FakteOpinionePër jetëPsikologji

Shkaqet e krimit (Krimi dhe krimineli)

Shkaqet e kryerjes së krimeve si dhe natyra e kriminelëve duhen studiuar për të parë nëse ato janë të tilla nga natyra dhe të lindura. Ata që janë të ndotur nga vese morale të ndryshme dhe kryejnë krime, a janë lindur me prirje të tilla apo kriminaliteti i tyre e ka origjinën në ndonjë sëmundje shpirtërore? Nëse po, si mund të trajtohen ata?

Disa ekspertë të fushës, në parim besojnë se një grup kriminelësh janë të lindur; kriminaliteti është i trashëguar në natyrën e tyre. Madje, këta tipa individësh kanë karakteristika të veçanta jonormale të dukshme, që i dallojnë ata nga njerëzit e tjerë. Si të thuash, ata janë kriminelë nga natyra. Lombroso, specialisti i mirënjohur italian i kriminalistikës, ishte përkrahës i fortë i kësaj teorie. Teoria e tij pati shumë mbështetës dhe u prit me interes të madh nga shkrimtarët bashkëkohës.

Pa dyshim, njeriu është një qenie e ndjeshme ndaj udhëzimit moral. Një pjesë të veprimeve, ai i kryen pa dëshirë dhe përmbahet vullnetarisht nga akte e veprime të caktuara. Një qenie e tillë është pajisur domosdoshmërisht me dëshirën (vullnetin) e lirë, përndryshe do të ishte e pavlerë të qortosh dhe të udhëzosh një krijesë, veprimet e të cilit janë plotësisht të përcaktuara dhe që nuk ka dëshirë të vetën apo kontroll mbi fatin e tij. Mendimtarët e zotë e konsiderojnë njeriun të lirë në veprimet e tij dhe të përgjegjshëm për atë që bën.

Mësuesit e moralit dhe të etikës i bazojnë mësimet e tyre morale dhe përpjekjet edukative për të sjellë mirëqenie e mbarëvajtje për njeriun në të njëjtën qasje, që gjendet në një recetë që përmban rregulla të përcaktuara për gjërat që duhet të bëjmë dhe që nuk duhet të bëjmë, duke urdhëruar njeriun të mësojë qëllime të përcaktuara dhe të përmbahet nga veprime të caktuara, në mënyrë që të arrijë mirëqenien e mbarëvajtjen e tij personale

Nëse dikush do të studionte gjendjen e vështirë të kriminelëve të rinj në shkollat e riedukimit, në burgjet dhe në spitalet për të sëmurët mendorë, do të vërente se ata janë rritur në familje neglizhente ose me moral të pistë dhe nuk kanë përvoja personale të pastërtisë dhe të ndershmërisë morale.

Përsa i përket grupit të kriminelëve që nuk ndiejnë asnjë kufizim për kryerjen e një krimi apo kundërvajtjeje, pjesa më e madhe e tyre janë ata që kanë lindur në familje, të cilave u mungon ngrohtësia emocionale dhe virtytet morale dhe që janë të infektuara me shumë lloje vesesh dhe paturpësish ose janë ata që kanë jetuar në një mjedis moral të ulët. Ishin pikërisht faktorët socialë të familjes që i kanë shtyrë të zgjedhin krimin dhe vesin, më shumë sesa ndershmërinë dhe dëlirësinë.

A ka kriminelë të lindur?

Sot, teoria e Lombroso-s dhe e pasuesve të tij, që besonin në ekzistencën e kriminelëve të lindur, është hedhur poshtë nga ekspertë të fushës. Gjatë kohës që shërbente si mjek në ushtrinë italiane, Lombroso-ja vuri re se tatuazhet ishin të zakonshme te kriminelët. Ky fakt e çoi atë në përfundimin se kriminelët kishin ndjeshmëri më të ulët fizike se personat normalë dhe se ndjeshmëria morale ishte produkt i mungesës së ndjeshmërisë fizike. Më vonë, duke bërë autopsinë e trurit të një hajduti, ai vuri re se truri u ngjante në disa veçori truve të vertebrorëve më të ulët. Këto vëzhgime shërbyen si fillim i teorisë së pamjes së jashtme të tipareve të trashëguara të fshehura. Lombroso-ja i konsideronte disa karakteristika të veçanta si treguese të temperamentit të kriminelëve, disa prej të cilëve janë: flokët kaçurrelë, veshë të mëdhenj, sy të pjerrët, mjekër e dalë, vetulla të harkuara, koka e madhe ose e vogël, jonormale, mollëza të dala, përpjesëtimi jonormal ndërmjet madhësisë së skalpit dhe fytyrës dhe ballit të zgjatur shumë. Ai mendonte se kur disa nga këto veçori janë të pranishme te një njeri, mund të përcaktohet me siguri natyra e tij kriminale. Këto karakteristika i emërtoi “shenja të rrënimit”.

Dr. Alexis Carell-i, një dijetar francez, shprehet:

“Krimineli i lindur i shpikur nga Lombroso-ja, nuk ekziston.  Por ka të mangët të lindur që bëhen kriminelë. Në të vërtetë, shumë kriminelë janë normal. Shpeshherë ata janë më të zgjuar se policët dhe gjyqtarët. Sociologët dhe punonjësit social nuk i takojnë gjatë kohës së kryerjes së dënimit në burgje. Gangsterët dhe hajdutët, heronjtë e kinemave dhe gazetave të përditshme, ndonjëherë shpalosin aktivitete normale, madje, të larta mendore, emocionale dhe estetike. Por sensi moral i tyre nuk është zhvilluar. Kjo disharmoni në botën e ndërgjegjes është një dukuri karakteristike e kohës që jetojmë. Ne kemi qenë të suksesshëm në dhënien e shëndetit organik, banorëve të qytetit modern. Por, pavarësisht nga shumat e mëdha që shpenzohen për edukimin, ne kemi dështuar në zhvillimin e plotë të aktivitetit të tyre moral dhe intelektual. Madje edhe në elitën e shoqërisë, ndonjëherë mungon harmonia dhe forca. Funksionet elementare janë të hallakatura, me një cilësi të dobët dhe me një densitet të ulët. Disa prej tyre mund të jenë shumë të mangët.

