
Trajnimi shpirtëror dhe edukimi.
Vazhdim nga tema “Ndikimi i mjedisit dhe struktura neurologjike e trurit.”
Trajnimi shpirtëror dhe edukimi duhet të jenë synimet tona më të larta në jetë. Është detyra jonë të hapim dritaren e zemrave dhe të mendjes për të lejuar hyrjen e virtytit, drejtësisë, dashurisë dhe mëshirës. Këto janë gjërat që ndriçojnë dhe lustrojnë zemrat tona dhe e bëjnë Krijuesin tonë unik në thelbin e Tij, për të qenë i kënaqur nga ne.
Shumica e njerëzve janë të përfshirë në të gjitha llojet e punëve dhe praktikojnë vetësakrifikimin, në mënyrë që të marrin të mirat materiale të jetës dhe të qetësohen e të vazhdojnë të punojnë rëndë deri në vdekje. Për këtë qëllim, ata i privojnë vetes rehatitë, pas të cilave gjenden dhe që i imagjinojnë si mjete të lumturisë. Kjo mënyrë e të menduarit është e gabuar dhe kjo është arsyeja e dështimit dhe e fatkeqësive të shumicës së njerëzve. Ata duhet të dinë se e kanë humbur rrugën e lumturisë dhe të suksesit. Njeriu nuk mund të arrijë paqen në jetë, pa shqetësime dhe ankth, nëpërmjet kërkimit dhe ndjekjes së kalimit të kënaqësive dhe të qejfeve ose nëpërmjet grumbullimit të sasive të pafundme të pasurive. Një program i tillë nuk e mbështet jetën dhe as e lulëzon atë. Përkundrazi, ai i than me shpejtësi burimet jetësore dhe i shkatërron ato.
Ai që kërkon lumturinë duke ndjekur kënaqësitë, nuk do të gjejë gjë tjetër, përveç ankthit, shqetësimeve dhe disfatës. Nëse dështojmë në kontrollin e pasioneve rebele dhe prirjeve foshnjore brenda vetes, që vazhdimisht ngrenë kokën me anë të arsyes dhe të mprehtësisë, ato do të mposhtin ndërgjegjen tonë dhe do të na kthejnë në skllevërit e tyre. Sa më të suksesshëm të jemi në nënshtrimin e dëshirave dhe të epsheve, aq më afër lumturisë do të jemi. Për ta përmbledhur, të gjitha fatkeqësitë, vuajtjet dhe paaftësitë, me një fjalë, gjithçka që turbullon horizontet e jetës sonë, është produkt i mbizotërimit të epsheve mbi qenien tonë.
Marrë nga libri “ Etika e zhvillimit shpirtëror – Yazdi..



