Si e kam përjetuar unë figurën e Musine Kokalarit
Prof. Ermelinda Kashah
Njeriu nuk mund të bëhet rob i asaj çka përjeton, por duhet niset nga e vërteta.
TemaTë shqyrtosh në mënyrë kritike atë çka ishte kthyer në tabu, në pamje të parë të ngjan si një terezi e pashoq, dhe thua se a luhet me ato themele të brishta të letërsisë?
Këtë prekje në sedër, sot mendova ta ndaj mes jush, ku njeriu nuk mund të bëhet rob i asaj çka përjeton, por niset nga e vërteta. Sindromin e këtij fenomeni e kam vuajtur, ai kujtim i harruar, sot është sprovë për cilësitë e kësaj figure. Realitetet ndërmjet letërsisë dhe politikës janë kundërthënëse në shumë aspekte. Ky realitet tregon sesi në të vërtetë në një periudhë kohore nuk ka qënë e mundur pavarësia e letërsisë.
Ishte viti 1990, ku në shkollë na grisën të gjitha materialet për Kadarenë. Në memorien time befas hera e parë që unë dëgjoj emrin Musine, e cilësuar si armike popullit, ku sipas parafolësve, Kadareja do ndiqte rrugën e Musinesë.
Një ditë, mësuesi i letërsisë na dha një temë hartimi e cila titullohej kështu: “Nga hiri i një kulture të shuar filizon një kulturë tjetër”
Me një sulm drejtuar të pavlerës, që poshtëron jetën e individit, një tingull i mprehtë dhe një sinjal alarmi më preku cakun e patoleruar të vetëdijes sime. Kur profesorin tim e pyeta se kush ishte Musineja,- ai mu përgjigj: Një e keqe që i vjen njerëzimit bashkë me imperializmin, ku qëllimi sipas tij ishte asgjësimi i kësaj figure, në një kohë që intelektualë të tjerë, më thoshin se ishte gonxhja e parë që në një pjesë të botës u bë pranverë ( kujtojmë këtu shkollimin në La Sa Pienca). Mos u çudisni, por “Tranzicioni i gjatë dhe me shumë probleme të mprehta në vendin tonë, ishte pasojë e lënies jashtë pushtetit të atyre që u përndoqën dhe u vranë gjatë regjimit komunist.
Kam qënë gjimnaziste kur lexoja polemikat që ngjalli “Leonardo” në fillim të shekullit, lexoja raportet midis kulturës akademike e kulturës militante, apo erërat e reja që solli “ La Critica”( kritika) e Benedetto Kroçes në rrethet e studimeve historiko-letrare, po emrin e Musinesë nuk e lexoja askund.
Kjo fidanishte e tërë idesh kish filluar të më lindi, si një personalitet që kultivonte tendenca të reja.
Më duhet të shfletoja për Musinenë kur u emërova si pedagoge,dhe kërkoja material për një konferencë ndërkombëtare në Biliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Lexova mbi Arshi Pipën, Trifon Xhaxhikën i cili kish braktisur vijën e “realizmit socialist”, Astrit Delvina u pengua në vulgun e krijimtarisë, Bilal Xhaferri, Sejfulla Malëshova ku poezitë e tij u asgjësuan, lexova mbi Qamil Buxhelin, Fatos Arapin etj . Ndërkohë lexova edhe për një poet arbëresh në mos gaboj i 1917, Maria Antonio Braile, motra e një poeti arbëresh ku kish botuar vetëm një libër të vogël të titulluar “Këngë”, ku dhe ajo fliste për veten dhe kish pak a shumë një fat të ngjashëm me atë të Musinesë. Të gjitha këto emra ishin të përfshira në një revistë të vogël . Dhe befas mendova, çdo të ndodhte sikur segmenti politik të mos ia kish prerë rrugën kësaj figure.
Edhe Herman Hesse kish botuar një shkrim me titull : “Letër një komunisti”, ku citonte: Në asnjë mënyrë nuk besoj që komunizmi ka një përgjigje më të mirë mbi çështjet e mëdha të jetës sesa ndonjë mençuri më e hershme. Dhe këtu përmendte: Petro Marko si figura përjashtuese e censurës, Trebeshina, artisti kundër shtetit, Reshpja, alkimia e kulluar e verbit, Camaj- Antomodeli i realizmit socialist, Zef Zorba- ende fjetur e vdekur, ku thosh: “Ishin vitet ku ngjalleshin polemika, ndërkohë përmendte dhe Musinenë”.
Po ato ditë lexoja edhe për Elyarin përfaqësesi i surrealizmit që ndau të njëjtën fat. Citoj: Jetova i lodhur për vete dhe për të tjerë / Në emër të shpresës luftoj errësirën.
Për fat, profesioni që kam, ma plotësoi këtë prirje drejt majave. Edhe pse lexoja disa gazeta, u mundova ta fusja në program ku studentët merrnin informacione në lidhje me këtë figurë.
E vetmja ndjenjë e thellë, e hidhur që më ka ngelur, është mospërfshirja nëpër tekstet shkollore të ciklit parauniversitar.
Mbetemi te çështja se çka unë përjetova asaj kohe.
Mjedisi qe na rrethon luajti rol ne formimin e njohjes së saj.Hapësira dhe koha shoqëroi veprimet e mija,.Ndjenja më ritakoi në po atë vend, duke simbolizuar lëvizjet dhe veprimet konkrete që bëhen pjesë e kujtesës kolektive historike siç jeni edhe ju sot. E kujtoj këtu një shembull gjatë përjetimeve të mija personale ku një koleg po më tregonte detaje shumë të imta për Musinenë. Sigurisht këtu nuk kishim të bënim me harresën, por me izolimin në shpirt të rasteve fatkeqe të këtyre njerëzve, zbulimi i të cilave ma ripërtëriti këtë ndjenjë të rëndë sot. Sot mendja ime është e çliruar prej gjykimit të teorive nga më të ndryshme .
ERMELINDA KASHAH
Universiteti Eqrem Çabej
Fakulteti i Edukimit dhe Shkencave Shoqërore
Gjirokastër,