Si i trajtojmë fëmijët krahas fëmijëve të tjerë?
Hyrje
Kjo temë ka shumë rëndësi për edukimin e fëmijës. Pa dyshim edhe në qoftë se nuk jeni prind, keni hasur me dukurinë negative të të veçuarit të ndonjë fëmije krahas fëmijëve të tjerë. Ju ka rastisur që të dëgjoni kur një fëmije i thuhet: më i bukuri, më i mençuri, princi, mbreti, më i forti, etj., etj. A keni menduar se si kjo mund të ndikojë te vetë fëmija, të cilit i drejtoheni dhe njëkohësisht te fëmijët e tjerë që gjenden afër?
Si ndikohet fëmija nga komplimentet?
Në qoftë se keni menduar se kjo është formë e mirë e nxitjes, ta dini që kështu vetëm e llastoni fëmijën tuaj deri në atë masë që as juve si prind të mos ju përfillë në raste të caktuara. Si ndodh kjo? Vetë fëmija, kur pranon “komplimente” të tilla, do të fillojë të mendojë se bota sillet rreth tij. Se të gjithë duhet të jenë të gatshëm ta shërbejnë atë për çkado që ai dëshiron. Rebelimi në këto raste është gjëja e parë që i bie në mend një fëmije që pranon këto lloj komplimentesh.
Zgjidhja e kësaj është më së miri që fëmija të pranojë kujdes të vazhdueshëm pa u vënë re. Pa e hetuar se vërtetë për ju bota sillet rreth tij. Kujdesuni që krahas fëmijëve të tjerë të mos futni xhelozi, sepse fëmijët qysh të vegjël kanë aftësinë e të xhelozuarit me fëmijët e tjerë. Mundohuni që t’i trajtoni ata njëjtë pa veçuar ndonjërin për bukuri apo mençuri, etj.
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 6, gusht 2011, fq. 35)