
Ndalimi i ofendimit të Aliut (a.s.) në Kohën e Imam Bakirit a.s.
Siç e pamë, Omer ibn Abdul-Azizi, në krahasim me kalifët e tjerë emevit, ishte person
mjaft i drejtë, dhe përkundër asaj që pushteti i tij konsiderohet pushtet Tagut pasi që nuk ishte
i autorizuar për atë nga ana e mëkëmbësve të pastër të Pejgamberit, ai megjithatë kishte
qëruar hesapet me shumë të këqija të paraardhësve të tij dhe pushteti i tij nuk ishte pa
rezultate të dobishme. Mirëpo, nga të gjitha kontributet e tij, shërbimi më i madh i tij dhënë
islamit, aq më shumë njerëzimit, është fakt i cili në historinë e sundimit të tij shkëlqen me
shkëlqim të veçantë, është anulimi i risisë së shëmtuar i mallkimit të Prijësit të besim-drejtëve,
a.s.. Kësisoj e çrrënjosi një zakon të shëmtuar i cili kishte zgjatur gjashtëdhjetë e nëntë vjet,
me çka shi’itëve dhe gjinisë njerëzore në përgjithësi i kishte bërë një shërbim të madh.
Kjo risi paraqet trashëgimi të shëmtuar nga koha e Muaviut. Kur pas shehadetit të Prijësit
të besimdrejtëve, a.s. (vitin 40 H.), Muaviu tërësisht e kishte vendosur kontrollin vendosi që
me shpifje dhe propagandë, Aliun, a.s., ta paraqiste si njeriun më të keq në botën islame!! Për
ta arritur këtë, nga njëra anë, të gjithë miqtë dhe pasuesit e Prijësit të besimdrejtëve, a.s., i
kishte vënë nën trysni dhe me shpatë e syrgjynosje i kishte penguar të flitnin për virtytet dhe
përparësitë e Imam Aliut. Bile, nuk lejonte që asnjë hadith, transmetim apo lavdërim për
Aliun, a.s., të arrinte deri në popull. Në anën tjetër, me qëllim që personalitetin e shkëlqyer të
Aliut, a.s., ta paraqiste sa më të shtrembëruar, i detyronte muhadithët që ushqeheshin nga
sofra e pushtetit Emevit të sajonin hadithe që do të flisnin kundër Aliut! Kësisoj u paraqitën
shumë hadith të falsifikuar dhe u përhapën në popull!
Muaviut nuk i mjaftoi as kjo, prandaj urdhëroi që gjithandej hapësirave islame në namazet
e xhumasë, si shtesë hytbeve, të mallkohet dhe ofendohet Aliu, a.s.. Kjo risi e shëmtuar u bë
zakon, prodhoi rezultate në opinion dhe u rrënjos si diçka e zakonshme. Kësisoj fëmijët u
rritën nën mallkimet ndaj Aliut, a.s., ndërsa të rriturit shkonin nga kjo botë të disponuar
armiqësisht ndaj Aliut! Pas Muaviut, edhe kalifët e tjerë emevit vazhduan këtë zakon, ashtu
që kjo risi mbijetoi deri në fund të shekullit të parë të Hixhretit, kur Omer ibn Abdul-Azizi e
mori kalifatin. 1*
Reflektimi i ndikimit të mësuesit
Vetvetiu, imponohet pyetja pse Omer ibn Abdul-Azizi veproi kësisoj dhe cili është shkaku
që pikërisht ai mes kalifëve emevit të ndërmerrte hapa të tillë të mëdhenj?
Përgjigja në këtë pyetje na kthen në ditët e fëmijërisë së tij respektivisht në shikim të parë
një ngjarje fare e vogël që kishte ndikim të madh në mënyrën e tij të rezonimit, deri atëherë
kryesisht nën ndikimin e mendimit të përgjithshëm. Vërtetë atë ditë kishte ndodhur diçka që
më vonë, në kohën e hilafetit të tij do të rezultojë me vendime aq të mëdha.
