4. Arsimimi tek arabët para Islamit

Arsimimi tek arabët para Islamit

Spread the love

Në mesin e arabëve kishte shumë pak individë që mund të shkruanin dhe të lexonin. Shumë prej tyre nuk ishin të interesuar për ta mësuar këtë art. Një pjesë e historianëve janë të mendimit se kultura e kësaj periudhe ishte e themeluar krejtësisht në përcjelljen gojore. Hebrenjtë dhe të krishterët ishin flamurtarët e shkrim-leximit në Arabi, ndërkohë që arritja më e madhe intelektuale e arabëve paganë ishte poezia e tyre.

Ata besonin se Zoti ua kishte dhënë aftësinë e të menduarit grekëve (shkencën dhe filozofinë), aftësinë e punëve të dorës kinezëve (me zejtarinë e tyre të përsosur) dhe arabëve aftësinë e gjuhës (me gojëtarinë e tyre). Krenaria e tyre më e madhe, para dhe pas Islamit, ishte përherë gojëtaria (oratoria) dhe poezia. Rëndësia e poezisë në shoqërinë arabe mund të lexohet nga veprat vijuese të historianëve:

David Samuel Margoliouth:

Në Arabinë nomade, poetët ishin pjesë e pajisjes ushtarake të fiseve. Ata i mbronin forcat e fisit të tyre dhe i dëmtonin fiset armike me një fuqi, e cila vepronte në mënyrë misterioze dhe përbëhej nga përpilimi i vargjeve interesante që do të tërhiqnin vëmendje dhe do të mbaheshin mend gjatë” (‘Muhammedi dhe rritja e Islamit’, botuar 1931).

Evgenie Aleksandroviç Beljaev:

Pjesa më e madhe e njohurive mbi gjendjen ekonomike, sociale dhe morale të Arabisë në shekullin e pestë dhe të gjashtë vjen nga poezia e lashtë dhe paraislamike e arabëve, e cila është e njohur për përshkrimin besnik të periudhës në të cilën u përpilua, të jetës fisnore të arabëve dhe të mjedisit ku jetonin. Andaj specialistët i pranojnë këto poezi si burimet më të rëndësishme dhe autoritative për t’i përshkruar arabët dhe traditat e tyre në këtë periudhë” (‘Arabët, Islami dhe Kalifati arab në mesjetë’, botuar 1969)”.

Poezia arabe ishte e pasur për nga shprehja dhe rrjedhshmëria mirëpo ishte shumë sipërfaqësore dhe i mungonte thellësia e duhur në kuptim. Përmbajtja e saj mbase ishte interesante por ishte shumë e zakonshme dhe e mbushur me klishé. Thuajse të gjitha kryeveprat e poezisë së tyre e ndjekin të njëjtën rrjedhë të ideve dhe figurave.

Por sido që të jetë, ajo ishte një pasqyrë shumë besnike e jetës në Arabinë pagane. Përveç kësaj, poetët arabë në një mënyrë të pavetëdijshme e zhvilluan njërin nga artifaktet më të mëdha të njerëzimit: gjuhën arabe.

Përmbledhja me krijimet më të rëndësishme poetike të Arabisë pagane njihej si “Odet e Arta”. Kjo ishte një përmbledhje prej shtatë poezish që konsideroheshin të pakalueshme për nga rrjedhshmëria dhe fuqia gjuhësore. Këto poezi rrinin varur në Qabe si një sfidë që duhet ta përballonin poetët e rinj. Sir William Muir, në lidhje me këto poezi shkruan:

“‘Shtatë Poezitë e Varura kanë mbijetuar nga një periudhë që daton para Muhammedit, si shembuj të një gojëtarie të pashoqe. Bukuria gjuhësore dhe pasuria e egër figurative pranohen nga lexuesi evropian, por shumë shpesh, subjekti i poetit është i kufizuar dhe shumë rrallë devijon nga kallëpet e krijuara. Bukuria e të dashurës së tij, vendi i dëshiruar me gjurmët e freskëta të qëndrimit të tij në të, vetmia e një vendi të shkretuar, bujaria dhe aftësia e vetë poetit, lavdia e pakontestueshme e fisit të tij, cilësitë fisnike të devesë së tij dhe tema të tjera të ngjashme përpunoheshin me variacione të vogla, pa dallim se ç’ishte tregimi që fshihej pas një poezie. Shumë prej këtyre veprave veç me tepër e shtonin ligësinë e njerëzve, vetëpëlqimin e tyre, xhelozinë, mizorinë dhe krenarinë” (‘Jeta e Muhammedit’, botuar 1877)”.

Me zhvillimin e Islamit, vëmendja u kthye më tepër drejt prozës dhe poezia e humbi pozitën e saj si mbretëresha e arteve në Arabi.

