a1063473ec32d6fa3e258f6cb771f301

QORTIMI I NXËNIES SË DITURISË ME SYNIM TË ARRITJES SË QËLLIMEVE NË KËTË BOTË

Spread the love

QORTIMI I NXËNIES SË DITURISË
ME SYNIM TË ARRITJES SË QËLLIMEVE
NË KËTË BOTË

“O Ebu Dherr, njeriu më i keq sipas veprës në Ditën e gjykimit tek Allahu është dijetari i cili nuk vepron sipas dijes që posedon, ndërsa ai që gjurmon pas nxënies për ta tërhequr vëmendjen e të tjerëve, nuk do ta ndjej aromën e xhenetit. O Ebu Dherr, ai i cili fiton dituri që përmes saj t’i mashtroj njerëzit nuk do ta ndiej aromën e xhenetit. O Ebu Dherr, sa herë të pyetesh për diçka që nuk e di, thuaj: ‘Nuk e di këtë’ — do të jesh i shpëtuar nga pasojat, dhe mos gjyko për njerëzit rreth asaj që nuk e di — do të jesh i shpëtuar nga dënimi i Allahut në Ditën e gjykimit.

O Ebu Dherr, një grup i banorëve të xhenetit do të jetë sipër grupit të banorëve të xhehnemit dhe do t’i pyesin:‘Çka ju ka shpjerë në zjarr, ndërsa ne në xhenet kemi hyrë duke iu falënderuar edukimit dhe mësimeve tuaja?’ këta do të përgjigjen:‘Të tjerëve u kemi urdhëruar vepra të mira, ndërsa vetë nuk i kemi bërë.”

 

Pasojat e mosveprimit sipas dijes dhe arritja e pozitës shoqërore nëpërmjet dijes

Në këtë pjesë, Pejgamberi s.a.a u drejtohet dijetarëve. Ai i nxitë dijetarët të veprojnë sipas njohurive të veta dhe thekson pasojat e mosveprimit sipas atyre njohurive. Edhe pse fjalimi i Pejgamberit s.a.a. është i qartë dhe nuk ka nevojë për shpjegim, megjithatë, me qëllim të argumentimit sa më të mirë të kësaj çështjeje në zemra dhe të shpjegimit sa më të mirë, do t’u qasemi disa transmetimeve të Pejgamberit s.a.a. të ngjashme për ka përmbajtja me këtë fjalim të tij që e përmendëm më sipër. Por, para kësaj do të rikujtojmë se, sipas islamit, njeriu i logjikshëm nuk mund të jetë pa obligime. Megjithatë, kornizat dhe masat vlerësuese të përgjegjësisë janë të ndryshme. Do të thotë, i dituri dhe i padituri janë të barabartë në atë që kanë përgjegjësi, por përgjegjësia e të diturit është shumë më e madhe se sa e të paditurit.

Prandaj, për arsye që edhe i padijshmi ka përgjegjësi, është i obliguar që të mësoj për obligimet e tij fetare dhe çështjet për të cilat ka nevojë. Mosnjohja e çështjeve fetare nuk është arsye për lirimin nga përgjegjësia. Për këtë arsye Imam Sadiku, paqja e Allahut qoftë mbi të, në interpretimin e ajetit: All-llahu ka argumentin më të plotë, (6:149) ka thënë:

“Allahu i Madhërishëm në Ditën e gjykimit do t’i thotë robit: ‘A ke qenë i njoftuar për obligimet e tua dhe detyrat?’ Nëse ai përgjigjet: ‘Po’, Allahu, xh.sh., do të thotë: ‘Vallë nuk ke vepruar sipas asaj me çka ishe i informuar?’ Nëse robi thotë: ‘Unë isha i padijshëm’, Zoti do t’i thotë: ‘Vallë nuk more mësime, që të kuptosh, se si do duhej vepruar?”

Dallimi themelor ndërmjet një të dituri dhe një të padituri është se të diturit dëshmia e Allahut i është plotësuar: nga ai nuk do të pranohet asnjë kërkimfalje në rast të moskryerjes së obligimeve dhe ndaj tij do të veprohet ashpër. Në lidhje me këtë Imam Sadiku, paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë:

Të padijshmit i falen shtatëdhjetë mëkate përpara se të dijshmit t’i falet një…,”

Është e papranueshme të mendojmë se duhet të shmangemi nga nxënia e dijes, ashtu që obligimet tona të mos jenë më të rënda se të një të padijshmi, sepse do të pyetet edhe ai i cili nuk ka tentuar të fitoj njohuri dhe të informohet. Me shmangie të  nxënies së dijes dhe të informuarit njeriu nuk lirohet nga përgjegjësia. E pse edhe ne të mos jemi nga ai grup i dijetarëve që kishin vepruar sipas njohurive të tyre? Ashtu siç të tjerët në këtë Botë dëshirojnë të jenë në pozitën e tyre, ashtu edhe në Botën tjetër do t’ua kenë për shkak të pozitës së tyre.