Ngjarja për të cilën po flasim kishte ndodhur në kohën kur, Omer ibn Abdulazizi ishte
shkolluar te mësuesi i tij Abdullahu, njeri i devotshëm, i arsimuar dhe i ndërgjegjshëm. Një
ditë Omeri po luante me bashkëmoshatarët e tij, të familjeve emevite dhe familjeve që ishin
në shërbim të tyre. Fëmijët, të habitur nga loja, çdo shkas edhe më të voglin e shfrytëzonin
për ta fyer dhe mallkuar Aliun, a.s., siç ishte e zakonshme atëbotë. Në ekstazën e tij
fëmijërore edhe Omeri bashkë me fëmijët e tjerë kishte marrë pjesë në këtë. Pikërisht atëherë
pranë tyre kalon mësuesi i tij dhe i dëgjon se si nxënësit bashkë me fëmijët e tjerë mallkonin
Aliun, por nuk tha asgjë dhe hyri në xhami. Së shpejti erdhi koha e mësimit dhe Omeri erdhi
në xhami që të merrte pjesë në orë. Mësuesi e vërejti, Omerin por u lidh në namaz. Omeri
priti derisa mësuesi i tij u fal, por mësuesi shumë më gjatë se zakonisht iu përkushtua
namazit. Nxënësi i vogël ndjeu që mësuesi i tij po i shmangej dhe që namazi ishte vetëm
pretekst. Kur më në fund përfundoi me namaz, mësuesi qortueshëm e shikoi Omerin dhe i
tha: “Prej nga e di ti që Zoti, pasi që ishte i kënaqur me luftëtarët e Bedrit dhe atyre të
cilët i ishin betuar në besnikëri Pejgamberit, u zemërua me ta dhe lejoi që të
mallkoheshin!?” “Kurrë nuk kam dëgjuar për diçka të tillë!”, tha Omeri, ndërsa mësuesi
e pyeti: “Atëherë, pse e mallkon Aliun!?” Omeri atëherë tha: “Kërkoj falje dhe i
pendohem Allahut për këtë! Premtoj që këtë kurrë më nuk do ta përsëritë!”
Fjalët logjike dhe të mençura të mësuesit dhanë rezultat dhe ndikuan fuqishëm në Omerin.
Biri i Abdul-Azizit vendosi që nga ajo ditë kurrë më të mos e përmend Aliun, a.s., për të keq.
Mirëpo, edhe më tutje duke luajtur me fëmijë, në rrugë dhe tregje kishte dëgjuar se si njerëzit
paturpësisht e mallkonin Aliun, a.s.. Së shpejti do të ndodh edhe diçka që do ta forcoj Omerin
në qëllimin e tij.
Pranimi i madh
Në fakt, fjala është për atë që, babai i Omerit nga ana e pushtetit qëndron në Sham, ishte
emëruar për guvernator të Medinës, dhe siç ishte zakon, të premten në namazin e xhumasë në
kuadër të hytbes e kishte mallkuar Aliun, a.s., dhe e përfundoi me fyerje në llogari të Aliut.
Një ditë, biri i tij Omeri, i tha: “Baba, sa herë që mban hytbe, diskuton për diçka apo
mbanë fjalim, e ke zërin e sigurt dhe të fuqishëm, je elokuent dhe me vetëbesim.
Mirëpo, kur duhet ta mallkosh Aliun, gjuha disi të lidhet? Pse ndodh kjo?” Babai i tij
tha: “Birë, vallë ti e ke hetuar këtë?” “Po”, tha Omeri, mandej babai i tij tha: “Biri im, po
sikur këta njerëz që janë tubuar rreth nesh dhe janë ulur nën minber ta dinin për
virtytet e Aliut, atë që e di unë, ata do të largoheshin nga ne dhe do t’i kërkonin fëmijët
e Aliut.”
