Ajete kuranore që i janë dedikuar hixhabit – mbulesës islame
Në Kuran janë tre ajete që flasin për hixhabin dhe normat sheriatike. Më lartë e përmendëm ajetit kuranor të sures El-A’raf, ajeti 26, dhe tani do të përmendim ajetin që flet për mënyrën se si të takohemi në shtëpinë e Profetit të Zotit (Muhamedit s.a.a.) si dhe si duhet të flasin e mbulohen gratë e tij:
“O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe, vetëm se nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë me njëri-tjetrin, vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Pejgamberin, por ai turpërohet prej jush; Allahu nuk i turpërohet realitetit. E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk u takon ta mundoni të Dërguarin e Allahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë te Allahu mëkat i madh” (Surja el-Ahzab, ajeti 53).
Ky ajet ka zbritur si këshillë për miqtë e Pejgamberit s.a.a atëherë, para 1400 viteve, por ky ajet sipas komentuesve (mufesirëve) të Kuranit vlen edhe për të sotmen dhe për të ardhme gjersa të ekzistojë koha. Ky ajet nuk ka zbritur vetëm për të Dërguarin e Allahut, por për të gjithë myslimanët të cilët këshillohen, që kur ju thërret Pejgamberi s.a.a të jeni mysafirët e tij, mos shkoni para kohe për t’i penguar atij në përgatitjen e ushqimit, por edhe pas ushqimit mos rrini gjatë për mos t’i penguar. Në pjesën e dytë të Ajetit përmendet edhe hixhabi:
“ … E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre”, kjo pjesë e ajetit ka zbritur për gratë e Pejgamberit, në atë kohë por edhe sot është urdhër për gratë në përgjithësi, sepse kjo është një cilësi e mirë edhe është një pastërti për zemrat e femrave dhe të burrave atëherë, por edhe sot.
Shtrohet pyetja: “Pse u desh të zbriste ky ajet dedikuar Profetit Muhamed s.a.a. dhe grave të tij”?
Pejgamberis.a.a. ka qenë njeri me sjellje, terbije (edukatë të përkryer – khulukul-adhim) dhe ai ka pasur turp t’i thoshte shokëve të tij edhe pse i pengonin shumë me sjellje jo të mira, pra nuk kishte guxim t’i thoshte shokëve të tij mos ejani tre orë para thirrjes, ftesës dhe mos rrini gjatë pas ngrënies së darkës, sepse ai jo vetëm që ka qenë pejgamber por edhe burrë familjar dhe burrë shteti me shumë obligime dhe përgjegjësi. Prandaj, ky ajet ka zbritur për Pejgamberin s.a.a. dhe gratë e tij në atë kohë, por ama edhe sot ky ajet vlen si këshillë dhe etikë e sjelljes, në mes të burrave dhe grave.
Sa i përket myslimanëve modernistë, që nuk janë të detyruar që të interpretojnë dituritë e thella kuranore, ata thonë se ky ajet vlen vetëm për gratë e Muhamedit s.a.a. dhe se ato prej modestisë së madhe që kanë pasur, Zoti i ka urdhëruar që të kenë edhe perde para fytyrës gjersa bisedonin me meshkujt. Mirëpo kjo është vetëm një justifikim modern i myslimanëve modernistë, që i japin të drejtë opinionit të vetë, se hixhabi nuk është i detyrueshëm, por është një zgjedhje e femrës dhe një shkallë e modestisë.
Vazhdon
(Revista “Vlera”, nr. 27, tetor/nëntor 2018, fq. 5)