijë, informohuni më shumë ashtu që të këshilloni edhe tjerat nëna.
Tani që ta ngrohim pak bisedën tonë dua të ju ftoj që të themi së bashku: NËNË.
Kjo fjalë, kjo ndjenjë kaq e ëmbël, kaq e dashur. Por babai? Sa me kënaqësi mbushet zemra kur thirret edhe emri: BABË.
Do ndajë me ju një poezi të shkruar para disa viteve.
Falu me mua babë,
Falu me mua e shijoje këtë kënaqësi,
Shikoje fytyrën time babë se si shndritë kur jam pranë Allahut.
A nuk të kënaqë kjo?
A nuk më ke lakmi?
A nuk krenohesh?
Falu me mua babë
Jeta po shkon kah vdekja. Kthim mbrapa s’ka.
Kur të vijë fundi më nuk na flet goja e as këmbët s’na mbajnë.
Toka largohet nga ne se nuk na mbanë dot.
Falu me mua babë
Më dhuro këtë kënaqësi të lutem
Falu me mua babë
Sikur të të shihja pranë meje duke u falur,
Sikur të gjithë të renditeshim prapa teje
Sikur të gjithë të bënim dua së bashku të na bashkojë Allahu në Xhennet
Sikur të gjithë së bashku t’i binim në sexhde Allahut të madhëruar.
Falu se unë lutem Allahu me të hapë zemrën
E di se e ke zemrën e madhe babë
Por kur ta hapë Allahu atë ajo s’ka peshë që e peshon
Falu me mua babë se unë lutëm që Allahu të ta ushqej shpirtin
E di se e ke shpirtin e gëzuar që na ke ne,
Por kur ta ushqen Allahu shpirtin s’ka fjalë që e shpjegon babë
Falu me mua babë, falu me mua
Falu me mua babë e më fal momentin më të lumtur në jetë
Falu me mua babë se sytë më pikojnë gjak nga kjo dëshirë
Falu me mua babë se s’do pendohesh
Njëherë kur ta shijosh kënaqësinë e namazit më s’do kthehesh mbrapa
Falu me mua babë se ashtu na do Allahu më shumë
Falu me mua babë
Kësaj radhe mbetemi me kaq; Shpresoj që herën e ardhshme do ndajmë diçka më të hareshme
Sinqerisht e juaja, Nur’a email: [email protected]



