
Le të rikthehemi në Mekë, ku e lamë Imam Hyseinin duke u përgatitur për të zgjidhur situatën dhe të shohim se çfarë ndodhi atje.
Pas nisjes së Muslimit për në Kufe, Imami po përfundonte përgatitjet e fundit me qëllim që, sapo të merrte përgjigje nga i dërguari i tij, të nisej edhe vetë për në Kufe për të plotësuar planin e tij. Ndërkohë, familjet e mëdha të Mekës u përpoqën ta bindnin që të mos nisej, duke i thënë:
– Ti i njeh mirë banorët e Kufës. Ata e lanë pa ndihmë babain tënd, vëllain tënd, dhe do të të lënë edhe ty. Janë njerëz me shpirt të dobët e me vese të ulëta. Edhe pse me fjalë të japin mbështetje, shpatat do t’i drejtojnë kundër teje. Prandaj, më mirë është ta ndryshosh mendimin për nisjen.
Por Imami nuk iu përgjigj arsyetimeve të tyre. Përkundrazi, ai vendosi të largohej nga Meka dhe të nisej. Vendosmëria e tij lidhej me përgjegjësinë si bartës i Mesazhit Hyjnor dhe përhapës i tij, edhe nëse kjo do ta çonte drejt vdekjes. Por kjo vdekje do të ishte në rrugën e Zotit, për të vërtetën.
Imami u largua nga Meka për të mos i dhënë mundësi bashkëpunëtorëve të Jezidit që të shkelin paprekshmërinë e Qabes duke derdhur gjakun e tij të pastër brenda saj. Më pas, u nis drejt Irakut për të arritur në Kufe. Me të ishin familja e tij, vëllezërit dhe disa prej ithtarëve të tij.
U nis nga Meka ndonëse nuk kishte marrë ende asnjë lajm nga Kufa, pasi – siç e dimë – Ibni Zijadi kishte marrë masa të rrepta për të mos lejuar që të dilte asnjë informacion. Në të njëjtën kohë, ai kishte vendosur agjentë përgjatë gjithë rrugës, të cilët kishin për detyrë ta informonin për çdo lëvizje të Hyseinit.
QERBELAJA
Imami iu afrua Kufës. Njerëzit e Ibni Zijadit, të drejtuar nga El-Hurr bin Jezid Er-Rijahi, e ndalën atë dhe e detyruan të qëndronte në një terren të thatë e përvëlues, të quajtur Qerbela.
Kur dëgjoi emrin e këtij vendi, ra në mendim të thellë. Pastaj tha:
– Ky është vendi i Qerbelasë, mjedisi i marshimit tonë, vendqëndrimi i udhëtimit dhe i gjakderdhjes sonë.
Pastaj urdhëroi ngritjen e çadrave.
Kur Ibni Zijadi mësoi për zbritjen e Hyseinit (a) në vendin e Qerbelasë, filloi zbatimin e një plani shumë të poshtër. Mblodhi njerëzit në xhaminë më të madhe të Kufës dhe mbajti një fjalim. Në të, ai u numëroi atyre “të mirat” e pushtetit të Jezidit dhe se gjoja ky i fundit kishte dhënë urdhër për shtimin dhe shpërndarjen e të hollave dhe ndihmave të tjera për popullsinë – nëse dilnin të luftonin kundër Hyseinit. Në rast të kundërt, i kërcënoi se do të përgjigjeshin me jetën e tyre, të fëmijëve dhe me pasurinë e tyre.
Në një situatë të tillë, përballë premtimeve nga njëra anë dhe kërcënimeve nga ana tjetër, një numër i madh njerëzish pranuan të merrnin pjesë në luftën kundër djalit të vajzës së të Dërguarit të Zotit. Ata me të vërtetë u treguan të dobët në shpirt e në besim, i besuan gënjeshtrave të Ibni Zijadit dhe dolën të luftonin kundër nipit të Pejgamberit të tyre. Kjo mënyrë e të menduarit, që i sprovoi njerëzit të zgjidhnin ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës, bëri që ata të preferonin gënjeshtrën në vend të së vërtetës.