Në përmbledhjet e haditheve ekzistojnë shumë kapituj, me tituj të ndryshëm, në të cilët flitet për virtytet e nxënies së dijes. Lavdëratat shkojnë deri në atë masë sa që në disa nga transmetimet flitet që zogjtë në qeill, shtazët gjithandej nëpër tokë dhe peshqit në dete kërkojnë falje për personin i cili angazhohet në nxënien e njohurive hyjnore.

Sidoqoftë, Pejgamberi s.a.a na porositë: “Pozita e dijetarit i cili nuk punon sipas njohurive të tij është më e keqe nga të gjithë në Ditën e gjykimit dhe ai nuk do të mund as ta ndiej aromën e xhenetit.”

Shpesh ndodh që qëllimi i personit i cili dëshiron të fitoj njohuri në fillim të shërbyerit ndaj fesë dhe kryerjes së obligimeve, mirëpo gjatë rrugëtimit i paraqiten pengesa të cilat e parandalojnë të arrij deri në cak. Disa, sërish, nga fillimi i preokupimit me nxënie të dijes nuk kanë qëllime dhe motive hyjnore: jo vetëm që nuk janë të sinqertë në nxënien e dijes, por bile kanë qëllime të shëmtuara, siç është nxënia me qëllim të tërheqjes së vëmendjes dhe dashurisë së njerëzve, si dhe shkaku për t’u adhuruar apo përfituar ndonjë pozitë shoqërore. Është e natyrshme që personi i tillë që nga fillimi do të shkoj kah devijimi dhe dështimi, ndërsa në fund do të mbërthehet në vorbullat e poshtërimeve dhe fatkeqësive, dhe në Ditën e gjykimit as nuk do ta ndjej aromën e xhenetit.

Ndoshta personi i cili merr njohuritë e kësaj bote si mjet për të arritur pozitë e funksion apo nafakë nuk do të jetë objekt i qortimit dhe kritikës, por ai i cili njohuritë hyjnore, të dhëna me qëllim të arritjes së lumturisë në atë botë, i përdor për këtë Botë duhet të jetë objekt i kritikës. Në të vërtetë, personi i tillë pozitën dhe dinjitetin e kësaj bote e vendos mbi fenë, apo me fjalë të tjera, të rëndësishme e konsideron këtë Botë, e jo fenë. Të menduarit e tillë paraqitet në mosekzistim të bindjes në bazat dhe vlerat e fesë, dhe nuk ka fund tjetër, përveç largimit nga Zoti, ashtu siç Pejgamberi, s.a.v.a., ka thënë:

 “Atij që i shtohet dija dhe të udhëzuarit, ndërsa nuk i shtohet druajtja nga kjo Botë – i rritet vetëm largimi nga Allahu.”

 

Pasojat e nxënies së dijes me qëllim të mashtrimit të njerëzve

O Ebu Dherr, ai i cili përfiton dije me qëllim që t’i mashtroj njerëzit nuk do ta ndiej aromën e xhenetit!”

Disa njerëz jo vetëm që fitojnë njohuri për të arritur të jenë të adhuruar apo pozitë, por shkojnë edhe më tutje me qëllim të mashtrimit, keqpërdorimit dhe dërgimi i të tjerëve në rrugë të gabuar. Deri më tani folëm për rëndësinë e të vepruarit sipas dijes dhe orientimit të qëllimeve. Kemi folur për atë që njeriu duhet të shoh se me çfarë qëllime niset të fitoj njohuri, që – mos e bëj Zot! – të mos i paraqiten në zemër qëllime djallëzore, të mos fitoj njohuri me qëllim të fitimit të titullit, siç janë “doktor shkencave islame”, “magjistër”, “filozof’, “mufesir i Kur’anit”, apo të jetë i respektuar te njerëzit.

Ata të cilët me synim që të fitojnë famë përjetojnë vështirësi në rrugën e nxënies së njohurive mbase mendojnë në vete që secili që është më i famshëm te njerëzit — është i famshëm edhe te Zoti. Ky është gabim. Të gjithë ata që janë të famshëm te njerëzit a i kanë zbatuar obligimet e tyre që edhe te Zoti të jenë të famshëm dhe ta fitojnë lumturinë? Edhe pse ata janë të famshëm te njerëzit, te Zoti janë më të turpëruar se të gjithë të tjerët, sepse vlerat matëse të vlerës së njeriut janë dija, veprat dhe devotshmëria. Është vlerë që njeriu të jetë i famshëm te Zoti, e jo te njerëzit.

Pjesë e marrë nga libri : Muhamed taki misbah jazdi –  Rrugët  dhe shtigjet e mirësisë