Kur Omer ibn Abdul-Azizi, të cilit në veshë ende i tingëllonin fjalët e mësuesit, dëgjoi nga
babai i tij një pranim kësisoj, kjo e tronditi shumë dhe iu betua vetvetes se, po erdhi në
pushtet ndonjëherë do ta hiqte atë risi të shëmtuar. Prandaj, kur në vitin 99 H. e mori
hilafetin, veproi në përputhje me dëshirën e tij të vjetër dhe përmes shpalljes urdhëroi që nga
minberi, në vend të mallkimit të Aliut, a.s., të recitohej ajeti: All-llahu urdhëron drejtësi,
bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju
këshillon ashtu që të merrni mësim. 2 Një veprim kësisoj hasi në miratim të popullit, ndërsa
poetët dhe oratorët e njohur me fjalë miradije ishin shprehur për këtë. 3
Kthimi i Fedekut të Fatimes (a.s.) pasardhësve
Një hap tjetër i rëndësishëm, të cilin e ndërmori Omer ibn Abdul-Azizi me qëllim të
heqjes së padrejtësisë kundrejt familjes së Pejgamberit, s.a.v.a., ishte kthimi i Fedekut
pasardhësve të vajzës së dashur të Pejgamberit, Fatimes, a.s..
Fedeku, në historinë e islamit njihet edhe si rrëfim i pikëlluar, ashtu që nuk do të merremi
me të këtu. Kryesisht, thënë shkurtë, fjala është për atë që Pejgamberi pronën e quajtur
Fedek, ia kishte dhuruar gjatë jetës së tij bijës së vet Fatimes, që pas vdekjes së Pejgamberit,
s.a.v.a., Ebu Bekri ia mori Fatime Zehras atë pronë dhe e shpalli pasuri shtetërore. Prej aty
Fedeku kalon nga një kalif në tjetrin, derisa Muaviu nuk ia dhuroi Mervanit, Mervani ia
dhuroi birit të vet Abdul-Azizit, ndërsa pas vdekjes së Abdul-Azizit i takoi birit të tij Omerit.
Omer ibn Abdul-Azizi ia dorëzoi Fedekun pasardhësve të hazreti Fatimes, duke thënë:
“Fedeku u përket atyre dhe Emevitët nuk kanë të drejta në të.” Për fat të keq, pas
vdekjes së tij, kur hilafetin e mori Jezid ibn Abdul-Meliku, Fedeku sërish u konfiskua nga
pasardhësit e Fatimes dhe u gjend në pronësi të emevitëve. 4
Suduku në librin e tij Al-Hisal transmeton se Omer ibn Abdul-Azizi gjatë një udhëtimi në
Medinë u takua me Imam Bakirin, a.s., dhe me atë rast ia ktheu Fedekun. Duket që
përpjekjet e tilla të Omerit që t’i largonte disa nga padrejtësitë që i ishin bërë familjes së
Pejgamberit, s.a.a., kishin bërë që Imam Bakiri, a.s., të deklaroj: “Omer ibn Abdul-Azizi
është njeri i ndershëm mes emevitëve.” 5
Sundimi i Omer ibn Abdul-Azizit, zgjati gati dy vjet. Thonë se vdiq pasi e helmuan
Emevitët. 6
1* Ibn Ebul-Hadid, Sherhi Nehxhul-belage, përgatiti Muhammed Ebul-Fadl Ibrahim, botimi i parë, Kajro,
Dari ihjaul-kitabul-arabije, 1378 H, vëllimi III, faqe 57.
2* An-Nahl, 90
3* Ibn Asir, Al-Kamilu fil-tarih, Bejrut, Dari Sadir, 1399 H., vëllimi V, faqe 42; Mesudi, Muruxhul-dheheb,
Bejrut, Darul-Anadalus, vëllimi III, faqe 184; Ibn Ebul-Hadid , Sherhi Nehxhul-belage, përgatiti
Muhammed Ebul-Fadl Ibrahim, botimi i parë, Kajro, Dari ihjaul-kitabul-arabije, 1378 H, vëllimi III, faqe
59.
4* Ibn Vazih, Ibid, faqe 50.
5* Sujuti, Ibid, faqe 230.
6* Ibn Abdurabbah, Al-Akdul-ferid, Darul-kitabul-‘arabi, Bejrut 1403, vëllimi IV, faqe 439