Njerëzit më të lumtur dhe më të dobishëm janë ata me tërësi të mirintegruar të aktivitetit të tyre moral, intelektual dhe organik. Cilësia e këtyre aktiviteteve dhe ekuilibri i tyre i jep një tipi të tillë epërsi mbi të tjerët. Forca e tyre përcakton nivelin social të një individi të caktuar. Ajo e bën atë tregtar ose guvernator banke, mjek të thjeshtë ose profesor të famshëm, kryetar fshati ose president të Shteteve të Bashkuara. Zhvillimi në tërësi i qenieve njerëzore duhet të jetë qëllimi i përpjekjeve tona. Vetëm falë këtyre individëve tërësisht të zhvilluar mund të ndërtohet një qytetërim i vërtetë.”

Një psikolog bashkëkohor shkruan:

“Sot është vendosur përfundimisht, shkencërisht dhe psikologjikisht dhe pa asnjë dyshim se nuk ekziston ndonjë qenie njerëzore “e keqe”; ekzistojnë vetëm qenie njerëzore të sëmura. Kuptimi i kësaj çështjeje është kaq i rëndësishëm, saqë mund të thuhet pa ndonjë ekzagjerim se asnjë zbulim apo shpikje në botë, që nga lindja e njeriut deri në ditët e sotme nuk ka pasur dhe nuk do të ketë të njëjtin ndikim në mirëqenien njerëzore. Kjo do të thotë se në ditën që njerëzit do ta kuptojnë vërtet këtë fakt dhe organizimi i shoqërisë dhe i institucioneve rregullatore të saj do të bazohet mbi këtë të vërtetë të përcaktuar, pjesa më e madhe e vuajtjeve të njerëzimit, armiqësitë, konfliktet, përçmimi dhe ndëshkimi do t’i nënshtrohen përmbajtjes. Përse? Sepse çdokush do të arrijë të kuptojë, për shembull, se koprracia, lakmia, frika, dinakëria, paragjykimi, tekat, padrejtësia dhe qindra vese të tjera të këtij lloji janë rrjedhojë logjike e sëmundjeve shpirtërore, të cilat mund të trajtohen, ashtu si edhe ftohja e zakonshme, grykët e skuqura, dispepsia etj., gjë që do të lindë dy rezultate shumë të rëndësishme dhe të dobishme.

Së pari, vetë personat e sëmurë, të cilët sot konsiderohen si fatkeqë, do t’i kthehen trajtimit me shpresën e plotë se do të bëhen të shëndetshëm dhe qenie njerëzore të mira. Së dyti, njerëzit nuk do t’i shohin ata armiqësisht dhe në mënyrë fyese si persona të këqij, por do t’i shohin si qenie njerëzore të sëmura, që meritojnë mirëkuptim. Është e qartë se ka një dallim të madh midis këtyre dy pikëpamjeve dhe rezultatit të tyre.

Tani, ky është parimi që zbatohet në shumicën e shkollave në shtetet e qytetëruara, madje edhe në burgje; ky trajtim po përdoret gradualisht, duke dhënë shumë rezultate dhe përfitime. Është detyrë e shkrimtarëve humanistë të bëjnë të gjitha përpjekjet për të propaganduar këto të vërteta shumë dobiprurëse, në mënyrë që të gjitha shoqëritë në mbarë botën të përfitojnë prej tyre.”

Kjo teori shkencore dhe filozofike, zbulimi i së cilës tashmë i është atribuar botës moderne të shkencës, ka një histori prej katërmbëdhjetë shekujsh në tekstet religjioze të Islamit. Kur’ani i Shenjtë u referohet hipokritëve, si persona të sëmurë nga dyfytyrësia dhe shpirtligësia:

“Ka një sëmundje në zemrat e tyre.” (2:10)

Disa moralizues dhe përkrahës të besimeve të ndryshme e konsiderojnë natyrën e brendshme të njeriut, si të keqe dhe mëkatare. John Dewey shkruan:

‘Jepi qenit një emër të keq dhe pastaj vare!’ (ndryshe: “Më mirë syri sesa nami!”). Natyra njerëzore ka qenë ‘qeni’ i moralizuesve profesionistë dhe pasojat përputhen me proverbin. Natyra e njeriut ka qenë parë me dyshim, me frikë, me shikime të dhimbshme, ndonjëherë me entuziazëm për mundësitë e tij, por vetëm kur ato ishin vendosur përballë aktualiteteve. Supozohet se moraliteti do të ishte shumë i tepërt, nëse në kufij të mëkatshmërisë së natyrës njerëzore nuk do të ishte dobësia e pandarë. Disa shkrimtarë me konceptim më gjenial ia kanë atribuar nxirjen e tanishme teologëve që kanë menduar të nderojnë hyjnitë, duke përçmuar qeniet njerëzore. Teologët, pa dyshim, e kanë parë më me zymtësi njeriun, sesa paganët dhe sekularistët. Por ky shpjegim nuk na çon larg. Pasi, mbi të gjitha, teologët janë vetë qenie njerëzore dhe nuk do të kishin ndikim, nëse audienca njerëzore nuk do t’u kishte dhënë përgjigje atyre në njëfarë mënyre.”

Marrë nga Libri Etika e Zhvillimit, – Jazdi

Të ngjashme

Back to top button