Histori

TË KATËRMBËDHJETË NJERËZIT E MIRË

IMAM HYSEINI, BIRI I ALIUT (a)

Udhëheqësi i njerëzve të mirë – IMAM HYSEINI (a)

  • Emri: Imam Hyseini (a)
  • Emri i babait: Imam Ali (a)
  • Emri i nënës: Fatime Ez-Zehra (a)
  • Datëlindja: 3 Sha’ban, viti i katërt i Hixhrit
  • Vendlindja: Medine
  • Dita e rënies dëshmor: 10 Muharrem, viti 61 i Hixhrit
  • Vendi i rënies dëshmor: Qerbela
  • Vendvarrimi: Qerbela

NË EMËR TË ALLAHUT, MËSHIRUESIT, MËSHIRËBËRËSIT

LINDJE E BEKUAR

Në ditën e tretë të muajit Sha’ban, të vitit të katërt të Hixhrit, Fatime Zehra (a) lindi djalin e saj të dytë.
Esma, e cila ishte njëra nga shoqet e Fatimesë (a), e mbështolli vogëlushin me një copë pëlhure të bardhë e të pastër dhe, me të në duar, iu drejtua Pejgamberit (s).
Ai e mori në duar, e afroi për ta puthur dhe, pasi e mbështeti në gjoksin e tij të nderuar, i shqiptoi në vesh emrin e Zotit dhe shehadetin, i këndoi ezanin dhe ikametin dhe ia vuri emrin Hysein.

Pejgamberi e vështroi me kujdes Hyseinin e vogël, të cilin e kishte në prehrin e tij. E afroi në gjoks me ngrohtësi e ëmbëlsi, por edhe me një shqetësim. Buzët nisën t’i dridheshin ndërsa shqiptonte disa fjalë të pakuptueshme. Filloi t’i prekte gjymtyrët duke ia përkëdhelur fort, ndërkohë që i ra një pamje e tërë trishtimi, dhe në fund nuk e përmbajti dot vajin.

Esma u habit shumë nga ky trishtim i Resulullahut, të cilit i tha:
– T’u bëfsha kurban! Nga se u shqetësove kaq shumë?

Resulullahu, duke ulur qepallat, iu përgjigj:
– Nga ky, biri im…

Esmaja, të cilën po ashtu e pushtoi shqetësimi, nuk e kuptoi përgjigjen e Resulullahut, dhe i tha:
– Ky është foshnjë njëorëshe!

Duke iu përgjigjur me një zë të ndërprerë, ai tha:
– Një grup mashtruesish do ta vrasin, pas meje, dhe ai nuk do ta ketë ndërmjetësimin tim (shefaatin tim).

Pastaj hapi sytë, dhe i rënduar nga hidhërimi, e porositi Esmanë:
– Mos i thuaj gjë Fatimesë, aq më tepër që ajo është lehonë…

Vetë Pejgamberi (s) mori përsipër kujdesin për Hyseinin, të cilit i dha rëndësi të veçantë. Me ndihmën e Zotit, ai pa çfarë do të ndodhte me të birin dhe e dinte se i Madhërishmi e kishte zgjedhur atë për të ruajtur dritën e besimit, që të ndriçonte me shkëlqim dhe, po me Hyseinin dhe familjen e tij, të shuante flakën e të pafeve dhe hipokritëve.
Këtë mirësi, Zoti ia fali familjes së Pejgamberit (s), ndonëse hipokritët nuk duan të besojnë.


PASI RESULULLAHU NDAHET NGA JETA

A keni dëgjuar sesi vepruan mashtruesit ndaj porosive të Pejgamberit? Pasi i dëgjuan dhe i kuptuan domethëniet e tyre, i lanë ato në harresë, errësuan zemrat dhe shkelën besën ndaj Zotit.

Ata harruan aftësinë e familjes së pastër e bujare të Pejgamberit (s), duke e lënë fatin e Islamit dhe të myslimanëve në duart e armiqve të tij.
Ata zgjodhën verbërinë mbi të pamurit, errësirën mbi dritën (preferuan errësirën mbi të vërtetën).

Nëse ata do t’u përgjigjeshin urdhrave të Zotit (xh.sh) dhe të Dërguarit të Tij, do t’u ishin hapur dyert e mirësisë, do të kishin marrë forcë dhe famë të mirë.
Por ata nuk e bënë këtë, mashtruan vetveten. Për shkak të injorancës së tyre dhe shkeljeve që u bënë zotimeve të dhëna, imam Aliu i madh ra dëshmor.

Ndërsa Muavije uzurpoi fronin e hilafetit dhe, prej andej, ngriti shpatën mbi myslimanët, duke bërë masakër të plotë.

Të ngjashme

Back to top button