
Konceptimi i dashurisë te Naim Frashëri
O moj flakë e dashurisë! Ç’e do fare
Atë jetë kur s’je ti, moj shkëlqimtare
Mos hik kurrë nga kjo zemra plot mjerime!
Mos u fshih për asnjë çast nga zemra ime!
Se me ty, moj zemra ime ka jetuar,
Të ka shoqe që nga kohë e amëshuar
Ndofta Zoti zemrën mbrujtur pat me ty
O në zemër të pat hedhur ty aty.
Që ta bënte njeri baltën Zoti shpejt
Nga yt det një pikë hodhi mbi të drejt.
Ç’kupton Naimi me dashurinë? Dashuria në shkollën e mistikëve nuk ekziston në zemër, por dashuria i jep ekzistencë të dashuruarit dhe i dashuruari bëhet një me dashurinë, ecën me të, flet me të. dëgjon me të, sheh me të. Dashuria, sipas dijetarit mistik, Naimit, eshtë burimi dhe shkaku i ekzistencës. Naimi thotë: Zemra e njeriut
është bërë nga dashuria. Pra, dashurinë nuk e kanë futur në zemër, d.m.th. është dashuria që i jep jetë zemrës së njeriut. Dashuria e vërtetë nuk është e ndarë nga zemra, por është Zoti që e ka futur atë në zemrën e njeriut. Sipas dijetarëve mistikë Zoti e krijoi dashurinë dhe me të krijoi të gjithë qeniet. E gjithë bota është e përfshirë në flakët e dashurisë dhe të afshit të saj.
Vepra “Takhajolat” e Naimit është një përmbledhje e vogël, por një mendim aq i thellë sa që me një studim të tillë është i pamundur të vlerësohen poezitë e tij.
“ Që ta bënte njeri baltën Zoti shpejt Nga yt det një pikë hodhi mbi të drejt.”
Kjo do të thotë që Zotit për të krijuar njeriun nga dheu mjaftoi jo një pikë, por vetëm pak nga njomështia e dashurisë së tij qiellore. Kështu ai i dha njeriut jetë, vetëm me pak njomështi nga deti i dashurisë së tij.
Bota, si një shfaqje e pranisë së Zotit, nuk duhet konsideruar aspak si diçka e kufizuar. Naim Frashëri në vjershën “Dielli” të librit të tij “Takhajolat” flet për këtë pafundësi të botës.
Kjo e gjëra hapësirë pa kufi
Kaqë drita e të fshehta mban në gji
Djathtas, majtas, s’ka natyra as dhe skaj,
Të pa numërt janë trupat e kësaj
Mençuri pa si e sa, pa shëmbëllim!
Plot fuqi që s’ka fillim dhe as mbarim.
Drita e parë që u dha nga Zoti mori kuptimin e dashurisë dhe ajo dashuri e pafund krijoi dashurinë e pafund, e cila mund të shihet vetëm në zemrën e dijetarit. Shembulli më i mirë për të njohur thellësisht botëkuptimin mistik të Naimit Frashërit është poezia “Pranë detit”
Kjo pranverë, këta zogj, këto kullota
Drurët, krojet dhe livadhet, gjithë bota;
Që të gjitha valët e një deti janë,
Këto pikë, ai det pa fund pa anë…
Qelqi verë e vera qelq u bë tashti
Shpirti trup e trupi shpirt u bë, u shkri,
Shega shark dhe sharku shegë na u bë,
E vështirë të dallohen tanimë….
Mistikët kanë bindjen se të gjitha sendet ekzistuese janë të shumta dhe në unitet me njëra tjetrën. Për të treguar këtë realitet mund të përmendim střembuj si deti dhe bulëzat ose shkuma e detit, ose deti dhe vala, ose deti dhe njomështia e tij për të cilën flet edhe Naimi. Sipas tyre bota është si dallgët e detit që duke qenë dallgë në të njëjtën kohë janë edhe det e përveç detit nuk ekziston gjë tjetër. Çdo lëvizje apo trazim i detit bëhet shkak për krijimin e shkumës e të valëve që janë si qeniet e botës. Naimi i krahason këta zogj të bukur dhe këtë pranverë ndjellëse, dhe kullota të natyrës, pemët dhe barin e kroin me valët e detit, ndërsa detin me një realitet pa fund e pa anë. Si rrjedhim, në botëkuptimin mistik të Naimit, qenia nuk ekziston veçse një qenie absolute dhe si e vërtetë absolute.
Edhe në poezitë e iranianëve bie shumë në sy kjo e vërtetë absolute. Mistiku Ebu Arabi nga Andaluzia e Spanjës thotë:
“ Deti, megjithëse i vjetër është det, ajo që ndodh dhe që ekziston janë valë të detit dhe përrenj që kthehen në det. Ajo që ti shikon në forma të ndryshme nuk duhet të të befasojë, të gjitha janë perde në sytë e tu “.
Kuptimi i detit është deti ashtu sikurse ka qenë edhe më parë. Ngjarjet e botës janë si valët e si lumenjtë. Format që krijohen në det nuk duhet të të pengojnë ty që të shohësh të vërtetat. Ndërsa një poet tjetër shprehet në persisht:
“ Valët që ju shihni në botë, janë si bulëz që vjen nga uji
Megjithëse bulëza dhe uji ngjajnë ndryshe
janë në të vërtetë e njëjta gjë.
Ndaj e vërteta e gjërave është si mirazhi.”
Ne, gabimisht atë që do dhe atë që duhet i quajmë dy të vërteta, ndërsa në shkollën mistike ai që do dhe ai që duhet janë një dhe ai që do (i dashuruari) është aq i zhytur në dashurinë e atij që dashuron, saqë nuk shikon tjetër veç dashurisë. Ai thotë:
Qelqi verë e vera qelq u bë tashti
Shpirti trup e trupi shpirt u bë, u shkri,
Shega shark dhe sharku shegë na u bë,
E vështirë të dallohen tashtimë…
Sipas misticizmit qelqja, është zemra e mistikut, ndërsa vera është dashuria. Prandaj trupi dhe shpirti, shega dhe lëkura e saj me gjithë ndryshimet e jashtme janë në fakt të shkrira me njëri -tjetrin dhe këto ndryshime të jashtëme janë si valë nga valët e detit. Për rrjedhim trupi s’është gjë tjetër veç shpirt dhe sharku s’është gjë tjetër veç shegë, ashtu sikurse dashuria dhe i dashuruari janë një dhe zemra e mistikut nuk është gjë tjetër veç dashuri. Sipas Naim Frashërit, pa dashurinë nuk mund të jesh, që do të thotë se pa dashurinë nuk mund të jetohet. Këtu qëndron ndryshimi midis Naimit dhe poetëve të tjerë lidhur me dashurinë.
Marrë nga Revista Shkencore Kulturore “ PERLA” – Tiranë 1996



