1.40

BESIMI NË ZOT, ÇELËSI I KURIMIT TË SËMUNDJEVE MENDORE

Spread the love

Autor: Anderson MARKU

Një njeri që beson, nuk vuan kurrë nga sëmundjet mendore”.

Gjëja më e bukur që krijoi Zoti është toka, gjëja më e bukur që gjendet në tokë është njeriu, gjëja më e mirë që gjendet tek njeriu është zemra, e gjëja më e bukur që gjendet tek zemra është besimi. Besimi i ngjan fanarit ndriçues që shndritë në mes të territ të idhujtarisë dhe mohimit. Besimi është forca e moralit dhe morali i forcës, shpirti i jetës dhe jeta e shpirtit, sekreti i botës dhe bota e sekreteve, bukuria e ekzistencës dhe ekzistenca e bukurisë, drita e rrugës dhe rruga e dritës. Njeriu, si një krijesë sociale, përpiqet të angazhohet në shoqëri. Pjesëmarrja e tij në jetë në mënyrë aktive, apo qoftë dhe pasive, e bën atë të mbingarkohet nga ana emocionale dhe mendore. Shpeshherë, bombardimet me informacione krijojnë tek ai mjaft probleme, madje arrin deri në atë pikë sa këto problem të kthehen në sëmundje serioze mentale.

Teksa shqyrtojmë gjendjen e këtyre personave, vihet re një dukuri e cila shfaqet në shumicën e këtyre rasteve, e ajo quhet: “Mungesë besimi”. Dr. Ass. Paul Ernest Adolft, pedagog në universitetin e St. Jones dhe anëtar i shoqatës së kirurgëve amerikanë tregon shkaqet përse ndodhin këto problem mendore: “Ndër shkaqet më kryesore të këtyre sëmundjeve është ndjesia e mëkatit, e frikës, e urrejtjes dhe e pasigurisë. Është për të ardhur keq se shumë nga mjekët arrijnë të përcaktojnë shkaqet e sëmundjes, por nuk arrijnë dot ta trajtojnë atë. Kjo pasi ata nuk i referohen besimit te Zoti në trajtimin e sëmundjeve”.

Dr. Henri Link, një mjek i shquar amerikan pas shumë eksperimenteve dhe studimeve, arriti në një përfundim të artë: “Kushdo që beson dhe frekuenton vendet e adhurimit, gëzon një personalitet më të fortë e më të mirë se ata që nuk besojnë dhe nuk shkojnë në këto vende!

Ndërsa shkrimtari dhe sociologu amerikan, Dale Carnegie, në librin e tij “Lëre shqetësimin dhe fillo jetën”, tregon disa dobi që sjell feja dhe besimi në jetë: “Feja ushqen besimin, shpresën dhe guximin, ndërsa largon frikën, pasigurinë dhe shqetësimin. Ajo më mëson qëllimet dhe rezultatet e jetës si dhe hap para meje horizontet e lumturisë, si dhe më bën të jetoj në oazën e besimit, mu në mes të shkretëtirës së jetës tonë”.

Të shumtë kanë qenë ata mjekë psikiatër të cilët kanë provuar në mënyrë të vazhdueshme se besimi tek Zoti dhe te jeta tjetër, ka qenë një nga mënyrat më efikase për të shëruar sëmundjet mendore. Ata kanë kuptuar se besimi i fortë, kapja pas fesë dhe praktikimi i lutjeve, janë të mjaftueshme për njeriun, që ai të vërë poshtë problemet dhe shqetësimet nervore dhe mendore.

Një njeri që beson, nuk vuan kurrë nga sëmundjet mendore”, shprehet Dr. Alexis Perel, ndërsa një ndër mjekët më të shquar në ShBA, e i njohur në mbarë botën, Dr. Karl Jang shprehet kështu: “Gjatë 30 viteve të shkuara, më kanë kërkuar konsulta, njerëz nga vende të ndryshme të botës. Kam kuruar qindra të sëmurë dhe kam konstatuar se problemet e atyre që kishin arritur gjysmën e moshës (35 vjeç), vinin nga mungesa e besimit dhe mosfrekuentimi i mësimeve fetare nga ana e tyre. Nuk gaboj nëse them se secili nga këta të sëmurë, kishte rënë pré, ngaqë ia kishte mohuar vetes qetësinë shpirtërore që të dhuron besimi. Dhe asnjëri prej tyre, nuk u shërua, pa iu kthyer më parë besimit dhe mësimeve të fesë”.

Po pse vallë, besimi tek Allahu dhe mbështetja tek Ai sjellin paqe, siguri dhe prehje tek njeriu? Përgjigjen e kësaj pyetje, po ja lëmë filozofit të njohur të shkollës filozofike pragmatiste, Uilliam James, i cili thotë: “Besimi në Zot është dritë që nuk shuhet kurrë, pasuri që nuk shteron…”.

Thënë me një fjalë të vetme, besimi është domosdoshmëria e jetës së njeriut; domosdoshmëri për personin të gjejë prehjen, lumturinë dhe përparimin, domosdoshmëri për shoqërinë që të gjejë qëndrueshmërinë, unitetin dhe vazhdimësinë. Mjekët nuk posedojnë ndonjë gjë më të vyer dhe efikase se arma e besimit dhe e fesë, kthimi drejt mëshirës Hyjnore, drejt përkujdesjes së Allahut të Lartësuar, drejt fuqisë dhe madhështisë së Tij!

(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 19-20)




There are no comments

Add yours