“Vepra” më e madhe e Islamit ishte Kur’ani, Shkrimi i shenjtë i kësaj feje, ishte në formë të prozës. Myslimanët besojnë se Kur’ani u krijua në Qiej përpara se t’i shpallej Muhammedit, të Dërguarit të Zotit. Ata besojnë se intelekti njerëzor nuk mund të krijojë diçka që mund të matet me të për nga stili dhe përmbajtja. Për pesëdhjetë brezat pararendës, ai ka qenë një model i mendimit letrar, filozofik, teologjik, ligjor, metafizik dhe mistik.

Në faqet paraprake u përpoqëm të bënim një portretizim të përgjithshëm të gjendjes së Arabisë dhe të jetës së banorëve të saj para Islamit. Ky “portret” është autentik dhe është marrë nga “arkivat” e vetë arabëve paraislamikë. Duke gjykuar sipas këtij përshkrimi, mund të thuhet se para Islamit, Arabia nuk kishte një rend shoqëror dhe një rëndësi historike. Arabët jetonin me një moral të degraduar dhe të robëruar shpirtërisht. Jeta e tyre ishte e pakuptimtë, pa ndonjë arsye dhe pa qëllim. Shpirti njerëzor ishte i prangosur dhe po priste një shenjë për të filluar një përpjekje titanike për t’u shpëtuar zinxhirëve dhe çliruar.

Kjo shenjë u dha në qytetin e Mekkes në vitin 610 nga Muhammedi, i biri i Abdullahut, kur ai e shpalli profetësinë e tij dhe e filloi historinë e lëvizjes së quajtur “Islam”, e cila do ta mbështillte gjithë botën. Për njerëzimin ky ishte bekimi më i madh, i cili i çliroi nga robëria burrat dhe gratë, duke i mësuar t’i bindeshin Krijuesit të tyre. Muhammedi, i Dërguari i Zotit, ishte emancipuesi suprem i njerëzimit, i cili e nxori njerëzimin nga “greminat e jetës”.

Gadishulli Arabik ishte një vend gjeografikisht periferik dhe politikisht një terra incognita [lat. tokë e panjohur] deri në shekullin e shtatë pas Krishtit. Pikërisht atëherë, Muhammedi e vendosi këtë vend në hartën politike të botës, duke e bërë atë teatrin e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë.

Para Islamit, arabët kishin luajtur një rol krejtësisht margjinal në historinë e Lindjes së Mesme dhe mbase do të kishin mbetur përgjithmonë një popull barinjsh sikur Muhammedi (bekimi i Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) të mos ua jepte atë stimul që i ktheu fiset e tyre nomade në një forcë që kishte qëllime. Ai krijoi një “komb” nga një masë njerëzish pa kurrfarë strukture shoqërore. Ai i pajisi arabët me një dinamizëm të ri, me idealizëm dhe me një kreativitet eksploziv, me të cilin ata e ndryshuan përgjithmonë rrjedhën e historisë. Ai krijoi një gjendje të re mendore dhe psikologjike tek arabët. Veprimtaria e tij ishte një periudhë kritike e historisë, ku mbaroi një epokë dhe filloi një tjetër.

Duke folur për ndikimin e tij të madh në histori, Francesco Gabrieli, në librin e tij “Arabët- një histori e përmbledhur” (botuar 1963), thotë:

…Me këtë mbaroi preludi pagan i historisë së arabëve. Nuk mund të mos e vërejë ndryshimin e fatit të këtij populli gjithsecili që e krahason këtë periudhë pagane me atë që vijoi dhe që u solli arabëve një rol primar në historinë e botës dhe frymëzoi vepra e mendime të mëdha, jo vetëm tek një njeri i jashtëzakonshëm nga mesi i tyre por tek një elitë e tërë, e cila brez pas brezi i përmblodhi dhe i përhapi fjalët e tija. Ritmi i kësaj shoqërie që deri atëherë ishte e dobët dhe e shpërndarë, u kthye në një kërkim uniteti, kërkim të një qendre dhe të një qëllimi, të cilin do ta gjenin nën flamurin e besimit. As dashuria më romantike për gjërat primitive nuk na lejon të mos e shohim faktin se pa Muhammedin dhe pa Islamin, ky popull do të mbetej përgjithmonë duke u endur nëpër shkretëtirë, duke e shkatërruar njëri-tjetrin në luftëra të përgjakshme ndërfisnore dhe duke i parë Bizantin, Ktesifonin dhe madje Aksumin si rreze të largëta të civilizimit, të cilat qëndronin shumë përtej aftësive të tyre”.

Marrë nga libri “Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve”, autor: Sejjid Ali Asghar Razvi, përktheu: Numan Mustafa, shtëpia botuese: “Dielli”, Prishtinë, qershor 2013, fq. 52-55.